Shtojca për Kulturë

“Messiah” lidh kohët si trashëgimi e kujtim për maestro Bahri Çelën

“Messiah” lidh kohët si trashëgimi e kujtim për maestro Bahri Çelën

Në listën e ngjarjeve që sivjet shënojnë çerekshekullin e Filharmonisë së Kosovës, dy koncerte, të premten dhe të shtunën, i janë dedikuar profesorit të ndjerë, Bahri Çela. Simbolikat janë të shumëfishta. Salla e Kuqe, ku janë mbajtur të dy koncertet, i kishte bërë vend edhe atij të dy dekadave më parë (Foto: Arben Llapashtica)

Në të njëjtin vend ku dy dekada më parë maestro Bahri Çela do të sillte atë që për shumëkënd ishte e pamundur, Filharmonia e Kosovës e ka interpretuar të plotë oratoriumin “Messiah” të Handelit. Ka lidhur të kaluarën me të tashmen për ta dëshmuar trashëgiminë e tij e për ta kujtuar si dirigjentin e parë e themeluesin e institucionit më të lartë muzikor në vend. Nën dirigjimin e Marcio da Silvas, vepra ka kulmuar në magjinë e saj për dy net rresht

Ka qenë viti 2005 kur profesori Bahri Çela, dirigjenti i parë në Kosovë, do të angazhonte studentët për t’i dhënë zë e melodi oratoriumit “Messiah” të Handelit në version të reduktuar. Koncerti qe mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Dy dekada pas, me muzikantë në mesin e të cilëve edhe disa që janë produkt i përgatitjes profesionale të profesorit Çela, me kushte krejtësisht të pandryshuara, në të njëjtën sallë, u soll e plotë një prej kryeveprave të literaturës së muzikës klasike.

Në listën e ngjarjeve që sivjet shënojnë çerekshekullin e Filharmonisë së Kosovës, dy koncerte, të premten dhe të shtunën, i janë dedikuar profesorit të ndjerë, Bahri Çela. Simbolikat janë të shumëfishta. Salla e Kuqe, ku janë mbajtur të dy koncertet, i kishte bërë vend edhe atij të dy dekadave më parë, një dëshmi për gjendjen e infrastrukturës kulturore.

Përzgjedhja e veprës dhe dedikimi janë tjetër veçanti. Ajo që zakonisht interpretohet në fundvit, Filharmonia përjashtoi kufizimin kohor. Vargjet e tingujt janë thurur për të nderuar një prej themeluesve të institucionit më të lartë muzikor në vend.

Sikur në koncertin që e pati përgatitur profesori Çela, edhe në atë të së premtes mbrëma, zor se u akomodua publiku i pranishëm. Salla qe plot përkundër se “skena” e saj u tkurr maksimalisht. Orkestra qe më e vogël si formacion për dallim nga koncertet e zakonshme. Kështu kërkon vepra vokalo-instrumentale e Handelit. Kori në anën tjetër ka pasur krejt kapacitetet e veta në dispozicion.

Nën drejtimin e maestro Marcio da Silvas, me solistë sopranon Kaltrina Miftari, kontra-altin Nathan Mercieca, tenorin Kieran White dhe baritonin Jack Lawrence-Jones, në Prishtinë është sjellë fryma e veprës botërore për të parën herë në formë të plotë.

Nën drejtimin e maestro Marcio da Silvas, me solistë sopranon Kaltrina Miftari, kontra-altin Nathan Mercieca, tenorin Kieran White dhe baritonin Jack Lawrence-Jones, në Prishtinë është sjellë fryma e “Messiah” të Handelit për të parën herë në formë të plotë (Foto: Arben Llapashtica)

Introja e veprës i përket Orkestrës me lojë sa të ndjeshme, aq dinamike. I pari që hap narrativën është tenori britanik Kieran White. Pos rrëfimit të pastër, loja me vokal e bën unike partiturën e cila që nga fillimi e deri në fund bëhet identitet i “Messiah”.

White ka thënë se vepra e periudhës së barokut, kryesisht interpretohet në kohën e Krishtlindjeve. Ka thënë se në vendin e tij është shumë e pranishme në skenën e muzikës klasike.

“Në Angli interpretohet shumë, mund të jetë oratoriumi më i interpretuar në Mbretërinë e Bashkuar. Mendoj se sikur ‘Pasionet’ e Bachut në Gjemani apo në ndonjë vend tjetër të Evropës, ne rezonojmë më shumë me ‘Messiah’”, ka thënë ai.

Me veprën ka lidhje të veçantë. E ka interpretuar qysh fëmijë dhe ajo ka qenë prej veprave me të cilën ka zhvilluar shkathtësi dhe ka ndërtuar karrierë.

“E kam interpretuar qëkur kam qenë nëntë vjeç si korist në katedralet e Anglisë, një herë në vit. Kur zëri im u zhvillua, kam performuar si tenor qysh në moshën 16-vjeçare e deri më tani kur jam 35-vjeçar. Mbase e kam interpretuar njëqind herë. Memorizimi i tekstit vjen duke e interpretuar shpesh, por edhe nga rëndësia që mesazhi të përcillet te publiku dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke mos e pasur shikimin në partitura, por duke projektuar tek audienca rrëfimin e asaj çfarë je duke kënduar”, ka thënë tenori White, i vlerësuar nga kritika si model i qartësisë dhe elegancës.

Ai filloi studimet e tij muzikore si korist në “Sherborne Abbey” dhe më vonë u bashkua me Korin e njohur të Katedrales së Wellsit, duke bërë një paraqitje solo në “BBC Songs of Praise” dhe duke u shfaqur në transmetime të shumta radiofonike, regjistrime CD-sh dhe kolona zanore filmash. Në vitin 2021, u vlerësua me vendin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Këndimit Barok “Froville”, në vitin 2022 mori çmimin e parë në konkursin e këndimit “Aria Borealis Bodø” dhe ishte finalist në konkursin ndërkombëtar të këndimit barok “Cesti”.

Orkestra ka rol përcjellës pasi kryesisht vokali është në qendër. Midis harkorëve dhe një numri të vogël të frymorëve ku janë veç trumbeta, oboa e fagoti, sikurse në një pikë solo edhe flauti, llauti është ndarëse e këtyre dyjave dhe tingulli i saj është shumë i dallueshëm.

Zvicerani Cédric Meyer, që luan në këtë instrument, ka thënë se tingulli i tij i sjell butësi veprës.

“Instrumenti në të cilin kam luajtur është të shoqëroj këndimin, sikurse edhe çembalo. Jemi për të mbështetur më së shumti këngëtarët, gjithashtu edhe instrumentet, duke ofruar ritëm dhe harmoni. Është instrument i butë, i ëmbël, i sjell butësi tonit të orkestrës”, ka thënë ai duke folur edhe për bashkëpunimin me muzikantët në Kosovë.

Sikur në koncertin që e pati përgatitur maestro Bahri Çela, edhe në atë të së premtes mbrëma, zor se u akomodua publiku i pranishëm. Salla qe plot përkundër se “skena” e saj u tkurr maksimalisht. Orkestra qe më e vogël si formacion për dallim nga koncertet e zakonshme (Foto: Arben Llapashtica)

“Ishte moment shumë i veçantë për mua dhe për solistët tjerë për të ardhur deri këtu për të takuar këta instrumentistë të shkëlqyer me energji pozitive me qëllim që të bëjmë bashkë copëzat e kësaj kryevepre shumë të famshme, të interpretuar shumë shpesh në Mbretërinë e Bashkuar. Të interpretohet këtu është përvojë e këndshme”, ka thënë Meyer, muzikant i pasionuar që luan llaut dhe kitarë.

Duke performuar si solist e me ansamble të ndryshme, ai është ftuar nga festivale dhe seri koncertesh të shumta në Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Itali, Bullgari dhe Brazil. Cédric është i përkushtuar për instrumentet punëdore. Ai punon me dirigjentin Marcio da Silva për të përgatitur botime të reja të operave baroke për publikim në internet.

Pos tij, si soliste Orkestrës i janë bashkuar edhe Stephanie Gurga në çembalo dhe Lekë Salihu në organo e tastierë. Ndërsa Zana Abazi me flaut ka qenë në shoqërim të sopranos Miftari në një këngë. Vepra kulmon me “Hallelujah” dhe shpërthen me duartrokitjet e publikut.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka qenë student i profesorit Bahri Çela të cilit i është dedikuar koncerti. Ai ka thënë se “Messiah” e Handel është vepra që secilën herë ia kujton nismën e tij për ta shfaqur në Prishtinë.

“Dirigjenti Bahri Çela pati marrë iniciativën për ta sjellë në Prishtinë në një version pak më të reduktuar, por qe bërë punë e jashtëzakonshme për ta sjellë atë kohë një prej oratoriumeve më madhështore që ka literatura muzikore botërore. Në këtë përvjetor të rëndësishëm të Filharmonisë, në këto koncerte të cilat janë pika nëpër të cilat do të kalojmë në ditë feste, kur e kemi menduar ta nderojmë figurën e Bahri Çelës, që është themeluesi i Filharmonisë së Kosovës, dirigjenti i parë kosovar, ta risjellim këtë vepër sepse kështu e mbaj mend”, ka thënë Selimaj.

Dirigjenti, pedagogu, producenti muzikor dhe një ndër themeluesit e Filharmonisë së Kosovës vdiq më 30 shtator të 2018-s në Londër, në moshën 77-vjeçare.

Çela ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Prej vitit 1978 është zgjedhur ligjërues në Fakultetin e Arteve-Dega e Muzikës për lëndët Dirigjim dhe Orkestër.

Selimaj ka kujtuar madhështinë e koncertit që solli ai dy dekada më parë.  

“Mbase ai ka qenë koncerti i parafundit i profesorit Çela. Ka ndodhur pikërisht në këtë sallë. Ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme, sidomos për atë kohë, por mendoj se edhe sot është e vështirë të tejkalohet serioziteti, puna, përkushtimi me të cilin ai ka punuar dhe ka tentuar ta lërë atë trashëgimi te gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Selimaj.

Ka bërë të ditur se ulëse të veçanta janë rezervuar për studentët e muzikës pasi interpretimet e veprave si kjo janë të rralla.

“Publiku do duhej ta përjetonte në mënyrë të veçantë pasi vepra si kjo vijnë rrallë në programin e në sezonet e Filharmonisë dhe gjithë skenën e muzikës në Kosovë”, është shprehur ai.

“Messiah” e kompozuar në vitin 1741 nga George Frideric Handel ka libretin në gjuhën angleze, shkruar nga anglezi Charles Jennens. Sipas të dhënave, u interpretua për herë të parë në Dublin më 13 prill 1742 dhe pati premierën në Londër një vit më vonë. Oratoriumi fitoi popullaritet, duke u bërë padyshim një nga veprat korale më të njohura dhe më të interpretuara në muzikën perëndimore.

Filharmonia e Kosovës e mban koncertin e radhës në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, e dy ditë më pas ngjitet në skenën e Filharmonisë së Sofjes në Bullgari, për të parën herë në historinë e saj.