“Ne po i harrojmë rastet sikurse ky...”, thotë zorshëm kompozitori Valton Beqiri. E “rasti” është historia e një nënë të dhunuar bashkë me vajzat e saj të mitura. Dëshmia e saj është “përkthyer” në veprën muzikore “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës”, që do ta ketë premierën botërore në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Është klithmë e dhimbjes, thirrje për të mos harruar. “Duke parë një rrëfim që nuk e kisha dëgjuar më herët dhe m’u duk jashtëzakonisht dramatik, konsiderova se është e rëndësishme ta bëjmë pjesë të një dite në të cilën festojmë por edhe kujtojmë atë që kemi kaluar”, thotë Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës që e nismoi shkrimin e kësaj vepre kur lexoi rrëfimin e të mbijetuarës
Janë dhjetëra fëmijë. Vijnë nga kopshtet e Prishtinës dhe mosha e tyre sillet rreth 4-5 vjeç. Shohin nga afër një provë të Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës. Dirigjenti Baki Jashari jep shenjë që të luhet Himni i shtetit. Më pas u sqaron se Himni do të luhet edhe në koncertin e përvjetorit të Pavarësisë kur edhe do të festohet 18-vjetori i shtetit. Më pas Orkestra dhe Kori nisin të ushtrojnë një tjetër vepër.
Fëmijët vëzhgojnë për pak kohë, por nuk ia kanë idenë se çfarë po luhet. Dhe, nuk duhet t’ia kenë. Nuk do të duhej t’ia kishte asnjë 7-vjeçare më 1999. Vepra rreth 7-minutëshe që ushtrohet, është shumështresore. Është rrëfim muzikor që bazën e ka te një tragjedi: te të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë. Nisi të zërë fill nga rrëfimi i një të mbijetuare që i janë dhunuar nga forcat serbe edhe vajzat e mitura. Njëra asokohe 10-vjeçare, e tjetra pak më e madhe sesa fëmijët vetëm 7 vjeç që janë përballë Orkestrës. Është aso vepre që gërmon kujtesën individuale e kolektive të një vendi. Thërret që të mos harrohet ajo çfarë ka ndodhur e bën thirrje që universalisht të mos përsëriten raste të tilla.
Dëshmia e një nëne si zanafillë
Në fillim, kur nis të interpretohet vepra sikur hyhet në një hapësirë të mjegullt ku të papriturat e rrezikshme janë përreth. Kori lëshon zëra që imitojnë artilerinë e Orkestra gërmon në gjendje emocionale. Bazuar në muzikën që luhet, ndjesia rritet e mjegulla që parafytyrohet, merr intensitet. Tingujt bashkë me zanoret e Korit nëpërmjet artit muzikor po rrëfejnë një tragjedi. Është kompozim i muzikës klasike që publikun do ta fusë në horizonte të vështira. Ashtu siç e ka edhe bazën prej ku ka nisur.

“Çast” titullohet muzeu i përuruar në nëntor të vitit 2024 në ambientet e fondacionit “Jahjaga” në Prishtinë që udhëhiqet nga ish-presidentja Atifete Jahjaga. Në pak metra katrorë nën kurimin e Eliza Hoxhës aty rrëfehet me shumëçka për përjetimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë. Sipas organizatave ndërkombëtare janë 20 mijë gra që kanë përjetuar një prej veprimeve më të egra njerëzore.
“Më mirë t’ishim të vdekura sesa që jemi gjallë”, shkruhet në murin e njërës prej hapësirave. Është fjalia e fundit e një nënë, e mbijetuar e dhunës seksuale bashkë me të bijën e saj, asokohe 10-vjeçare. E vajza tjetër 7-vjeçare po ashtu viktimë e kësaj dhune, vdiq pas pesë ditësh pa ngrënë asgjë.
Kur Dardan Selimaj vizitoi Muzeun, e lexoi këtë rrëfim, me lejen e Fondacionit për përdorimin e tij, nisi idenë për komisionimin e një vepre muzikore që përthekon këtë përvojë. Vendosi që koncerti solemn i Filharmonisë për përvjetorin e Pavarësisë këtë vit të mos kishte veç tone feste e rrëfime muzikore të lira të kompozitorëve vendorë e ndërkombëtarë por, edhe një shenjë e tragjedisë së luftës së fundit.

“Duke parë një rrëfim që nuk e kisha dëgjuar më herët dhe m’u duk jashtëzakonisht dramatik, konsiderova se është e rëndësishme ta bëjmë pjesë të një dite në të cilën festojmë por edhe kujtojmë atë që kemi kaluar”, thotë ai derisa ndodhet para ndërtesës së Filharomnisë që është i njëjti objekt ku ndodhet edhe muzeu “Çast”. Shpjegon se në të njëjtën kohë kur Filharmonia lëviz nëpër prezantimet e saj ndërkombëtare, shpeshherë fusin në program vepra që i përkasin literaturës së Kosovës.
“Por duke e menduar prezantimin e mëtutjeshëm dhe duke analizuar atë që e kemi prezantuar deri më tash, e kam parë që ne nuk kemi marrë me vete edhe rrëfimin e luftës së fundit në Kosovë”, thotë Selimaj ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë. Për ta “përkthyer” në muzikë tragjedinë që lexoi në mur, ai e kontaktoi kompozitorin Valton Beqiri.
“Valton Beqiri pos që është kompozitor aktiv është edhe kompozitor që e njeh nga afër Filharmoninë. Ajo që mund të prezantohet në aspektin muzikor është e rëndësishme të shkruhet nga një kompozitor që e njeh organikën e Orkestrës e të Korit. Kam konsideruar se do të ishte kompozitori ideal që t’ia besojmë këtë komisionim”, tregon Selimaj.

Zanoret e ofshamës
Në një pjesë të provave, Beqiri qëndron te perkusionet. Zanoreve të interpretuara nga Kori nganjëherë u bashkohet edhe zëri i tij. Janë klithma. Aso që pa spekulim marrin vëmendje dhe i fusin të pranishmit në horizontet e tragjedisë.
“Pranova me një hezitim shumë të madh”, thotë ai derisa ndahet pak kohë nga provat. Nuk i zihet vendi-vend.
“Për mua ka qenë vepra më e vështirë gjatë procesit të krijimit për shkak të emocioneve që më jepte vetë tema e ngjarja”, shton shpejt Beqiri. Tregon se pavarësisht që bazohet në një ngjarje individuale, vepra reflekton një gamë shumë më të gjerë të vuajtjes e dhunës së përjetuar nga shumë njerëz e jo vetëm nga një nënë që ka rrëfyer. Vepra është titulluar “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës”. “Numquam Iterum” nga latinishtja përkthehet “Kurrë më”. Beqiri gjatë kompozimit do të përballej me disa probleme nga aspekti artistik dhe ai emocional. Sa më shumë që thellohej në rrëfim dhe mundohej që atë ta paraqiste në tinguj, shkrehej në lot.
“Problemi kryesor ka qenë teksti. Unë mendoj se nuk ka fjalë, tekst a shkrim që mund t’i përshkruajë dhimbjet që i kanë përjetuar gjithë këta njerëz. Në këtë kontekst vepra nuk ka fare tekst, ka vetëm zanore, një lloj ofshame, një lloj klithme. Janë zanore që i themi në vuajtjet e dhimbjet tona”, thotë ai. Ka zgjedhur një shprehje latine si “Nunquam Iterum” (Kurrë më) në mënyrë që të kërkohet që këto ngjarje të mos kthehen kurrë më, jo vetëm në Kosovë por edhe në mbarë botën.
“Për nga aspekti muzikor vepra synon që t’i paraqesë emocionet e caktuara gjatë një periudhe më të gjatë të luftës. Këto situata kanë të bëjnë fillimisht me një gjendje të pasigurisë, një gjendje ankthi kur e gjithë Kosova nuk e dinte se çfarë po ndodh. Një gjendje të një shprese të rrejshme. Pra një prind mundohet që të kamuflojë të gjitha të zezat që mund ta presin me një shpresë të rrejshme për fëmijët”, thotë Beqiri.

Në këtë rast për analogji merr shembull filmin e Roberto Benignit “Life is beautiful” kur në kamp përqendrimi prindi mundohet të bëhet sikurse s’po ndodh asgjë shkaku i fëmijës. Beqiri thotë se është një intuitë prindërore për ta kursyer fëmijën nga tmerret.
“Pastaj një pjesë tregon të keqen e cila është e formuluar në një temë më të vrazhdë e të shtresuar në disa nivele pasi nuk ishte veç një lloj i dhunës. Sa ka qenë dhunë fizike ishte edhe dhunë emocionale, mendore duke qenë njësi të ndryshme që kanë vepruar në Kosovë”, thotë Beqiri i cili është edhe profesor universitar i muzikës.
“Ne po i harrojmë rastet sikurse ky...”
Kori i meshkujve në fillim përdoret më shumë për efekte të një makinerie ushtarake. Meshkujt kanë edhe simbolikën se edhe gjinia e tyre ka përjetuar dhunë sistematike në vitet 1998-1999.
“Kori i meshkujve në fund e merr këtë citat latin për të krijuar një thirrje për moskthim të kësaj situate. Së fundmi atmosfera apo tema e dhimbjes, pavarësisht lirisë e të mirave të pasluftës, shkon te dhimbja pasi dhimbja e atyre njerëzve nuk shuhet kurrë. Përsëri në fund mbetet një shenjë shpirtërore kaq tragjike e kaq e rëndë...”, thotë Beqiri përderisa i merret goja dhe s’mund të nxjerrë më asnjë fjalë. Shkrehet në lot. Pas pak përsërit se e ka pasur shumë të vështirë.
“Ne po i harrojmë rastet sikurse ky që prej vitit 2000 nuk ka dalë kurrë prej shtëpisë...”, thotë ai.

Pesha e veprës dhe mesazhi universal
Derisa Valton Beqiri e thotë fjalinë e fundit ka parasysh rrëfimin e nënës.
“Ne jemi të vdekura për së gjalli se s’mund të dalim lirshëm prej fjalëve, se neve na shkon mendja që na thotë dikush: ‘qe kjo e perdhunumja’. Vajza ime që është gjallë, e madhja, i duket që flet dikush për të dhe nuk del askund. Burg shtëpiak i ka dhënë vetes prej vitit 2000 e këndej”, shkruhet në rrëfim. Aty disa herë tregohet se shpesh i janë lutur zotit që të vdesin që të dyja. Ky rrëfim me sens universal vjen i gjallë edhe në vepër.
Dirigjenti Baki Jashari thotë se ka qenë shumë emocionuese për kompozitorin edhe shpjegimi që ia ka bërë në detaje se si ka buruar materiali muzikor me bazë të plotë në tematikën që trajton. Jashari që po mban provat për koncertin e Pavarësisë thotë se Beqiri ka përdorur vetëm vokale duke e shprehur në këtë mënyrë edhe më fuqishëm se me fjalë atë tragjedi që ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Krejt pak, ka përfshirë edhe elemente të poemës simfonike “Skënderbeu” të Fahri Beqirit. Qe vepra e cila u interpretua edhe në koncertin solemn të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
“Kori dhe Orkestra menjëherë e kanë kuptuar peshën e rëndë që ka vepra dhe mesazhin që përcjell. Në programin e këtij përvjetori një prej veprave që do të lërë shumë përshtypje në tërësinë e saj është ajo e Valton Beqirit”, thotë Jashari. Shteti që tash mbush 18 vjet deri më tash s’ka kërkuar vepra muzikore me tematikë të veçantë.

Dardan Selimaj përmend konkursin vjetor të Ministrisë së Kulturës për vepra muzikore ku kompozitorët janë të lirë sa i përket tematikës.
“Ndoshta tash e tutje komisionimet duhet të jenë më prezente. Literatura për historinë e re të Kosovës është e pakët. Ndoshta është koha që Filharmonia të nxitë diçka të tillë...”, thotë ai. Komisionimi i Filharmonisë kësaj radhe mban në vete elemente të emocioneve që shprehin vuajte, shpresë e dhimbje.
“Por megjithatë vepra shërben si një kujtesë për këto ngjarje. Është një dritare muzikore, artistike e këtij rrëfimi në mënyrë që këto rrëfime e situata të përjetuara në Kosovë të kenë edhe një dimension muzikor e artistik që edhe mund të lëvizë nëpër botë shumë më lehtë si dëshmi e mesazh i një periudhe të rëndë që e ka përjetuar populli i Kosovës”, thotë kompozitori Beqiri. Në bindjen e tij, vepra është një reflektim muzikor i një periudhe të dhimbshme në të cilën ka kaluar populli i Kosovës. Beson fort se është edhe obligim i krijuesve që këto ngjarje të vishen edhe në petkun artistik në mënyrë që zëri i atyre që kanë përjetuar tragjedi të dëgjohet edhe në mbarë botën. Kompozitori Beqiri tashmë ia ka vënë “pikën” veprës së tij. I ngelet Filharmonisë që dramën e “përkthyer” në nota ta bëjë të tingëllojë në mënyrë sa më përmbajtjesore. Të rrëfejë edhe për 7-vjeçaren e dhunuar e të vdekur në luftë, gjësendet e së cilës gjenden në muzeun “Çast”. Dhe të prekë pak shpresën e ëndrrat që ajo s’e pati rastin kurrë t’i mendonte, siç bëjnë të vegjlit që një ditë kanë qëlluar përballë Orkestrës pikërisht kur rrëfehej shuarja e të ardhmes së shumëkujt.