Veprimtaria e profesor Rexhep Qosjes gjatë viteve 1968-1990, në dritën e disa dokumenteve arkivore të shtetit shqiptar, mund të “lexohet” nga këndvështrime të ndryshme. Por qysh më 1968 ai ra në sy me kumtesën në Simpoziumin për Skënderbeun. Në një dokument të vitit 1970, për të shkruhej se “është një kritik me talent dhe një punonjës i zellshëm në fushën e studimeve historiko-letrare. Ai ka një horizont të gjerë letrar dhe premton për punë ngulmonjëse e serioze në lëmin e studimeve të letërsisë shqiptare”. Në fund të atij viti, pas një vizite të delegacionit nga Shqipëria në Prishtinë, në një relacion shkruhej se “fjalimi i Qosjes nuk qe dhe aq në nivel, në krahasim me aftësitë e tij, po jo keq”, duke vazhduar se “ky është ndër njerëzit më me kulturë që kanë... ende fort i ri”
Simpoziumi për Skënderbeun më 1968
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë maj të vitin 1968, në Prishtinë organizohet Simpoziumi shkencor për nderë të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Siç është tanimë e njohur, ky organizim tuboi studiues nga ish-Jugosllavia, Tirana dhe albanologë të huaj. Në mesin e studiuesve që do të paraqiteshin me kumtesa në këtë organizim, ishte edhe Profesor Rexhep Qosja, me kumtesën: “Skënderbeu në vizionin poetik të Naim Frashërit”. Shtypi, asokohe shkruante për paraqitjen me kumtesë në këtë organizim të Profesor Rexhep Qosjes. Një pesë e kumtesës së paraqitur në këtë organizim nga profesor Qosja, u botua të nesërmen në shtyp. Në lidhje me këtë, studiuesit nga Tirana, pjesëmarrës në këtë organizim, me rastin e kthimit të tyre në Tiranë, kishin përgatitur për institucionet përkatëse të Tiranës një raport, të titulluar: “Mbi vizitën e grupit të punonjësve shkencorë të Universitetit Shtetëror të Tiranës në Kosovë me rastin e Simpoziumit kushtuar Skënderbeut”. Ata kishin shënuar se gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, atyre iu bë “në përgjithësi një pritje zyrtare korrekte” nga ata të cilët ishin ftuar, pra “nga drejtuesit e Instituti Albanologjik dhe nga bashkësia e shkollave të larta në Prishtinë”.
Në pjesën e këtij raporti, ku shkruan për kumtuesit dhe referatet e mbajtura në këtë organizim nga studiuesit shqiptarë në ish-Jugosllavi, ata theksojnë: “Përgjithësisht mund të thuhet se kumtesat e mbajtura nga shqiptarët vendas ishin në një nivel shkencor mjaft të ulët; ato i përshkonte përgjithësisht fryma patriotike por metodologjikisht ishin të dobëta dhe nuk sillnin ndonjë rezultat shkencor për t’u shënuar”. Për Profesor Ali Hadrin, ata kishin bindjen, si ai ishte “njeriu i mbështetur nga regjimi titist”, ndërsa për referatin e mbajtur nga ai, ata e vlerësojnë si një referat “në një nivel shkencor të ulët, më tepër një ritregim faktesh, pa ndonjë material dhe koncept të ri të vetin”.
Mirëpo, sipas përgatitësve të raportit “nga kumtesat me të mira mund të konsiderohet ajo e Rexhep Qosjes me titull: ‘Skënderbeu në vizionin poetik të Naim Frashërit’ që binte në sy për trajtimin e thellë e të drejtë të temës, për kulturën e gjerë të autorit”. Profesor Qosja, nga ky moment, do të jetë ndër me të përmendurit në relacione e informacione të përgatitura në Tiranë, kryesisht, për punën e vyer të tij në drejtim të letërsisë shqipe dhe kritikës letrare. Janë disa studiues nga Kosova që vlerësohen nga studiuesit e Tiranës për paraqitjet e tyre në këtë organizim, por Profesor Qosja dhe paraqitja e tij, kishte lënë mbresa të theksuara tek ata.

Dokumenti i vitit 1970: “Një kritik me talent dhe një punonjës i zellshëm”
Viti 1970 është i begatshëm sa i përket dokumentacionit që lidhet me personalitetin e Profesor Rexhep Qosjes, sepse gjatë këtij viti Profesori do ta vizitojë Shqipërinë dhe sigurisht se ka prodhuar material edhe për përgatitësit e relacioneve. Prej datës 6 deri më 28 janar 1970 Profesor Qosja qëndron në Tiranë si i ftuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Gjatë kësaj kohe, Profesor Qosja kishte hulumtuar dhe mbledhur materiale për punimin e tij të disertacionit “Asdreni: jeta dhe krijimtaria letrare”. Më 6 shkurt të vitit 1970, sipas kërkesës së Behar Shtyllës, studiuesi Androkli Kostallari i dërgon relacion në lidhje me qëndrimin e Profesor Qosjes në Tiranë dhe një informacion në lidhje me gjendjen e letërsisë shqipe në Kosovë sipas mendimeve të Profesor Qosjes. Sipas, këtij relacioni, Profesor Rexhep Qosja “është një kritik me talent dhe një punonjës i zellshëm në fushën e studimeve historiko-letrare. Ai ka një horizont të gjerë letrar dhe premton për punë ngulmonjëse e serioze në lëmin e studimeve të letërsisë shqiptare”, shkruan në mes tjerash në këtë relacion.
Sipas relacionit të përgatitur, Profesor Qosja vlerëson përparimet e mëdha të Shqipërisë “në lëmin ekonomik e kulturor, atij i ka bërë përshtypje të veçantë fakti që në Shqipëri ka ndryshuar dhe fizionomia e njeriut, është formuar një njeri i ri, me tipare të reja”, shkruhet në mes tjerash në këtë relacion. Ndërsa sa i përket aspektit fetar në Shqipëri, sipas realcionit Profesor Qosja, faktin e ateizimit të Shtetit shqiptar e sheh si domethënës “që Shqipëria është vendi i parë në botë pa kisha e pa xhami”, shkruan në mes tjerash në relacion.
Ndërsa, sa i përket relacionit në lidhje me gjendjen e letërsisë shqipe në Kosovë, në relacion shënohen mendimet e Profesor Rexhep Qosjes për letërsinë në përgjithësi, romanin, prozën, poezinë, letërsinë për fëmijë etj., duke veçuar edhe emra të veçantë si: Hivzi Sylejmani, Esad Mekuli, Enver Gjergjeku etj. Bie fjala, për Esad Mekulin, në relacion shënohet ky mendim i Profesor Qosjes se “pikënisje e frymëzimit të tij është po ai fshatar, po ai njeri që herë i thonë shqiptar, herë shiftar, herë lypës e herë sharraxhi. Si poet E. Mekuli ndien thellë në shpirt imperativin e lirisë dhe krijon kultin e saj. Plagë e veçantë, e pashëruar ende, është plaga e kurbetit. Këtë temë e ka trajtuar me forcë të rrallë”, shkruan në mes tjerash në këtë relacion.
Në vitin 1970, në Tiranë përgatitet një informacion lidhur me studiuesit e dalluar të Kosovës në fushën e albanologjisë. Në këtë informacion, ofrohet nga një rezyme e shkurtër për studiuesit: Idriz Ajeti, Ali Hadri, Mark Krasniqi, Syrja Pupovci, Femi Agani, Hajredin Hoxha, Hasan Kaleshi, Rexhep Qosja, Zekeria Cana, Skender Rizaj, Ahmet Kelmendi, Ismet Dërmaku, Latif Mulaku, Anton Çetta, Isak Shema, Halit Tërnafci, Ramiz Kelmendi, Shefqet Pllana e Olivera Jashari-Nasteva. Për Profesor Rexhep Qosjen, ata shkruajnë me nota pozitive, duke e shënuar këtë vlerësim: “Kritik letrar, historian i letërsisë shqipe; shef i sektorit të historisë së letërsisë në Institutin Albanologjik, pedagog në fakultetin përkatës. Ka një përgatitje serioze shkencore me mendime pozitive, është prodhues aktiv, autor i një varg librash e studimesh, në të cilat përpiqet për një kuptim ideologjik të drejtë të fenomeneve të historisë së letërsisë shqipe dhe ngul këmbë për të ndjekur vijën drejtuese të shkencës sonë albanologjike. Ishte në vendin tonë për studime kohë më parë dhe mban qëndrim shumë të mirë ndaj nesh”, shkruan në këtë informacion.

“Ky është ndër njerëzit më me kulturë që kanë... ende fort i ri”
Në fund të vitit 1970, në Prishtinë, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, kishte organizuar një akademi përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit. Delegacioni nga Tirana ishte i përberë nga Dhimitër S. Shuteriqi, në cilësinë e kryetarit, Zija Xholi dhe kompozitori Tish Daija. Ky delegacion, në Prishtinë kishte ardhur përmes Strugës dhe në kufij ishte pritur nga Mark Krasniqi, në cilësinë e Kryetarit të shoqatës, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe shkrimtar; Vehap Shita, Sekretar i Shoqatës, redaktor i gazetës “Rilindja”, kritik letrar, Azem Shkreli, anëtar i kryesisë së shoqatës, Drejtor i Teatrit të Prishtinës, shkrimtar, Maksut Shehu, anëtar i kryesisë së shoqatës dhe shkrimtar. Në relacionin e dërguar në institucionet përkatëse në Tiranë, ata shënojnë se organizimi i kësaj akademie përkujtimore u mbajt në Teatrin Krahinor të Prishtinës, siç quhej asokohe dhe fjalën e rastit e mbajti kritiku letrar Rexhep Qosja, por për fjalën e tij ata shtojnë se “fjalimi i Qoses nuk qe dhe aq në nivel, në krahasim me aftësitë e tij, po jo keq”. Në të njëjtin relacion, në disa faqe me poshtë, kur flasin për Profesor Qosjen, ata shkruajnë: “Ky është ndër njerëzit më me kulturë që kanë, talent i veçantë për kritikën dhe historinë letrare, punëtor i madh, ende fort i ri (më pak se 35 vjeç). Të gjithë e paraqesin si njeri shumë të ndershëm dhe i tillë na u duk. Ka admirim të madh për punën që bëhet te ne, po në shkrimet e tij nuk mungon, në mënyrën e vet, një farë polemizimi me kritikën dhe historiografinë tonë letrare”.
"E para mbrojtje e disertacionit në gjuhën shqipe në Jugosllavi”
Më 20 mars, të vitit 1971 Rexhep Qosja, në amfiteatrin e madh të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, mbron temën e disertacionit “Asdreni: jeta dhe krijimtaria letrare”, para komisionit të përbërë nga profesorët: Idriz Ajeti, Aleks Buda, Androkli Kostallari, Jashar Rexhepagiqi dhe Ali Hadri. Të nesërmen, më 21 mars shtypi, përmes gazetarit të atëhershëm, shkrimtarit të njohur, Musa Ramadani shkruante: “Rexhep Qosja – doktor i shkencave filologjike” dhe “kjo ishte e para mbrojtje e disertacionit në gjuhën shqipe në Jugosllavi”. Në lidhje me këtë, dy studiuesit e njohur nga Tirana, Profesorët Buda dhe Kostallari, në informacionin e tyre, të përgatitur për këtë ngjarje, shënuan, se ishte ngjarje me rendësi të jashtëzakonshme, manifestim i fuqishëm si në aspektin patriotik dhe atë politik, një atmosferë ndoshta e paparë deri në atë kohë dhe i vlerësonin jashtëzakonisht, falënderimet për institucionet e Tiranës që Profesorët Qosja dhe Ajeti, i kishin potencuar vazhdimisht gjatë ceremonisë së mbrojtjes së disertacionit.
Përderisa në vitin 1971, kemi vlerësime pozitive për figurën e Profesor Rexhep Qosjes nga Tirana, gjatë hulumtimeve, kemi hasur edhe dokumentacione, me mendimet të studiuesve nga Kosova për kolegët e tyre, që në shumicën e rasteve janë përshkrime emocionale. Bie fjala, në një informacion sekret të vitit 1971, shënojnë disa mendimet të Ali Aliut, Vehap Shitës, Ali Podrimjes e Esat Mekulit, të shprehura gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri për letërsinë në Kosovë, e rrjedhimisht edhe për disa shkrimtarë e studiues të kësaj fushe. Profesor Ali Aliu, është studiuesi që flet me tone pezhorative në lidhje me figurën e Rexhep Qosjes. “Njerëzit nga Kosova dhe sidomos inteligjenca”, thoshte Ali Aliu, “kanë nevojë të vijnë në Shqipëri për të pastruar mushkëritë, se i kanë shumë të fëlliqura. Ja Rexhep Qosja nuk është pastruar mirë ndërsa Ali Podrimja ka nevojë të jetojë gjatë këtu dhe t’i pastrohen mirë!”, shkruan në mes tjerash në këtë informacion sekret. Përgatitësi i informacionit shënon edhe më tepër fjalë nga studiuesi Ali Aliu, i cili thoshte se Ali Podrimja “nuk është i pastër dhe nuk i duhen marrë në konsideratë fjalët e tij. Punon bashkë me Rexhep Qosjen për të shkatërruar edhe atë çka është e mirë në letërsinë e Kosovës”, shkruan përveç tjerash në këtë informacion.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Fusnotat janë hequr nga Redaksia.