Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kujt i ha për broçkullat fashiste të studentëve serbë ndaj Kosovës

Kujt i ha për broçkullat fashiste të studentëve serbë ndaj Kosovës

Kosova vërtet u ka shërbyer për ta fituar e mirëmbajtur pushtetin shumë teveqelëve politikë në Serbi, por si u bëka që mund t’u shërbejë edhe studentëve që janë duke luftuar korrupsionin dhe keqqeverisjen?

Studentët serbë me qëndrimet e tyre në raport me Kosovën i kanë devalvuar edhe kërkesat e tyre legjitime dhe janë zhvendosur në një terren fashizmi, që ka qenë edhe strehë e serbomëdhenjve si Garashanini, Çubrilloviqi e plot të tjerë si ata. Përse do të duhej që për një përpjekje politike, legjitime, për përmbysjen e një pushteti të korruptuar atje, të hyjë në kalkulim Kosova?

Kur në Kosovë njerëzit i dëgjojnë a i lexojnë afër njëra-tjetrës fjalët “memorandum” dhe “Serbi”, gjëja e parë që u bie ndërmend janë memorandumet e Ilija Garashaninit, të Vasa Çubrilloviqit apo ai i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU). Këto memorandume, në raport me Kosovën dhe shqiptarët, kanë promovuar, inkurajuar dhe legjitimuar politikat hegjemoniste serbomëdha. E krejt befasishëm, këtyre ditëve, edhe studentët serbë që janë duke protestuar (studentët në bllokadë), publikuan një memorandum (i ashtuquajturi Memorandum për Kosovën dhe Metohinë), që është në frymën dhe mendësinë e memorandumeve të mëparshme serbe për Kosovën e rreth Kosovës. 

Në përgjithësi, në Kosovë mirëpritet çdo kritikë dhe çdo forcë politike që i kundërvihet autokratit Vuçiq dhe qasjes luftënxitëse që ai dhe të tillët si ai promovojnë atje. Prandaj edhe kur në Serbi nisën protestat e studentëve kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, në Kosovë u përcollën me interes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithëse, intelektualët e politikanët vendorë ishin të matur në shprehjen e solidaritetit me protestuesit, duke qenë të vetëdijshëm që kjo mund t’i shërbente Vuçiqit si armë kundër protestuesve. 

Por ndërkohë, kur nga ato protesta studentore nisën të shihen e dëgjohen parulla antishqiptare e luftënxitëse, si ajo “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, njerëzit këtu ishin të befasuar. Kur pyesja për këtë gjë miqtë serbë që i mbështesnin studentët, përgjigjja ishte që protestat ishin rritur dhe se ishte e vështirë të kontrolloheshin grupet radikale e nacionaliste, e të cilat, sipas tyre, edhe mund të ishin të infiltruara nga pushteti. Por kishte edhe nga ata që më thoshin: “paj, ata duhet të pozicionohen (tani për tani) kundër pavarësisë së Kosovës, përndryshe do ta humbnin mbështetjen”. Studentët po përdorin, më thoshin ata, çdo lloj karte për ta rritur mbështetjen, deri në realizimin e qëllimit, që është përmbysja e pushtetit të Vuçiqit. 

Një Serbi demokratike është në interes të krejt rajonit. Por a ka gjasa të shohim një Serbi demokratike shumë shpejt? Pozicionimi i këtillë i studentëve serbë në raport me Kosovën, përmes këtij memorandumi, edhe nëse kjo bëhet për konsum të brendshëm e popullizëm, lë shije të keqe. Në të vërtetë, dëshmon se sëmurja e obsesioni me Kosovën janë kronike dhe se Kosova vazhdon të ngelet boshti i çdo beteje të brendshme politike atje. Studentët serbë me qëndrimet e tyre në raport me Kosovën i kanë devalvuar edhe kërkesat e tyre legjitime, dhe janë zhvendosur në një terren fashizmi, që ka qenë edhe strehë e serbomëdhenjve si Garashanini, Çubrilloviqi e plot të tjerë si ata. Përse do të duhej që për një përpjekje politike, legjitime, për përmbysjen e një pushteti të korruptuar atje të hyjë në kalkulim Kosova? Hamleti, për aktorin që i jep si shumë zjarr vajtimit për Hekubën thotë: “Ç’ka Hekuba me të, ç’e ka ky Hekubën, që po ma qanë?” Prandaj, vërtet, çka ka Kosova me studentët serbë, ç’e kanë ata Kosovën, që po ma qajnë e vajtojnë vend e pa vend? Kosova vërtet u ka shërbyer për ta fituar e mirëmbajtur pushtetin shumë teveqelëve politikë në Serbi, por si u bëka që mund t’u shërbejë edhe studentëve që janë duke luftuar korrupsionin dhe keqqeverisjen? Mënyra e vetme që Kosova mund t’u shërbejë atyre është duke u inspiruar nga përpjekja këmbëngulëse e shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga zgjedha e regjimit të Millosheviqit dhe për ta fituar lirinë e pavarësinë. 

Kur një mik ma përcolli informatën e shkurtër për memorandumin e studentëve serbë, gjëja e parë që i shkrova ishte: “Po kujt po i ha ka*i se çka mendojnë studentët serbë të mbledhur në Kragujevc”. Dhe vërtet, në fund të fundit, kujt në Kosovë sot i han ka*i se çfarë broçkullash fashiste publikojnë studentët serbë në Kragujevc dhe kudo tjetër.