Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kopil – djalë i zgjuar e i zoti, Drenica si vendlindje e Milloshit

“Kulti i Millosh Kopiliqit është shumë i fuqishëm te shqiptarët dhe ata e konsiderojnë atë si heroin e tyre kombëtar...”

“Kulti i Millosh Kopiliqit është shumë i fuqishëm te shqiptarët dhe ata e konsiderojnë atë si heroin e tyre kombëtar...”

Emri Kopil, siç shihet menjëherë, nuk është me origjinë vendase (sllave); është një nga ato fjalë me origjinë të papërcaktuar që më së miri quhen ballkanike. Ajo që mund të pohojmë për Millosh Kopiliqin, përveç emrit të thjeshtë dhe veprës së tij heroike që qëndron mbi çdo dyshim, kufizohet në sa vijon: Ai ishte një njeri nga populli, sidoqoftë një bujar i vogël tokash, vasal i Vukut nga Drenica, sipas origjinës së tij ishte dinarik, domethënë i lindur nga simbioza shqiptaro-serbo, pra një ballkanas i serbizuar. Prejardhja shqiptaro-serbe e Milloshit dëshmohet jo vetëm nga emri dhe mbiemri i tij, nga vendlindja e tij e mundshme, nga dhuna dinarike e karakterit të tij, por edhe nga fakti që vë në dritë veçanërisht kënga shqiptare e Kosovës

Një emër personi Kobill nuk është i dëshmuar në krisobulat e shqyrtuara, e as gjetiu nuk vërtetohet prania e tij as te serbët, as te popujt që bashkëjetojnë me serbët në Dukagjin. Përkundrazi, pikërisht aty shfaqet emri i personit Kopil, i cili është shënuar edhe në krisobulën e Banjskës dhe në dy krisobulat e Deçanit: në të parën (SKAk. Spom. IV, f. 8) në vendbanimin blegtoral Ursullovac: Kopili me fëmijët; në krisobulat e Deçanit: Radko Bojanoviqi dhe vëllai i tij Kopili nga fshati i madh Çabiq afër Rahovecit. Me mbiemrin Kopilloviq përmendet në vitin 1417 në Konavli Pribisava Kopilloviqi, pa titull fisnikërie apo tituj të tjerë.

Emri Kopil nuk ka origjinë sllave

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Emri Kopil, siç shihet menjëherë, nuk është me origjinë vendase (sllave); është një nga ato fjalë me origjinë të papërcaktuar që më së miri quhen ballkanike, siç bën edhe Bernekeri, ndërsa Miklosichi pohon se fjala është me origjinë shqiptare, dhe G. Meyeri e lë origjinën në errësirë. Si theksi, ashtu edhe kuptimet që përkojnë me ato shqipe, dëshmojnë për një huazim nga shqipja, siç vërteton edhe Skoku. Nga gjuhët e veçanta ballkanike fjala pastaj ka depërtuar edhe në disa gjuhë evropiane sllave. Në gjuhën e aromunëve (vllahëve) ballkanikë, kopil do të thotë – djalë, djalosh; në shqip, serbisht (skr.) dhe gjuhët e tjera fjala ka përveç kësaj edhe kuptimin e një fjale fyese: bastard, djalë jashtë martese.

Por, siç shënon Elezoviqi në “Fjalor” (shih kopilj, kopilje) dhe siç më është konfirmuar gojarisht edhe për serbët dhe shqiptarët në Drenicë dhe rrethinë, atje fjala përdoret edhe pa këtë ngjyrim fyes, madje në një kuptim të caktuar lavdërues, përkatësisht me kuptimin: dhelparak, i shkathët, një djalë i zgjuar dhe i zoti. Këtë kuptim të fundit në serbisht, krahas fjalës kopile, e ka kudo fjala kopilan, me të cilën persona në dyluftim në këngët popullore i drejtohen njëri-tjetrit, me tallje dhe respekt njëkohësisht. Në një kuptim të ngjashëm, në këngën popullore (Motra e Lekë Kapetanit), Milloshi i sjellshëm dhe i matur e quan kopilica Rosandën gojëshkathtë, dhe po ashtu këngëtari i këngës së Vukut, “Zmija” (gjarpri) përdor sinonimin kurviq në kuptim lavdërues për Prizrenin. Por më së qarti kuptimi i fjalës kopile në kuptimin e një djaloshi të shkathët, hero, del nga kënga e Sarajlijes nr. 190. Zheravica Vido, i cili pi verë në Kosovë së bashku me Millosh Vojinovin, kapet papritur nga turqit pavarësisht qëndresës së ashpër. Kur e dërgojnë para vezirit, ai nuk frikësohet, por sillet si hero (Kur e dërgojnë te veziri i tij, aty Vido është edhe më kopil). Kur veziri dëshiron ta ekzekutojë, ai dëshmon se është hero edhe më i madh (Vërtet donte ta vriste, por Vido është edhe më kopil); sepse kur veziri ia plotëson lutjen dhe ia liron dorën e djathtë nga prangat para ekzekutimit, ai sulet mbi vezirin, ia rrëmben thikën, e godet për vdekje dhe ikën.

Ky kuptim miratues, të cilin mund ta marrin edhe fjalë të tjera fyese, buron për fjalën kopilan nga bindja e rrënjosur përgjithësisht edhe te ne, se këta “bastardë” shquhen për inteligjencë më të madhe, prani shpirtërore dhe dhelpëri, domethënë me cilësi që në luftën e pamëshirshme për jetën duhet të vlerësohen si pozitive. Por, edhe duke lënë mënjanë këtë kuptim jo-përçmues, emri i personit Kopil, edhe nëse përdoret me kuptimin e një fjale fyese, nuk duhet të na bëjë përshtypje, pasi dihet mirë që fëmijëve shpesh u vihen emra fyes për t’i mbrojtur nga syri i keq, nga mallkimet dhe në përgjithësi nga fatkeqësitë; për shembull: Grdan, Grdosh, Mrgud, Mrksha, Povrzhen (i dështuar), në Mal të Zi edhe Turcin (turk), krahas emrave më të zakonshëm me të njëjtin qëllim si Ugljesha, Vuk (ujk), madje edhe Lisica (dhelpër).

Ndryshimi i mbiemrit dhe legjenda për nënën e heroit

Ndryshimi i mbiemrit, sipas asaj që u tha deri më tani, ka ndodhur si vijon: Krahas formës bazë Kopiliq, e cila është ruajtur deri më sot në rajonin e Dukagjinit në emra fshatrash dhe në mbiemrin e vetë heroit, meqenëse fjala bazë kopil nuk ka kuptim përçmues dhe më herët shfaqet edhe si emër personi, u krijua menjëherë përmes etimologjisë popullore forma Kobiliq. Bashkë me të u krijua edhe legjenda për nënën e heroit, e cila ishte jashtëzakonisht e fortë si një pelë (kobila), mbase edhe nën ndikimin e formës turke, në të cilën, për shkak të vlerës së dyfishtë zanore të shkronjës, që në raportet e para të kronistëve turq të shekullit XV, depërtoi shkronja b në vend të p. Të dyja format janë përzier edhe në rajonin e origjinës dhe, diku nga mesi i shekullit XVIII, bashkë me një legjendë të re që shpjegon emrin, u zëvendësuan me formën e re dhe më të përshtatshme Obiliq.

Të dhëna interesante për këtë ofron ajo epope e Kosovës nga mesi i shekullit XVIII: “Jeta e knez Llazarit dhe e vojvodës Millosh Kobiliqit dhe e zotërinjve të tjerë serbë, që ishin në Kosovë” (Starine X, 186–200). Aty, përkrah formës së tretë Obiliq në tekst, vërehen edhe gjurmë të dy formave të mëparshme, madje forma e dytë vërehet edhe në titullin e dorëshkrimit më të vjetër. Kështu, Milloshi e qorton Vukun se ai e shan nënën e tij kobilla (pelë); ai do t'ia vërtetojë atij përmes veprës se nuk është Kobiliq, por Obiliq, domethënë një bir i vërtetë heroi (detiq). Por, po këtë kuptim si detiq do ta kishte mbiemri i tij Kopiliq, sipas të dhënave të përmendura tashmë nga Elezoviqi. Sigurisht që në tekstin origjinal të “Jetës” në vend të detiq... nuk duhej të qëndronte Kobiliq, por Kopiliq.

Një interpretim i ngjashëm i kuptimit ndjehet edhe në këngën e Vukut për motrën e Lekë Kapetanit nga Prizreni. Milloshi në këtë këngë, të kënduar nga Milija i Kollashinit, quhet vetëm Obiliq, por Rosa krenare e fyen duke i thënë se “një pelë (kobila) e ka sjellë në botë”, ndërsa fyerja që dikur ishte e mundur, se ai ishte “kopil pazari”, i bartet Reljës. Kjo ishte aq më lehtë e mundur, pasi kronistët raguzanë (të Dubrovnikut) të shekullit XVII, bazuar në traditën gojore, pohojnë edhe për Milloshin se ai ishte me origjinë nga Tjentishta afër Novi Pazarit.

Rajoni i Drenicës, që me gjasa është vendlindja e Millosh Kopiliq-Kopiloviqit, i përkiste ashtu si Kosova me Prishtinën, në kohën e Betejës së Kosovës, shtetit të princit Vuk Brankoviq. Në këtë betejë (1389) duhej mbrojtur pikërisht dinastia e tij. Sipas një versioni shumë të hershëm, i cili ruhet edhe në shkrimet e Kostandinit (fq. 261), zotëria i Milloshit – i cili e akuzoi atë për pabesi dhe të cilit Milloshi i dha besën për t’ia vërtetuar besnikërinë – mund të ishte vetëm Vuku. Si pjesë e shoqërimit të Vukut, pa dyshim një luftëtar i shkëlqyer dhe mbase një nga krerët e tij – pasi dyshimi nuk mund të binte mbi një ushtar të thjeshtë – Milloshi mbase i përkiste vasalëve të Vukut. Kjo do të përkonte edhe me stilizimin e kujdesshëm të Kostandinit, nga i cili nuk del qartë se ai zotëri ishte pikërisht princi Llazar, të cilin Kostandini zakonisht e përmend me emër ose e nderon me epitete të larta.

Fakti që Milloshi, si vasal i Vukuti lidhur me pronën dhe popullin si një bujar i vogël tokash, rridhte edhe vetë nga populli dhe ishte i brumosur me kuptimin popullor mbi detyrën dhe besnikërinë e luftëtarit, e njëkohësisht edhe me atë forcë primitive vendimmarrëse që nuk i zgjedh mjetet, ose anasjelltas – që ai të paktën nuk zotëronte edukimin kalorsiak të aristokracisë së lartë të asaj kohe – duket se e vërteton edhe mënyra se si ai e kryen veprën e tij heroike. E njëjta, që në shënimet më të vjetra, cilësohet si mashtrim, si nga dhjaku rus Injati, ashtu edhe nga poeti turk Ahmedi dhe autori i shkrimit të Ruvaracit, “Lëvdata për knez Llazarin”.

Dy të fundit përkojnë deri në një farë mase në përshkrimin e këtij mashtrimi: një i plagosur i fshehur midis kufomave hidhet papritur mbi Muratin dhe e godet për vdekje. A do të kishte vepruar kështu një kalorës? Sidoqoftë, jo. Ose nëse mashtrimi nuk do të mund të shmangej, atëherë të paktën do të ishte bërë ashtu siç e paraqet kronika e mëvonshme gojore (në thelb ende feudale), në përshtatje me konceptet kalorsiake: duke depërtuar gjatë betejës nga rreshtat e parë të frontit, nën dukjen e dezertimit, deri te çadra e sulltanit, duke e vrarë atë dhe duke lënë jetën aty. Në një hile të tillë, në rrethanat e vështira të betejës, mund të mbështetej edhe një kalorës, siç ndodhte shpesh mjaftueshëm te fisnikëria e asaj kohe, madje edhe te sundimtarët.

Kulti i Millosh Kopiliqit është shumë më i fuqishëm te shqiptarët

Një kalorës i tillë “pa frikë dhe pa njollë” ishte, për shembull, djalit i mbretit Marko, i cili, besnik ndaj betimit të tij si vasal, merr pjesë në krah të Bajazitit në luftën kundër të krishterëve. Si kalorës i krishterë, ai u uron fitoren atyre kundër të cilëve duhet të luftojë (i lidhur nga betimi i besnikërisë), madje edhe me çmimin e jetës së tij – dhe bie në betejë ashtu siç i ka hije një kalorësi të vërtetë. Si ai, ashtu edhe shoku i tij kalorsiak, Kostandin Dejani (sipas Kostandinit, fq. 269). Në të njëjtën dritë shfaqet Marko edhe në traditën popullore: pasi e vret Musën në pabesi (në vetëmbrojtje të skajshme), ai pranon si kalorës se Musa kishte qenë një hero më i mirë.

Një kalorës dhe hero po aq shembullor ishte edhe despoti Stefan Llazareviqi (Konstantin Kosteneçki. fq. 312). Si vasal besnik, ai lufton me Bajazitin kundër të krishterëve, e në Azi edhe kundër Tamerlanit, por – dhe kjo është e rëndësishme – pas humbjes së Bajazitit, ai nuk e shfrytëzon rrënimin e shtetit turk, por përkundrazi kujdeset për konsolidimin e tij, duke flijuar kështu interesat e shtetit të tij për idealin e kalorsisë. Një kalorës i tillë ishte edhe despoti Vuk Brankoviqi, i cili në Hungari ishte i famshëm për dhelpërinë e tij. Ai nuk i pranoi këshillat e shoqëruesve të tij, të edukuar me një frymë më pak kalorsiake, të cilët donin t’ia dorëzonin tradhtarin Jeremia, vojvodën e Gollubacit, përmes mashtrimit.

Prejardhja shqiptaro-serbe e Milloshit dhe pasardhësit në Elbasan

Ajo që mund të pohojmë për të, përveç emrit të thjeshtë dhe veprës së tij heroike që qëndron mbi çdo dyshim, kufizohet në sa vijon: Ai ishte një njeri nga populli, sidoqoftë një bujar i vogël tokash, vasal i Vukut nga Drenica; Sipas origjinës së tij ishte dinarik, d.m.th. i lindur nga simbioza shqiptaro-serbo; pra një ballkanas i serbizuar.

Prejardhja shqiptaro-serbe e Milloshit dëshmohet jo vetëm nga emri dhe mbiemri i tij, nga vendlindja e tij e mundshme, nga dhuna dinarike e karakterit të tij në lidhje me ndjeshmërinë më të lartë ndaj dyshimeve mbi besnikërinë e tij, por edhe nga fakti që vë në dritë veçanërisht kënga shqiptare e Kosovës e regjistruar nga Glisha Elezoviqi: se kulti i Millosh Kopiliqit është shumë i fuqishëm te shqiptarët dhe se ata e konsiderojnë atë si heroin e tyre kombëtar. Kjo përshtypje e fituar nga kënga konfirmohet edhe nga njoftimet e V. Çajkanoviqit, të cilin në vitin 1912, në rrethinën e Elbasanit, disa shqiptarë vendas e siguruan se ishin pasardhës të Millosh Obiliqit, dhe të cilit në një zonë afër, në Ohër, iu tregua shpata e Milloshit (Arhiv za Arbanshku Starinu I, fq. 69).

Pjesa e katërt e tekstit të botuar në gjermanisht në revistën “Revue internationale des études balkaniques” më 1934. 

LEXO EDHE: