Shtojca për Kulturë

Monedha të Probusit me origjinë ilire të gjetura në Kosovë

Bustet  e perandorëve romakë me origjine ilire, Museo di Santa Giulia, Brescia, Itali

Bustet e perandorëve romakë me origjine ilire, Museo di Santa Giulia, Brescia, Itali

Marcus Aurelius Probus ishte një ndër perandorët romakë më të suksesshëm me origjinë ilire, monedhat e të cilit janë gjetur në lokalitete të ndryshme anembanë Kosovës. Ato paraqesin dokumente të rëndësishme për studimin e historisë, ekonomisë dhe të një varg çështjesh të tjera të Dardanisë dhe në këtë kontekst edhe të Perandorisë Romake, pjesë e të cilës ishte Dardania pas pushtimit romak dhe për rolin e kontributin e ilirëve në kuadër të kësaj perandorie

Qysh nga shekujt e parë të erës sonë, Iliriku kishte qenë rajoni kryesor për rekrutimin e forcave të reja për ushtri romake, posaçërisht për njësitet e stacionuara në provincat danubiane.

Pos ushtarëve, trojet ilire kanë dhënë edhe një numër të konsiderueshëm perandorësh, të cilët kanë udhëhequr me sukses Perandorinë Romake, posaçërisht gjatë krizave të cilat e kishin kapluar Perandorinë në shekullin III të erës sonë, gjatë së cilës kohë ata kishin arritur t’i përfundojnë luftërat civile, të zgjidhin krizat e cekura, ta stabilizojnë gjendjen politike, ekonomike e ushtarake në Perandori dhe kishin vazhduar drejtimin e saj deri në gjysmën e dytë të shekullit VI të erës sonë.

Gjatë kësaj kohe, në Danub dhe rreth tij ishin vendosur 12 legjione me nga 6000 ushtarë si dhe disa mijë ushtarë të njësiteve përcjellëse ndihmëse, dhe për shkak të këtij koncentrimi të madh të legjioneve ushtria kishte fituar fuqi e ndikim tejet të madh saqë kishte mundësi t’i vendosë dhe t’i përmbysë ose edhe t’i vrasë perandorët sipas dëshirës së gjeneralëve.

Në mesin e perandorëve romakë dallohen perandorët vijues me origjinë ilire të cilët kanë lënë gjurmë të thella dhe kanë ndërruar kahet e historisë së Perandorisë Romake e në këtë kontekst edhe të asaj botërore: Trajanus Decius (249 - 251, perandor me origjinë ilire por i zgjedhur nga shtresa senatoriale), Hostilianus (251), Claudius II Gothicus (268 - 270) me të cilin faktikisht fillon periudha e forcimit të perandorëve me origjinë ilire, Quintillus (270), Aurelianus (270 - 278) i njohur si Restitutor Orbis -Rindërtues i Botës, Probus (276 - 282, i cili i përfundoi luftërat civile), Diocletianus (284 -305, reformues i Perandorisë dhe themelues i Tetrarkisë)), Maximianus Herculius (286 - 305), Constantinus I (Kostandini i Madh, 306-337, i cili e legalizoi krishterimin dhe e themeloi Kostandinopojën), Constantius II (337 - 361), Jovianus (363 - 364), Valentinianus I (364 - 375) dhe Valens (364 - 378) dy vëllezër nga Cibalae (Vinkovci në Kroaci) të cilët i sunduan njëkohësisht dy pjesët e ndara të Perandorisë, Gratianus (375 - 383), Valentinianus II (375 - 392), Marcianus (450 - 457), Anastasius I (491 -518, i lindur në Dyrrachium-Durrës, me të cilin fillon epoka e monedhave bizantine), Justinus I (518 - 527),  Justinianus I (527 - 565, i quajtur edhe Justiniani i Madh) i njohur për reforma juridike dhe “Corpus Juris Civilis” si dhe për rindërtimin e Dardanisë pas tërmetit të vitit 528 të erës sonë, dhe nipi dhe trashëgimtari i tij Justinus II (565 - 578).

Këta perandorë ilirë, të njohur në histori me nofkën “Illyriciani”, vinin nga shtresat e ulëta të popullatës ilire, të cilët përmes karrierës në ushtri romake arrinin poste të ndryshme ushtarake e administrative deri te posti i perandorit të Perandorisë më të famshme në histori. Të gjithë këta kishin qenë të lindur në Sirmium (Mitrovicë e Sremit, Serbi), Cibalae (Vinkovci, Kroaci), në Naissus (Nish), Scupi (Shkup, Maqedoni e Veriut), Dyrrachium (Durrës, Shqipëri)  dhe në disa vendbanime të tjera të Ilirikut.

Kush ishin “Illyriciani”?

Perandorët me origjinë ilire “Illyriciani” (të njohur në literaturën profesionale edhe si “Illyrian Blooded Roman Emperors”) ishin një grup perandorësh romakë nga trevat e Ilirisë (lat. Illyricum) në Ballkanin Perëndimor, të cilët kanë sunduar gjatë krizave ushtarake, politike e ekonomike të cilat e dridhnin Perandorinë gjatë shekullit III të erës sonë. Këta perandorë origjinën e kishin nga shtresat e ulëta të popullsisë ilire dhe ishin ngritur në shoqëri duke shërbyer në ushtri romake në fillim si ushtarë të thjeshtë, duke përparuar pastaj përmes gradave të nënoficerëve e oficerëve. Karriera ushtarake u mundësonte arritjen e  posteve të ndryshme të nderit, të atyre udhëheqëse ushtarake dhe administrative e madje edhe  postin e perandorit të shtetit romak.

Gjatë shekullit III të erës sonë gjeneralët me origjinë ilire kishin krijuar një kastë të fuqishme në kuadër të ushtrisë së Perandorisë Romake e cila diktonte politikën shtetërore duke vendosur e duke shkarkuar perandorët. Ata njiheshin edhe si “perandorë të kazermave”.

Rrethanat shoqërore të ngritjes dhe fuqizimit të perandorëve romakë me origjinë ilire

Përparimin shoqëror të këtyre provincialëve e kishte lehtësuar një ndryshim i madh dhe i rëndësishëm në politikën perandorake nga koha e perandorit Gallienus (253-268) e tutje, kur postet e larta nuk plotësoheshin më ekskluzivisht nga radhët e senatorëve ushtarakë me origjinë romake por iu hapen dyert ushtarakëve me origjinë ilire, gjë të cilën ata e kishin shfrytëzuar me sukses.

Perandori Probus (Imperator Caesar Marcus Aurelius Probus Augustus, 276-282) ishte njëri nga perandorët e shquar e të suksesshëm. Ishte i lindur në Sirmium të Panonisë. Ka sunduar prej qershorit të vitit 276 deri në vrasjen e tij nga ushtarët e rebeluar gjatë përgatitjeve për luftë kundër persianëve në shtator të vitit 282 të erës sonë.

Si edhe shumë perandorë të tjerë, edhe Probus kishte kaluar rrugën e mundimshme përmes  karrierës ushtarake duke filluar nga ushtari i thjeshtë. Gjatë kohës relativisht të shkurtër sa ishte në krye të Perandorisë romake, Probus kishte arritur ta sigurojë përparimin e mbarë Perandorisë dhe t’i mbrojë me sukses kufijtë e jashtëm të Perandorisë nga sulmet barbare.

Medaljoni reprezentativ i perandorit Probus nga Ulpiana

Nga periudha e sundimit të tij në territorin e Kosovës janë gjetur disa monedha në mesin e të cilave dallohet medaljoni i rrallë i tij reprezentativ i gjetur në Ulpianë i cili ishte pjesë e koleksionit numizmatik të Muzeut të Kosovës prej nga është i plaçkitur në vitin 1998. Medaljoni është i punuar prej bronzi, me madhësi 43 mm, me trashësi 5 mm dhe me peshë 42,15 gr. dhe është shumë mirë i ruajtur.

Fjala medaljon rrjedh nga gjuha frënge (medaille, medaillon) dhe nënkupton vepër artistike në trajtë pllake të rrumbullakët ose ovale me paraqitje figurale (zakonisht bust-portret) në reliev. Medaljonet za­ko­nisht punoheshin për nder të ndonjë personi të caktuar, por përdoreshin edhe si dekorata që u jepeshin ushtarakëve ose civilëve të merituar.

 Medaljoni i perandorit Probus i gjetur në Ulpianë

Përkundër faktit që ky medaljon nuk ka vlerë nominale as valutore dhe është emetuar në numër të kufizuar ekzemplarësh, ai hyn në kategori numizmatike.

Në avers të medaljonit  janë dy portrete: e perandorit Probus dhe e hyjit Jupiter me kurora dafine në kokë, të kthyera majtas. Perandori është i paraqitur i veshur me armaturë ushtarake dhe me skeptër në dorën e majtë. Rreth portreteve është mbishkrimi: IOM CONSERVATORI PROBI AVGUSTI-Iovi Optimo Maxi­mo Conservatori Probi Augusti.

Në anën e reversit është paraqitja e perandorit Probus të veshur me veshje ush­tarake mbi kalë, e pas tij është hyjnesha e fitores Victoria (Viktoria) me krahë të hapur me degë palme në dorë të majtë dhe me kurorë dafine në dorë të djathtë me të cilën e kurorëzon perandorin. Para perandorit janë të vendosura armët e rrëmbyera nga armiku i mposhtur dhe një luftëtar got i zënë rob, i ulur me duar të lidhura.

Rreth figurave janë dy pjesë të mbishkrimit: VIRTVS AVG, Virtus Augusti-virtyti i perandorit, dhe TRIVMFVM GOTTHICVM, Triumfum Gotthicum-triumfi për fitoren mbi gotët.

Medaljoni përmban skenat e deifikimit (hyjnizimit) të perandorit Prob dhe të triumfit të tij ushtarak mbi gotët të vitit 278 të erës sonë, është i punuar në reliev të lartë, ndërsa është i prerë në punëtorinë monedhë­pre­rëse në Siscia në Panoni (Sisaku i sotëm në Kroaci), e cila ka gëzuar trajtim të veçantë nga ana e perandorit me rastin e fitores së perandorit Probus kundër gotëve në Panoni në vitin 278.

Monedhat e tjera të gjetura në Kosovë

Pos këtij medaljoni, në territorin e Kosovës së sotme janë gjetur edhe disa monedha të tjera prej argjendi e bronzi të periudhës së sundimit të perandorit Probus.

-         Monedha e llojit antoninianus prej argjendi i kohës së sundimit të perandorit Probus me madhësi 19 mm.          

Antoninianus prej argjendi i  gjetur në Ferizaj 

Në avers është portreti i majtë i perandorit me përkrenare në formë rrezesh në kokë dhe me mburojë e heshtë në duar dhe rreth tij mbishkrimi: IMP C M AVR PROBVS PF AVG (Imperator Caesar Marcus Aurelius Probus Pius Felix Augustus - Perandori Caesar Marcus Aurelius Probus, i devotshëm dhe fatlum).

Në revers, në anën e majtë, është  figura e hyjneshës Concordia (Konkordia) duke ia dhënë dorën perandorit, i cili qëndron në anën e djathtë me shtizë në dorë. Rreth kësaj skene është mbishkrimi: CONCORDIA MILITVM (harmonia me ushtri).

Në ekserg (segment) është shenja: XXIꞍ e cila tregon që monedha është prerë në punëtorinë monedhëprerëse në Siscia (Sisaku në Kroaci) mes viteve 276 – 282 të erës sonë. Është gjetur në rajon të Ferizajt.  

-         Antoninianus prej legurës së bronzit dhe argjendit i kohës së sundimit të perandorit Probus me madhësi 23 mm dhe me peshë prej 3,49 gr.

Në avers është portreti i majtë i perandorit me përkrenare në kokë dhe rreth tij mbishkrimi: IMP C M AVR PROBVS PF AVG (Imperator Caesar Marcus Aurelius Probus Pius Felix- Perandori Caesar Marcus Aurelius Probus, i devotshëm dhe fatlum).

Në revers është perandori mbi kalë i kthyer në të majtë e para tij gjendet robi i luftës i ulur me duar të lidhura pas shpine. Rreth kësaj skene është mbishkrimi: VIRTVS PROBI AVG (Virtus Probi Augusti-guximi, trimëria e perandorit Probus).

Në ekserg (segment) është shenja: XXI e cila tregon përbërjen e materialit prej të cilit është prerë monedha, respektivisht raportin 20:1 bronz dhe argjend, ndërsa shenja MC (Moneta Cyzicus) shënon punëtorinë monedhëprerëse  Cyzicus (në Mysia, sot Kapudag në Turqi).

Antoninianus prej legurës së bronzit dhe argjendit

Monedha është prerë në Cyzicus, Mysia (sot Kapudag në Turqi) mes viteve 276-282. Nuk ka të dhëna për vendzbulimin e monedhës.

-         Antoninianus prej legurës bakri e argjendi i kohës së sundimit të perandorit Probus me madhësi 4,93 mm dhe me peshë prej 21,8 gr.

Në avers është portreti i djathtë i perandorit me kurorë në formë rrezesh në kokë, i veshur me armaturë ushtarake, e rreth tij është mbishkrimi: IMP PROBVS PF AVG (Imperator Probus Pius Felix - Perandori Probus, i devotshëm dhe fatlum)

Në revers është hyjnesha Securitas (Sekuritas), e kthyer në anën e majtë me këmbë të kryqëzuara duke u mbështetur me dorë të majtë në një shtyllë, ndërsa dorën e djathtë e ka të ngritur në lartësi të kokës. Rreth saj është mbishkrimi: SECVRIT PERP (Securitas Perpetua – siguri e përhershme).

Në ekserg është shenja: Γ XXI e cila tregon përbërjen e materialit prej të cilit është prerë monedha, respektivisht raportin 20:1 bronz dhe argjend.

Antoninianus prej legurës së bakrit e argjendit

Monedha është prerë mes viteve 277-282 në Ticinum (Pavia, Itali).

Nuk ka të dhëna për vendzbulimin e monedhës.

-         Antoninianus prej bronzi të mbështjellë me argjend i perandorit Probus (277-282) me madhësi 22,5 mm dhe me peshë prej 2,2 gr.

Në avers është portreti i majtë i perandorit, të veshur me veshje ushtarake, me përkrenare në formë rrezesh në kokë dhe rreth tij mbishkrimi: IMP C M AVR PROBVS AVG (Imperator Caesar Marcus Aurelius Probus Pius Felix-Perandori Caesar Marcus Aurelius Probus, i devotshëm dhe fatlum).

Në revers është hyji Sol gjysmëlakuriq në qerre të luftës të cilën e tërheqin  katër kuaj (quadriga), i kthyer në anën e djathtë duke mbajtur në dorë të majtë një gjethe. Rreth kësaj skene është mbishkrimi: SOLI INVICTO (Soli Invicto-Diellit të Pamposhtur).

Antoninianus prej bronzi i mbështjellë me argjend - Copy

Monedha është prerë  në Siscia (Sisaku, Kroaci) mes viteve 276-282.

Vendzbulimi: Ulpiana, Municipium Dardanorum, Vendenis (pa specifikim të saktë të vendzbulimit).

Monedhat në fjalë prej argjendi, bronzi dhe prej legurave së bronzit, bakrit e argjendit janë prerë gjatë periudhës mes viteve 276 dhe 282 të erës sonë në punëtoritë e ndryshme monedhëprerëse provinciale: Siscia (Sisaku i sotëm në Kroaci), Ticinum (Pavia, Itali) dhe  Cyzicus, Mysia (Kapudag, Turqi),  ndërsa janë gjetur në lokalitete të ndryshme të Kosovës: në Ulpianë, Ferizaj dhe në disa lokalitete të tjera lidhur me të cilat nuk janë ruajtur të dhënat, bashkë me monedhat e tjera të kohës së sundimit të perandorit Probus, të cilat gjenden nëpër koleksione private, paraqesin dokumente të rëndësishme për studimin e historisë, ekonomisë dhe të një varg çështjesh të tjera të Dardanisë dhe në këtë kontekst edhe të Perandorisë Romake, pjesë e të cilës ishte Dardania pas pushtimit romak dhe për rolin e kontributin e ilirëve në kuadër të kësaj perandorie.