Shawn Jones është prej basketbollistëve më cilësorë në Superligën e Kosovës.
Nga cilësia dhe përvoja e madhe e Jonesit po përfiton Trepça, që po bëhet gati për finalen e Kupës së Kosovës. Finalja me Bashkimin zhvillohet të mërkurën në Rahovec.
33-vjeçari Jones po luan për herë të parë në Superligën e Kosovës, por është emër shumë i njohur për tifozët e basketbollit në vend.
Ai në vitin 2016 u pajis me pasaportë të Kosovës, kurse debutoi për Kosovën në vitin 2018. Luajti pak ndeshje për Kosovën, por la përshtypje të basketbollistit që gjithnjë është në shërbim të ekipit.
I tillë është edhe te Trepça.
"Gjatë vjetëve të fundit ka pasur shumë interes për mua nga klube të ndryshme këtu. E kam parë se si liga po rritet nga viti në vit, se si po rritet cilësia dhe kam dashur të jem pjesë e kësaj", ka thënë Jones për KOHËN.
Ai është i gjatë 203 centimetra dhe luan kryesisht afër koshit.
"Duke parë se si po shkon stinori, mund të them se ishte vendim i mirë që erdha këtu për të luajtur. Po e shijoj kohën time në Kosovë dhe në ligë", ka thënë amerikani me pasaportë të Kosovës.
Jones luan si vendor në Superligë.
Ai ka fituar trofe në Slloveni, Poloni e Izrael. Ka luajtur për skuadra të mëdha në këto vende, por edhe në Spanjë, Itali, Kroaci e Venezuelë.
Prej fillimit të edicionit është në Kosovë.
"Po e ndiej që liga po rritet. Po vijnë lojtarë me përvojë dhe ekspozimi i ligës është më i madh. Ka goxha cilësi dhe pres të bëhet gjithnjë e më mirë", ka thënë Jones.
Trepça është lidere në Superligë. Ka mbledhur trofetë në vitet e kaluara dhe synon dy trofetë edhe këtë edicion.
"Ky është synimi i ekipit dhe klubit tonë. Kemi punuar fort çdo ditë për të arritur nivele të reja dhe për të bërë të mundur fitimin e trofeve", thekson Shawn Jones.
Ai thotë se e ka shijuar kohën te përfaqësuesja e Kosovës, ndërsa është falënderues për mundësinë. Por nuk beson se do të luajë më për Kosovën.
"Po ashtu janë disa lojtarë të rinj të pozitës sime që kanë bërë punë të shkëlqyer për ekipin së fundi", thotë amerikano-kosovari.
Ai e veçon kohën e kaluar në Itali dhe Izrael, për shkak të paraqitjes me ekipet e këtyre vendeve në EuroCup dhe në Champions League.
Thotë që edhe stili i tij i lojës është përshtatur më së shumti në këto vende.
Në Superligë janë edhe dy amerikanë të tjerë me pasaportë të Kosovës: Scott Bamforth i Yllit dhe Malcolm Armstead i Bashkimit. Edhe ata kanë luajtur për Kosovën. Madje Armstead ishte edhe në ndeshjen e fundit.