Gazetari gjerman, Erich Rathfelder, nuk paraqet vetëm një rrëfim gazetaresk, por ofron një analizë të ndërlidhur të zhvillimeve politike, ushtarake dhe diplomatike që çuan Kosovën drejt çlirimit dhe më pas drejt pavarësisë. Ai ndihmon lexuesin të kuptojë se historia e Kosovës nuk është thjesht histori lokale, por pjesë e ndërgjegjes politike dhe morale evropiane, në të cilën janë përplasur vlerat e drejtësisë, përgjegjësisë dhe ndërhyrjes ndërkombëtare në mbrojtje të popujve të rrezikuar. Libri “Kosova – Historia e një konflikti” i shkruar nga një dëshmitar i drejtpërdrejtë i zhvillimeve politike dhe ushtarake që nga fundi i viteve ’80 e deri te shpallja e pavarësisë më 2008, përbën një rrëfim të balancuar, të dokumentuar dhe të thellë mbi shkaqet, dinamikën dhe pasojat e konfliktit kosovar në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë
“Hakmarrje ndaj turqve” para suspendimit të autonomisë së Kosovës
Politika hegjemoniste e Beogradit në vitet e ‘80-a betohej për “hakmarrje“ ndaj “turqve“ para suspendimit të autonomisë së Kosovës, kur filloi një histeri antishqiptare për dëbimin e shqiptarëve dhe serbizimin e saj me kolonë serbë.
“Ekstremistët serbë, si Bogdan Kecman kërkonin nga Millosheviqi vendosjen e 600.000 serbëve të Kosovës. Qeveria federative e Jugosllavisë bëri madje premtimin të financojë 2000 banesa dhe 500 shtëpi për ‘kolonistët serbë’ dhe kështu e hodhi poshtë politikën e Titos“.
Askush në atë kohë nuk mund ta paramendonte se çfarë pasojash do të kishte lëvizja nacionaliste e Serbisë për popujt fqinjë në vitet nëntëdhjeta dhe që në ish-hapësirën e Jugosllavisë do të ndodhnin krime dhe spastrim i paparë etnik që nga Holokausti në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë kuadër, gazetari gjerman, Erich Rathfelder, në librin e tij “Kosova. Historia e një konflikti”, analizon edhe lëvizjen e nacionalistëve serbë në Kosovë që drejtohej nga Kosta Bullatoviqi, ish-punëtori i shërbimit sekret, i cili ishte vënë në zbatimin të strategjisë së Beogradit për rrënimin e autonomisë së Kosovës në emër të viktimizimit të serbëve lokalë. Strategjia e Beogradit, ngjashëm si tani që vepron politika e Beogradit, ishte komunikimi i drejtpërdrejtë i serbëve të Kosovës me Beogradin, që nënkuptonte dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Beogradit. Në këtë kuadër, vihet në pah se prapa ngjarjeve të njohura nacionaliste të Fushë-Kosovës qëndronte Dobrica Qosiqi i cili qysh me 1985 kishte vizituar serbët lokalë për t’i mobilizuar ata të zhvillojnë demonstrata në Beograd. Sipas autorit, qëllimi i Qosiqit ishte që në mesin e serbëve të krijohej një atmosferë antishqiptare.
Strategjia viktimizuese dhe hapat për “Serbinë e Madhe”
Duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i zhvillimeve në Kosovë, Erich Rathfelder i sheh si një strategji viktimizuese pohimet e mitingashëve serbë se “shqiptarët po kryejnë gjenocid ndaj serbëve të Kosovës”, “po përdhosin varret dhe vendet historike serbe” dhe “po kërcënojnë serbët, duke i detyruar të largohen nga Kosova”. Këto pretendime, sipas autorit, përbëjnë një fushatë të mirorganizuar propagandistike, të cilën ai e rrëzon përmes të dhënave dhe raporteve zyrtare të vetë federatës jugosllave. Këto burime konfirmojnë se pretendimet për dhunë sistematike ndaj serbëve dhe për përdhunime masive ndaj grave serbe në Kosovë nuk qëndrojnë. Përkundrazi, sipas statistikave zyrtare, në Kosovë kishte më pak raste përdhunimesh sesa në pjesë të tjera të Jugosllavisë, dhe rastet e raportuara nuk ishin të motivuara etnikisht.
Në fakt, sipas Rathfelderit, midis viteve 1971 dhe 1981, ishin rreth 250.000 shqiptarë që e kishin lëshuar Kosovën, ndërsa mbi 100.000 kishin emigruar drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë për të punuar si gastarbeiterë. Megjithatë, në vend që të shqetësoheshin për këtë largim masiv të shqiptarëve, nacionalistët serbë e përdorën situatën për të kërkuar suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe për të rivendosur dominimin absolut serb – një hap drejt realizimit të projektit të Serbisë së Madhe.
Në këtë projekt, fatkeqësisht, u përfshi edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila, sipas autorit, luajti një rol aktiv në nxitjen e ndjenjës së viktimizimit kolektiv serb dhe në përhapjen e narrativave për “hakmarrje” ndaj shqiptarëve për humbjen historike nga Perandoria Osmane. Sipas Rathfelderit, vijat imagjinare të Serbisë së Madhe përputhen saktësisht me territoret ku ekzistojnë struktura kishtare serbe – madje edhe në ato zona ku serbët janë minoritet. Ai citon: “Konturat e Serbisë së Madhe përputhen me ato të organizimit kishtar. Nëse Jugosllavia shkatërrohet, serbët do të përpiqen që të gjithë serbët të bashkohen në një shtet të përbashkët nën patronazhin e një kishe të përbashkët – ky ishte mesazhi që vinte atëbotë nga Beogradi.”
Rathfelder gjithashtu analizon akuzën serbe se shqiptarët kishin dëbuar serbët pas Luftës së Dytë Botërore, duke sqaruar se shqiptarët, njësoj si në Luftën e Parë Botërore, ishin rreshtuar kundër regjimit serb. Kur Hitleri dhe Musolini pushtuan Jugosllavinë më 1941, shqiptarët e panë këtë si një çlirim të përkohshëm nga shtypja dhe deportimi drejt Turqisë. Gjatë kësaj periudhe u hapën shkolla shqipe dhe shqiptarët fituan disa të drejta themelore. Rathfelder nënvizon se, pavarësisht pretendimeve serbe, prania shqiptare në Kosovë ishte absolute, si pasojë e zhvillimeve demografike, migrimit nga zonat rurale dhe varfërisë së thellë të rajonit. Sipas tij, në vitin 1987, rreth 80 për qind e popullsisë së Kosovës ishin shqiptarë dhe vetëm 14 për qind serbë e malazezë. Autori përshkruan shtypjen sistematike të shqiptarëve që nga viti 1912, ndërtimin e një regjimi të ngjashëm me aparteidin në Kosovë dhe rritjen e gatishmërisë për të përmbysur këtë regjim me forcë.
Kërkesa e Rugovës për ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare
Kushtetuta e vitit 1974, e njohur dhe e mbështetur nga Tito, u garantonte shqiptarëve një autonomi të gjerë. Por pas vdekjes së Titos më 1980, ushtria dhe policia filluan çmontimin gradual të kësaj autonomie. Kushtetuta e re e vitit 1989 ua mohoi shqiptarëve të drejtën për vetëvendosje, duke e kthyer Kosovën në një instrument mobilizues për nacionalizmin serb. Kjo situatë kulmoi me fjalimin famëkeq të Sllobodan Millosheviqit më 28 qershor 1989 në Gazimestan.
Shpallja e pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë më 1991 shënoi fundin e Jugosllavisë socialiste. Rathfelder citon shqetësimin e Rugovës për ndonjë përplasje të ardhshme: “Nëse vjen më e keqja, Serbia nuk do të ngurrojë të na godasë. Do të ketë shumë viktima. Ne jemi të paarmatosur. Atëherë do të duhej të ndërhyjë Perëndimi”. Rugova, që atëherë, kërkonte ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare, por gjithashtu shpresonte në një integrim afatgjatë të Kosovës në Bashkësinë Evropiane. Megjithatë, siç vëren Rathfelder, “Rugova dukej si një ëndërrimtar, sepse nuk kishte asnjë shenjë se BE-ja dhe SHBA-ja do të reagonin ndryshe nga diplomacia pasive në përkeqësimin dramatik të situatës në Jugosllavi.”
Pas shpërthimit të luftërave në Slloveni, Kroaci e Bosnjë, Kosova mbeti për një kohë relativisht e qetë. Por Rathfelder thekson se Rugova ishte i vetëdijshëm që Bashkësia Evropiane ende e konsideronte Kosovën si “çështje të brendshme” të Jugosllavisë – qasje që e favorizonte Millosheviqin. Ai ndjek rrugët e migrimit të të rinjve shqiptarë drejt Evropës Perëndimore, të cilët, përballë represionit dhe dëbimeve nga shkollat e institucionet, u larguan nga Kosova. Ndërhyrja ndërkombëtare në Bosnjë dhe Marrëveshja e Dejtonit më 1995, sipas autorit, ndikuan drejtpërdrejt në përshkallëzimin e konfliktit në Kosovë. Për shumë shqiptarë, Dejtoni përfaqësonte një moment zhgënjimi të thellë: Serbia, ndonëse humbi ushtarakisht, ia doli të institucionalizonte rezultatet e spastrimit etnik, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk parandaloi masakrat.
“Në Dejton, spastrimet etnike u shpërblyen – shqiptarët mbetën të zhgënjyer”, shkruan Rathfelder. Kritika e tij ndaj diplomacisë evropiane thellohet kur analizon vendimin e BE-së për të njohur Jugosllavinë e mbetur nën Millosheviqin në fillim të vitit 1996. Ky veprim, sipas tij, ishte një koncesion i dhimbshëm: “Me këtë, Evropa pranoi politikën e Beogradit në Kosovë dhe ia dorëzoi formalisht shqiptarët Sllobodan Millosheviqit. Ishte momenti kur ‘ylli i Rugovës’ filloi të zbehej.”
Shfaqja e UÇK-së dhe shenja e nisjes së rezistencës së armatosur
Një kthesë vendimtare në Kosovë, sipas autorit, ishte përpjekja e Beogradit për të vendosur në Kosovë serbët e dëbuar nga Krajina. Kjo zgjoi kujtimet e hidhura të kolonizimeve të mëparshme dhe rriti frikën për ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike. Pikërisht atëherë filluan edhe aksionet e para të armatosura të shqiptarëve, që i tronditën autoritetet serbe. Rathfelder e ndërlidh forcimin e UÇK-së me kolapsin e skemave piramidale në Shqipëri dhe ardhjen në pushtet të socialistëve, të cilët vendosën kontakte me UÇK-në. Kjo organizatë u shfaq publikisht në nëntor të vitit 1997 në Llaushë të Drenicës – një moment që autori e quan “senzacional” dhe shenjë e nisjes së rezistencës së armatosur.
Ai thekson se luftëtarët e UÇK-së filluan të mbanin uniforma për të përmbushur kushtet e njohjes si palë ndërluftuese sipas Konventës së Gjenevës. Rathfelder kritikon narrativat perëndimore që shpesh ishin të ndikuara nga propaganda serbe dhe thekson se UÇK-ja ishte një forcë çlirimtare, me të cilën ai kërkoi kontakte të drejtpërdrejta qysh në dimrin e vitit 1997. Përballë LDK-së së Rugovës, UÇK-ja u shfaq si një alternativë që mori në dorë mbrojtjen e popullsisë shqiptare me mjete të armatosura. “Gjatë një bisede në shkurt 1998, Rugova reagoi me nervozizëm kur u pyet se kush ishte në të vërtetë UÇK-ja. Ai mërmëriti diçka për provokatorë serbë, por kjo nuk na bindi”, shkruan Rathfelder. Së bashku me gazetarë nga “Sunday Times”, “Le Soir” dhe media të tjera, ai planifikoi një udhëtim në Drenicë për të takuar UÇK-në, në kohën kur policia serbe tërhiqej gjatë natës në kazermat e veta. Megjithatë, ai pranon se në atë kohë UÇK-ja ende nuk ishte e përgatitur për të bashkëpunuar me shtypin dhe se zëdhënësit e saj vazhdonin të sillen në mënyrë amatoreske edhe më vonë.
Masat represive të pranverës së vitit 1998
Erich Rathfelder përshkruan përshkallëzimin e konfliktit mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave të sigurisë të dominuara nga serbët, si dhe fazat e spastrimit etnik, vrasjeve dhe dëbimeve masive në fundvitet ’90. Por, siç thekson ai, masat represive të pranverës 1998 – përfshirë masakrat mbi familjet Ahmeti në Qirez dhe Jashari në Prekaz – nuk arritën ta izolonin UÇK-në, siç kishin shpresuar autoritetet serbe. Përkundrazi, këto ngjarje çuan në rritjen e mbështetjes popullore për të.
“Mjaftonin thashethemet se këtu apo aty ishin shfaqur njerëz me uniformë të UÇK-së për të krijuar një atmosferë gëzimi. ‘Më nuk jemi të pambrojtur’; ishte mesazhi që dilte nga vetë ekzistenca e luftëtarëve të armatosur të rezistencës”, shkruan Rathfelder.
Ai përmend gjithashtu zgjedhjet e marsit 1998, kur mbështetësit brohorisnin “UÇK – Rugova”, gjë që dëshmonte se shumica e shqiptarëve nuk e kuptonin apo nuk e pranonin ndarjen politike ndërmjet LDK-së dhe rezistencës së armatosur – ata dëshironin unitet. Sipas Rathfelderit, Rugova nuk ia kishte dalë të përfshinte UÇK-në në një politikë të përbashkët gjithëkombëtare. Ndërkohë që rezistenca e armatosur rritej me shpejtësi, shteti serb intensifikoi fushatën për dëbimin e civilëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre. “Pamjet e kolonave të gjata të mijëra njerëzve të lodhur, që arratiseshin përmes Alpeve shqiptare drejt Shqipërisë ose përmes qafës afër Rozhajës drejt Malit të Zi, tronditën opinionin publik ndërkombëtar dhe shkaktuan frikë se këta refugjatë mund të përfundonin në Gjermani, Zvicër e Austri”, shkruan autori.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë