Me përurime e ka nisur ditën kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj. Ai të hënën ia preu shiritin terrenit sportiv në shkollën “Luciano Mortoni”.
E Arian Tahiri që kandidon për kryetar të Mitrovicës së Jugut, e që aktualisht është nënkryetar, ia vendosi gurthemelin stacionit të ri të autobusëve në qytet. Tha se ky është një hap drejt planit për transformimin e infrastrukturës së qytetit. Theksoi se me ndërtimin e stacionit do të përmirësohet qasja edhe për personat me aftësi të kufizuara, e do të përmirësohen kushtet në përgjithësi edhe për udhëtarët edhe për operatorët e transportit.
E kandidati për kryetar të Podujevës, Isak Shabani të hënën ka bërë homazhe në Kaçandoll. Tha se kjo betejë është simbol i guximit dhe vendosmërisë së luftëtarëve që zgjodhën lirinë përballë robërisë. Ajo ngjarje e shtatorit 1998 është ndër faqet më të ndritura të historisë, tha Shabani.
E kandidatja për kryetare të Pejës, Arta Vokshi Nallbani premtoi fillimin e zbatimit të mësimit gjithëditor në shkollat fillore, nëse e merr besimin e qytetarëve. Në Rahovec, Edon Cana kritikoi kryetarin aktual të komunës.
“Do t’i japim përparësi zgjerimit të shkollave ekzistuese, duke bërë kështu akomodimin e mësimit gjithëditor me kushte më të mira, zona kreative, pajisje digjitale e laboratorë duke ofruar kështu mundësi të barabarta për gjithsecilin prej nxënësve, përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara duke bashkëpunuar ngushtë me logopedë, psikologë dhe mësues shtesë”, ka thënë Arta Vokshi-Nallbani, kandidate për kryetare të Pejës.
“Ky kryetar po thotë: jam punëtor, jam punëtor, jam punëtor. Në rregull bre burrë, punëtorë jemi. A nuk është atribut themelor me qenë punëtor? Për çfarëdo pune njeriu duhet me qenë punëtor. Në komunën tonë, ne të gjithë po e shohim, s’ke ku të dalësh me fëmijët, nuk ka koncept të familjes, nuk ka koncept të një ambienti të shëndosh për të jetuar. Gjithmonë na thonë punëtorë e vend i bukur, por kurrkush s’po na viziton”, ka thënë Edon Cana – kandidat për kryetar të Rahovecit.