Luftarake

Mundësi i Shqipërisë mposhtet në finale të Botërorit

Chermen Valiev

Mundësin që përfaqëson Shqipërinë, Chermen Valiev, është mposhtur në finale të Kampionatit Botëror.

Të hënën mbrëma, Valievi, që ka prejardhje nga Rusia, kërkoi të artën në kategorinë deri 74 kilogramë, në stil të lirë. Por pësoi 8:2 nga mundësi i Japonisë, Kota Takahashi. Kështu Valievit, që ishte bartës i parë, i takoi medalja e argjendtë botërore.

26-vjeçari nga Osetia Veriore, për Shqipërinë ka fituar medalje të bronztë olimpike dhe medalje të artë evropiane. Tani i siguroi Shqpërisë edhe medalje të argjendtë botërore.

Valievi finalen e siguroi të dielën. I shënoi katër fitore bindëse.

Federata Shqiptare e Mundjes ka shkruar se Valievi në finale u paraqit i lënduar.

“Në përballjen finale, Chermen Valiev tregoi shpirtin e një kampioni të vërtetë. Pavarësisht një dëmtimi të rëndë në ligament, ai zgjodhi të mos dorëzohej dhe vazhdoi garën me guxim e forcë të jashtëzakonshme. Dhimbja dhe pamundësia fizike nuk e lanë të triumfonte ashtu siç e meritonte, por nuk e ndaluan dot të siguronte një medalje të argjendtë të madhe për Shqipërinë. Shërim të shpejtë kampion, je shembulli i sakrificës, forcës dhe krenarisë sonë”, ka shkruar Federata Shqiptare e Mundjes.

Botërori po mbahet në Zagreb.