Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Mitizimi i “heronjve” të Kosovës në Perandorinë Osmane

(Në foto detaj nga Kisha e Shën Premtes në Prizren. Foto: Driton Paçarada)

Krishterimi ishte në rritje midis serbëve gjatë kohës së Stefan Lazareviqit, dhe mitologjia e tij shtypte gjithnjë e më shumë mitet e lashta sllave (Në foto detaj nga Kisha e Shën Premtes në Prizren)

Foto: Driton Paçarada

Duket sikur mitizimi “i heronjve” të Kosovës në Perandorinë Osmane nuk mund të ketë ndodhur as më vonë se në shekullin XVII, për sa kohë që fiset patriarkale-heroike serbe jetonin në marrëdhënie relativisht të mira me turqit. Ka më shumë të ngjarë që vetë legjenda për Milloshin, të cilën Kuripeçiq e shkroi në vitin 1530, të ketë qenë e fshehur midis serbëve në Turqi gjatë shekujve XVI dhe XVII. Ne kemi parë tashmë se gjatë shekujve XVI dhe XVII, vrasja e sulltan Muratit nga Milloshi nuk përmendet në asnjë pjesë të literaturës serbo-sllave. Ndërsa në pjesët perëndimore të vendit tonë, situata ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo në lindje, në Perandorinë Osmane

Kur studiohet Legjenda e Kosovës në veprën e Konstantin Mihailoviqit “Kujtimet e Jeniçerit ose Kronika Turke” e vitit 1497 përveç kompleksitetit të marrëdhënies midis traditës popullore dhe burimeve të shkruara, veçanërisht duhet të merret në konsideratë se në disa kronika turke, së bashku me përshkrimin e vrasjes së Muratit, përmendet emri i vrasësit: Milosh Kobila.

Ndërsa vepra e Konstantinit u shkrua në polonisht, në një mjedis të huaj, polak, dhe për këtë arsye nuk përfshihet në burimet serbe rreth Betejës së Kosovës. Konstantini jetoi dhe shkroi në gjysmën e dytë të shekullit XV, pra në kohën kur tashmë mund të ekzistonin poezi kalorësiake serbe rreth Betejës së Kosovës, që do të thotë se ai mund të ishte ndikuar nga tradita serbe e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kujdesi i domosdoshëm rreth hulumtimit të traditës popullore të Kosovës

Është e mundur që Konstantini (Mihailoviqi) të ketë transmetuar gjegjësisht transferuar emrin e Milosh Kobila-s nga tradita turke e Kosovës dhe të cilin, siç dihet, ai nuk ka mundur ta zbulonte apo të mësonte për të nga burimet e shkruara serbe. Është karakteristikë e këtij autori që në përputhje me simpatitë e tij për centralizmin turk, ai nuk do ta lavdërojë aspak vrasësin e sulltanit – Miloshin. Ai do ta përmendë atë vetëm si vrasës, dhe në vend të kalorësit besnik ndaj zotit të tij, do të prezantojë një figurë tjetër legjendare: vojvodën e Toplicës – Krajmirin.

Për shkak të gjithë kësaj, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm kur e hulumtojmë traditën popullore të Kosovës te ky autor interesant, por unik dhe origjinal. Nuk duhet harruar se në kronikë, ai, para së gjithash, jep qëndrimin e tij ndaj ngjarjeve.

Prandaj me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë mund të themi në fund të këtij shqyrtimi të burimeve të hershme rreth Betejës së Kosovës në gjuhën serbo-sllave, turke, persiane, greke, italiane dhe polake? Edhe pse një numër relativisht i madh shkrimesh për Betejën e Kosovës nga shekulli XV janë ruajtur, shtigjet prej tyre deri te legjenda janë mjaft të ndërlikuara. Çështja rëndohet nga fakti se teksti origjinal i një poeme të vetme të Kosovës nga shekulli XV nuk është ruajtur. Bile ne as nuk e kemi të ruajtur traditën popullore të Kosovës apo të regjistruar dhe autentike para vitit 1530. Sipas gjurmëve që na i ka bërë të njohura Svetozar Matiq, poezitë e Kosovës të krijuara menjëherë pas betejës ishin kalorësiake, të ngjashme dhe në frymë me poezitë serbo-sllave dhe poezitë e mëvonshme epike që në fakt janë krejtësisht të ndryshme nga poezitë popullore të Kosovës në koleksionet e Vukut. Mund të vërtetohet me siguri vetëm se, krahas kultit kishtar të princit Lazar, shkrimet e famshme të Kosovës u krijuan menjëherë pas betejës. Kryesisht një martir i krishterë, si një figurë kulti, Lazari do të fitojë edhe disa tipare mitike në to. Duke vdekur në fushën e betejës, ai, ashtu si heronjtë mitikë në epikat heroike të lashta që ngrihet në përjetësi. Për dallim nga Lazari, si një figurë historike rreth të cilit krijohet një kult martiri heroik, historia nuk di asgjë për Millosh Obiliqin, bile vepra e tij heroike as që përmendet në burimet e hershme serbo-sllave që i referohen Betejës së Kosovës. Nëse nuk gabohemi, shtigjet drejt personalitetit legjendar të Milloshit, skicat e të cilit do të shfaqen në traditën popullore serbe vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XV, çojnë vetëm përmes burimeve të shkruara turke dhe traditave rreth Betejës së Kosovës.

Rrugëtimi drejt Perëndimit dhe kthimi prapa

Çfarë ndodhi me këngët kalorësiake të Kosovës, gjurmë të të cilave mund të gjenden në tekstet serbo-sllave? A ekzistonin këngë të tjera popullore përkrah tyre pas rënies së tokave serbe nën sundimin turk dhe si ishin ato: të krishtera apo pagane, të ngjashme me legjendat “hyjnore” të përmendura nga Ilarion Ruvaraci?

Këngë mitike të një lloji pagan ekzistonin midis serbëve edhe gjatë periudhës së Nemanjidëve. Ato këndoheshin midis popullit, larg oborreve dhe rretheve kalorësiake. Se këto këngë, edhe kur flisnin për ngjarje bashkëkohore, ishin politeiste në frymë, është e qartë edhe nga fakti se kisha, e cila përhapte mitologjinë e krishterë midis popullit, e persekutonte këngën popullore. Autorëve të ditur të kohës gjithashtu nuk u interesonin këngët e zakonshme popullore, të cilat ndoshta ishin në formën dhjetërrokëshe.

Mendimi se poezitë dhjetëvargëshe të Kosovës të një lloji mitik-pagan ekzistonin edhe menjëherë pas betejave nuk duket në mjaftueshmëri bindës. Krishterimi ishte në rritje midis serbëve gjatë kohës së Stefan Lazareviqit, dhe mitologjia e tij shtypte gjithnjë e më shumë mitet e lashta sllave. Fuqia e Krishterimit mund të shihet nga fakti se poezitë popullore kalorësiake, në vend të zëvendësimeve të zakonshme historike ose pseudo-historike e marrin drejtpërdrejt princin Lazar si një hero mitik nga mitologjia shpirtërore e krishterë. A ishte ky rasti identik edhe në gjysmën e dytë të shekullit XV, kur figura legjendare e Millosh Obiliqit do të shfaqej në kronika? Cili ishte fati i poemës heroike të Kosovës nën turqit, në shekujt XVI dhe XVII? A ishte poema vetëm një poemë kalorësiake, historiko-legjendare, apo, ndoshta, edhe dhjetëvargëshe, pagane-mitike, në të cilën ndodhi simbioza krijuese e “tregimeve hyjnore” të Ruvarcit dhe “faktit historik”? Të gjitha këto janë pyetje për të cilat, bazuar në legjendën e ruajtur të Kosovës në veprat e autorit slloven Benedikt Kuripeçiq (“Udhëtim nëpër Bosnjë, Serbi, Bullgari dhe Rumeli”, 1530) dhe historianit të Dubrovnikut, Mavro Orbin (“Mbretëria e Sllavëve”, 1601), mund të jepen vetëm përgjigje të pjesshme.

Interesi për harmonizimin e traditës serbe me Perandorinë Osmane

Tashmë dihet se nën Perandorinë Osmane, Kisha Ortodokse gradualisht humbi fuqinë e saj të mëparshme ekonomike dhe politike, dhe, sipas të gjitha gjasave, besimi i vjetër, i cili ishte persekutuar dhe jetonte fshehurazi midis njerëzve edhe nën Nemanjidët u kthye sërish midis serbëve. Me të drejtë mund të supozojmë se gjatë kohës së defeudalizimit të përgjithshëm shpirtëror, masat më të gjera, patriarkale-fisnore gjithashtu u çliruan gradualisht nga ndikimi i drejtpërdrejtë i kishës, dhe kështu ngjau aderimi i tyre më i ngushtë ndaj besimit të vjetër. Kjo ndodhi sidomos në ato rajone relativisht të pavarura që gëzonin lirinë e zgjedhjes fetare nën turqit. Në fakt, autoritetet e Perandorisë Osmane ishin tolerante vetëm ndaj feve monoteiste por jo edhe ndaj politeizmit, i cili në një farë mase ngadalësoi procesin e kthimit në besimin e vjetër, ose, më saktë, e mbajti atë formalisht brenda kornizave të krishtera.

Rrethanat në shekujt XVI dhe XVII ishin të tilla saqë këngët popullore heroike gjithashtu iu nënshtruan një mitizimi të dukshëm më të madh dhe ky mitizim u zgjerua edhe mbi figurat historike sesa më parë, gjatë ngritjes së Krishterimit, kur kisha, me ndihmën e feudalëve laikë, dinte të zbatonte masa drakoniane për gjithçka që nuk mbështeste pikëpamjet e saj.

Meqenëse rajone të caktuara nën turqit kishin autonomi të plotë shpirtërore, mund të supozohet se ato ishin djepi i poezisë heroike popullore të re, të defeudalizuar dhe të paganizuar, në të cilën në fakt në një masë të madhe ndodhi një simbiozë e vërtetë e motiveve mitike historike dhe para-kristiane. Është pothuajse e sigurt se kënga heroike e Kosovës nuk u përkund në këtë djep. E gjitha në emër të luftës kundër turqve, ajo nuk kishte mundësi, për arsye mjaft të kuptueshme, të mbijetonte për një kohë të gjatë në një mjedis që e pranonte status quo-në në Perandorinë Osmane. Jo vetëm sepse autoritetet relativisht tolerante turke do të kishin hezituar ta toleronin një poezi të tillë, por, mbi të gjitha, sepse poezitë me një tendencë të theksuar anti-turke nuk shkonin sipas orientimit të atëhershëm politik të popullit serb.

Serbët, si kisha ashtu edhe martolosët – ushtarët e sulltanit të besimit ortodoks, ishin më të interesuar për këngët popullore që harmonizonin traditën serbe me rrethanat e reja në Perandorinë Osmane. Për shkak të gjithë kësaj, poezitë e Kosovës që do të festonin vrasjen e Muratit nga Milloshi mund të ishin shfaqur vetëm gjatë periudhës së rezistencës ndaj turqve, me shumë mundësi gjatë gjysmës së dytë të shekullit XV. Është logjike që, nëse ato ekzistonin, pas qetësimit relativ të situatës në Serbi, gjatë shekullit XVI, së bashku me atë pjesë të popullit serb që u tërhoq nga turqit, dhe emigroi në perëndim, në tokat katolike pra bashkë me të migruarit atje u bartën edhe këto këngë.

Duket sikur mitizimi “i heronjve” të Kosovës në Perandorinë Osmane nuk mund të ketë ndodhur as më vonë se në shekullin XVII, për sa kohë që fiset patriarkale-heroike serbe jetonin në marrëdhënie relativisht të mira me turqit. Ka më shumë të ngjarë që vetë legjenda për Milloshin, të cilën Kuripeçiq e shkroi në vitin 1530, të ketë qenë e fshehur midis serbëve në Turqi gjatë shekujve XVI dhe XVII. Ne kemi parë tashmë se gjatë shekujve XVI dhe XVII, vrasja e sulltan Muratit nga Milloshi nuk përmendet në asnjë pjesë të literaturës serbo-sllave. Ndërsa në pjesët perëndimore të vendit tonë, situata ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo në lindje, në Perandorinë Osmane. Në zonën kufitare, në territorin që i përkiste Republikës Veneciane, luftëtarët që ishin në konflikt të vazhdueshëm me turqit do të vazhdonin të kultivonin frymën kalorësiake të krishterë. Fryma e kalorësisë serbe padyshim do të ndikohej nga Kisha Katolike, e fuqishme në zgjerimin e saj deri në atë masë sa, pavarësisht rezistencës së ashpër nga pala serbe, ajo do të asimilonte gjatë shekujve jo vetëm besimtarët e vjetër boshnjakë, por edhe një pjesë të popullsisë ortodokse, e cila kishte ikur në Perëndim nën pushtimin turk.

Miodrag Popoviq (1920 - 2005) ka qenë historian i letërsisë serbe dhe autor i shumë studimeve. Librin “Vidovdani dhe Kryqi i Ndershëm: një përmbledhje e arkeologjisë letrare” (Видовдан и часни крст: оглед из књижевне археологије) ai e publikoi në vitin 1976 në Beograd. Siç shihet edhe nga titulli, libri ka për temë lindjen, zhvillimin dhe pasojat e “Mitit të Kosovës”. Duke e pasur parasysh se ky mit bashkë me komponentët e tjerë përcjellës, në fakt u shndërrua në “Tapi serbe të Kosovës” dhe një tapi e tillë u perceptua ashtu edhe nga një pjesë e opinionit ndërkombëtar, pas leximit të librit mund të thuhet me të drejtë se autori Miodrag Popoviq ia ka dalë me sukses që ta shpërfytyrojë “tapinë serbe mbi Kosovën”. Ky shkrim është pjesa e dytë e fragmenteve nga libri. Titulli dhe nëntiujt janë të Skënder Latifit

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë