Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Hamnet” dhe përqeshja e teatrit

Skenë nga filmi “Hamnet” i regjisores Chloé Zhao

Skenë nga filmi “Hamnet” i regjisores Chloé Zhao

Është bërë pothuajse e pashmangshme që në secilin film kur ka ndonjë “skenë teatrore”, të na shfaqen momente të stërkequra e banale, me dialogë që janë ose patetikë ose tërësisht pa kuptim, e me aktorët në to që çirren e luajn keq. Rrallë, tepër rrallë hasim nëpër filma skena nga teatri, të punuara me përkushtim. Më e pakta që mund të themi është se filmbërësit kryesisht kanë një botëkuptim përqeshës dhe të klishetizuar për teatrin. Rasti i filmit “Hamnet” është njëri prej tyre

Në pjesën e fundit të filmit “Hamnet”, të regjisores Chloé Zhao, është një skenë relativisht e gjatë, që zhvillohet në “Globe Theater”, ku është duke u luajtur “Hamleti”, drama e re e shkruar nga Shekspiri. Agnes (Jessie Buckley), së cilës sapo i ka vdekur djali, ka shkuar ta shohë shfaqjen. Është hera e parë që ajo hyn në një teatër dhe prandaj, krejt naivisht përfshihet në ato çfarë ndodhin në skenë, fillimisht duke reaguar me zë e pakënaqur, por pastaj, kur Hamleti (Noah Jupe) del në skenë, Agnes rrëmbehet emocionalisht e mendërisht. Përfshihet në ngjarjet e shfaqjes pak më shumë sesa ndoshta do të ishte e nevojshme, por kështu përfshihet edhe publiku tjetër përreth. Megjithëse e tërë skena duket e sforcuar dhe jobindëse, ajo është mjaft impresive dhe përçon emocione.

Është vështirë të imagjinohet se si ka komunikuar një shfaqje me një publik të para qindra vjetësh, por gjithsesi, mënyra se si këtë na e paraqet “Hamneti”, ai komunikim duket i stisur, deri në idealizim. Skena në “Globe Theater” ngjason në një ritual religjioz, në të cilin audienca ia dorëzon (aktorëve) mendjen dhe shpirtin. Dorën në zemër, shumë krijues teatrorë besojnë që kjo është mënyra se si publiku i përjeton shfaqjet e tyre, e shumë të tjerë ëndërrojnë një diçka të tillë. Por, fatkeqësisht, realiteti është krejt diçka tjetër, teatri pothuajse asnjëherë nuk ia del të ketë pushtet kaq të plotë emocional e mendor mbi publikun.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Teatri sot nuk është mediumi i vetëm, a nga të paktët, siç ka qenë dikur, dhe në raport me publikun, nuk gëzon kurrfarë privilegji. Ai prandaj është në një betejë të vazhdueshme jo vetëm për të rekrutuar publik, por edhe për vëmendjen e përqendrimin e atij publiku.

Për dallim prej “Hamnet”, në filmin e Paolo Sorrentino, “The Hand of God”, skena që ndodh në teatër është e trajtuar me cinizëm, e ajo që publiku ka ardhur ta shohë është e mërzitshme deri në eshtra. Publiku duket si pjesë e ushtrisë Terracotta. Në skenë, e vetme, është Yulia (Sofya Gershevich) që i flet me patos një kokë-kukulle burri, të cilën pas pak e përplas në skenë me neveri. Yulia luan jashtëzakonisht keq dhe kjo gjë e nxit regjisorin Capuano që të ndërhyjë nga publiku, ndër të tjera edhe duke i thënë: “We are tired of your shit”. Aktorja lëshon skenën mes lotëve.

Të dy skenat teatrore në këta dy filma janë klishe dhe të konstruktuara për t’i shërbyer realitetit të filmave respektivë dhe brenda atij realiteti filmik ato edhe funksionojnë deri diku. Por është bërë pothuajse e pashmangshme që në secilin film kur ka ndonjë “skenë teatrore”, të na shfaqen momente të stërkequra e banale, me dialogë që janë ose patetikë ose tërësisht pa kuptim, e me aktorët në to që çirren e luajnë keq. Rrallë, tepër rrallë hasim nëpër filma skena nga teatri, të punuara me përkushtim. Më e pakta që mund të themi është se filmbërësit kryesisht kanë një botëkuptim përqeshës dhe të klishetizuar për teatrin. Për ta ai është një paradhomë e artistëve të frustruar e deluzionistë.