Shtojca për Kulturë

“Fragmenta” në provë të gjuhëve të reja vizuale

“Conflux” e artistit të ri Esad Duraki, një ekspozit

“Conflux” e artistit të ri Esad Duraki, një ekspozitë personale me një vepër të vetme, në Hamamin e Madh të Prishtinës, ka bartur mbi vete peshën e një reflektimi të drejtpërdrejtë mbi fragmentimin e perceptimit te brezat e rinj

Në shpërndarje ngjarjesh, që prej të mërkurës ka përfshirë “Tunelin” e Kurrizit në kryeqytet, Observatorin te Pallati i Rinisë, hapësirat e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani” e instalime të tjera të vendosura përkohësisht nëpër lokacione të ndryshme, me edicionin e parë të bienales “Fragmenta” janë krijuar stacione të vogla ku arti, dizajni dhe teknologjitë bashkëkohore janë takuar me publikun në mënyra të papritura. Në Hamamin e Madh të Prishtinës, “Conflux” e artistit të ri Esad Duraki takon dy botë të largëta. “Fragmenta” ka kulmuar të shtunën mbrëma me ndarjen e çmimit “Rising Artists Work”, të cilin e ka marrë Leon Ispahiu me “The Preserved Brains”

Energji e re e skenës vizuale të Prishtinës është sjellë përmes edicionit të parë të bienales “Fragmenta”, duke e vendosur dizajnin dhe mediat e reja në një territor ku marrin formë konkrete eksperimentimi dhe ndërthurja e disiplinave. Si ngjarje që synon të bashkojë fragmente idesh, narrativash e praktikash, bienalja është konceptuar pikërisht si një mozaik i krijimit bashkëkohor, ku artistët e rinj testojnë gjuhë të reja vizuale dhe ridimensionojnë mënyrat se si arti komunikon me publikun. Organizuar në kuadër të programit vjetor të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, “Fragmenta” ka lindur në bashkëpunim me profesorët Genc Rezniqi, që për këtë edicion ka qenë edhe kurator, si dhe Agim Salihun si këshilltar.

Në këtë shpërndarje ngjarjesh, që prej të mërkurës ka përfshirë “Tunelin” e Kurrizit në kryeqytet, Observatorin te Pallati i Rinisë, hapësirat e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani” e instalime të tjera të vendosura përkohësisht nëpër lokacione të ndryshme, janë krijuar stacione të vogla ku arti, dizajni dhe teknologjitë bashkëkohore janë takuar me publikun në mënyra të papritura.

“Dolli” nga Nesa Deri

Format e artit të prezantuar janë të ndryshme, duke nisur nga instalacionet me skulptura, video-instalacione, dizajn interaktiv e deri te pikturat e loja me drita. Leo Zhushi me “Assumed Parallels”, Arsa Ademi me “RETTO – From Waste to Weight”, Nesa Deri me “Dolli”, Leonita Ibrahimi me “Grandmother’s Slippers”, Jete Kadriu me “Satisfaction Not Guaranteed”, Ardit Berisha me “The Wall that Holds Dreams”, Enea Kulinxha me “The Flesh of Innocence” e të tjerë kanë ekspozuar në kthinat e ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani”. Në Observatorin te Pallati i Rinisë ka ekspozuar Liona Vorfi me “Moments of Clarity”, ndërkaq në “Tunelin” e Kurrizit ka ekspozuar Aron Blank me “Collapse – Becoming”.

 “The Flash of Innocence”, Enea Kulinxha

Pikërisht në këtë rrjedhë programi është prezantuar vepra “Conflux” e artistit të ri Esad Duraki, një ekspozitë personale me një vepër të vetme, e cila ka bartur mbi vete peshën e një reflektimi të drejtpërdrejtë mbi fragmentimin e perceptimit te brezat e rinj. Vepra krijon një skenë të ngrirë mes dritës dhe materies, ku një trup metalik qëndron pezull mbi një lloj bimësie të ndriçuar që duket si i kapur në çastin e një kalimi të papërkufizuar. Figura e lëmuar, që reflekton ambientin historik brenda hapësirave të Hamamit të Madh të Prishtinës – të harruar e të degraduar prej vitesh – rri e varur midis tokëzimit dhe shkëputjes, duke u dhënë formë ideve të artistit për distancat mes brezave dhe zhvendosjen e perceptimit te të rinjtë në epokën e virtualitetit.

Kontrasti mes strukturës monumentale të Hamamit dhe këtij trupi futurist e kthen hapësirën në një vendtakim të dy botëve që nuk preken kurrë plotësisht, duke e bërë veprën një pikë të heshtur tensioni vizual dhe reflektimi. Artisti ka theksuar se vepra është rezultat i një reflektimi mbi perceptimin e ndryshëm mes brezave dhe ndikimin që jeta virtuale ka në aftësinë për t’u lidhur me realitetin.

 “RETO – From Waste to Weight”, Arsa Ademi

“Koncepti shkrihet me botëkuptimin mes vëllait tim dhe meje, se si bazë e kuptimit të botës e kemi shumë të larguar me njëri-tjetrin. Prezantimi i kësaj vepre është njëfarë shkrirje momentale e të rinjve që e kanë humbur perceptimin total prej realitetit, ku dominon jeta virtuale. Si bazë e marr gjithmonë distancën me moshë me babin tim që është 35 vjet e me vëllain, 4 vjet. Me babin kuptohem shumë më shumë sesa me vëllain, po flasim në perceptimin e botës”, ka thënë Duraki për KOHËN.

Deklarata e tij e zgjeron këtë hendek, duke e kthyer veprën në një paralajmërim të qetë për prishjen e kontaktit me botën e prekshme.

“Grandmother’s Slippers”, Leonita Ibrahimi

“Lart është ajo distanca, por poshtë është ajo mosprekja me realitetin e të rinjve, ku ata sado tentojnë të inkuadrohen me jetën reale, e kemi një bombardim të madh të mediave dhe të virtualitetit e të AI-së. Ata nuk janë në gjendje kurrë ta shohin atë kënaqësi e ta shijojnë këtë botë qysh duhet”, ka shtuar ai.

E vendosur në kuadër të një bienaleje që e ka fragmentin si parim themelor, “Conflux” funksionon si pasqyrë e gjendjes së një brezi që perceptimet i ka të shpërndara dhe rrallë të plota. Me ngjashmëri të këtilla, por edhe me pa fund dallime, përmes individualitetit të brendshëm, kanë ekspozuar veprat e tyre përveç Durakit, edhe 17 artistë të rinj, të gjithë studentë ose ish-studentë të Fakultetit të Arteve në UP.

“Satisfaction Not Guaranteed”, Jete Kadriu

Rrugëtimi i “Fragmentas”, sipas organizatorëve, ka nisur si ide brenda Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës dhe është zgjeruar falë bashkëpunimit me profesorë e studentë të Fakultetit të Arteve.

“Ne deri më tani nuk kemi pasur projekt për të rinjtë. Sivjet e kemi pasur një ide që ta bëjmë edhe një ekspozitë për të rinjtë e Asociacionit, për artistët e rinj, dhe duke zhvilluar në bashkëpunim me profesorët si Genc Rezniqin, profesor Ademin e të tjerët, kemi ardhur deri te një ditë që ata ta përgatitin një koncept të punës. Në bazë të asaj, edhe ne na pëlqeu si Asociacion dhe e aprovuam, që si produkt i saj doli kjo ‘Fragmenta’ e 2025-tës”, ka thënë kryetari i AAVK-së, Kamuran Goranci.

E ka përshkruar këtë edicion si një prej herëve të para kur prezantimi i punëve të artistëve të rinj del nga forma klasike e ekspozimit, duke kaluar në formate të reja dhe jokonvencionale.

“Kjo është një ekspozitë e artistëve të rinj, të cilët edhe një herë prunë fragmente, copëza të arteve, të shprehjeve bashkëkohore jo ashtu klasike nëpër mure, siç i kemi parë të ekspozohen veprat: një gjë që ndoshta në Kosovë ende nuk ka ndodhur në kësi forme. Në bashkëpunim edhe me Departamentin e Dizajnit të Fakultetit të Arteve është zhvilluar ky program”, ka shtuar ai.

“Collapse – Becoming”, Aron Blank

Goranci ka rikujtuar edhe itinerarin e deritanishëm të bienales, që ka shtrirë fragmente të ndryshme në disa lokacione të Prishtinës, duke krijuar një hartë të shpërndarë të ngjarjeve të vogla, secila me karakter të veçantë. Kjo shtrirje ka qenë, në fakt, një prej vlerave të edicionit të parë, ku ngjarjet nuk përqendrohen në një hapësirë, por integrohen nëpër hapësira të përdorura e të papërdorura të qytetit, duke i kthyer ato përkohësisht në ambiente të interpretimit vizual.

Në këtë proces, roli i profesorëve ka qenë njëkohësisht mentorial dhe kuratorial.

“Kemi punuar tash e sa kohë me shumë dashuri, përkushtim dhe seriozitet, të gjithë ne profesorët me artistët e rinj, studentët dhe ish-studentët tanë”, ka thënë profesoresha Rudina Xhaferi, duke e konsideruar këtë edicion si prezantimin më dinjitoz të studentëve dhe ish-studentëve të Fakultetit të Arteve.

Ajo ka theksuar se projektet janë të larmishme, të krijuara në frekuenca të përbashkëta energjie dhe idesh, dhe se entuziazmi i këtij grupi të artistëve ka qenë elementi që e ka mbajtur të qëndrueshëm gjithë procesin.

“The Wall that Holds Dreams”, Ardit Berisha

“Ne si profesorë po ndihemi jashtëzakonisht të privilegjuar që duke bashkëpunuar me studentët e ish-studentët, kemi mbërritur ta krijojmë një projekt siç është bienalja ‘Fragmenta’ e që me sivjet u shtrua themeli e shpresoj që tutje do të vazhdojmë me të njëjtin entuziazëm siç kemi punuar edhe këtë vit”, ka shtuar Xhaferi, e cila është njëra nga 9 profesorët në rol kuratorial.

Edicioni i parë i “Fragmentas” ka projektuar një skenë të re për talentin e ri, me pritjen se fragmentet e nisura këtë vit do të vazhdojnë të ndërtojnë një mozaik edhe më të gjerë në vitet e ardhshme.

LEXO EDHE: