Hulumtimit afatgjatë “Kujtesa përballë Harresës” dhe hapja e instalacionit “Korridori i Hekurt” në “Reporting House” vijnë në dialog mes shkencës sociale dhe artit bashkëkohor, duke e vendosur dëbimin e vitit 1999 në qendër të kujtesës publike, jo si episod periferik. Hulumtimi i sociologut Shemsi Krasniqi sjell përvojat e refugjatëve e instalacioni rikompozon pjesë të trenit si shenja reale të historisë së dëbimit
“Reporting House” që gjendet aty ku më herët ka qenë shtëpia e mallrave “Gërmia” në Prishtinë, e ka shndërruar të shtunën hapësirën e vet në një vend takimi mes hulumtimit sociologjik dhe instalacionit artistik, duke e vendosur kujtesën e dëbimit të vitit 1999 përballë harresës institucionale dhe shoqërore. Prezantimi i hulumtimit afatgjatë “Kujtesa përballë Harresës” dhe hapja e instalacionit “Korridori i Hekurt” kanë ndërtuar një rrjedhë të përbashkët reflektimi mbi përvojën e refugjatit, një temë që për dekada ka mbetur në periferi të narrativës publike.
Në qendër të ngjarjes ka qenë prezantimi i rezultateve të hulumtimit të sociologut Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, i cili prej vitit 2009 ka intervistuar ish-refugjatë të dëbuar gjatë eksodit të vitit 1999. Në një periudhë 15-vjeçare janë realizuar mbi 300 intervista, prej të cilave 256 janë selektuar dhe sistemuar si bazë kërkimore, duke e shndërruar këtë proces në një nga arkivat më të gjera gojore për këtë përvojë kolektive.
“Kujtesa përballë Harresës” në kapitullin e stigmatizuar
Biseda është moderuar nga Jeta Xharra, e cila ka theksuar se përvoja e refugjatit, ndonëse masive dhe traumatike, ka mbetur për një kohë të gjatë e pashënuar dhe e stigmatizuar.
“E ke nisur një punim kolosal, për t’i mbledhur të dhënat prej intervistave të shumta që i ke bërë me refugjatë, për t’u koncentruar në shënimin e memories kolektive të refugjatëve. Është prej temave më të paprekura, se të jesh refugjat pas lufte s’ka qenë diçka që është shënuar. Shumë njerëz mendojnë se ‘hajt se s’u bë nami që na kanë qitë prej shtëpisë, sepse ka njerëz që kanë pasur të vrarë, të djegur’ dhe përvoja e refugjatit ka mbetur si njëfarë përvoje pak si tabu dhe stigmë, të kallëzosh ti çka ke hequr si refugjat”, i është drejtuar ajo profesorit Krasniqi.
Sipas saj, paslufta ka privilegjuar narrativat heroike të rezistencës, ndërsa dëbimi është perceptuar si diçka për të cilën “duhej heshtur”, për shkak të ndjenjës së turpit dhe krahasimit me humbjet më të rënda njerëzore. Pikërisht në këtë boshllëk simbolik, sipas Xharrës, ndërhyn hulumtimi i Krasniqit, duke e kthyer përvojën e refugjatit në pjesë të memories kolektive të Kosovës.
“25 vjet pas lufte, që dënimi është krim lufte dhe duhet të shënohet. Nuk shënohet duke na ardhur marre për të folur për atë punë. Kështu që, të falënderoj që kaq gjatë je marrë me këtë punë. Ne kemi filluar shumë vonë të merremi, në krahasim me ty”, ka thënë gazetarja Xharra, e cila është themeluese e BIRN-it rajonal dhe producente e “Reporting House”.

Profesori i sociologjisë, Shemsi Krasniqi ka shpjeguar se ideja për këtë hulumtim ka lindur në prag të 10-vjetorit të eksodit, me nxitjen e filozofit dhe akademikut Muhamedin Kullashi, por është zhvilluar më tej përmes një zgjidhjeje pedagogjike. Lënda “Praktikumi sociologjik” është shndërruar në instrument kërkimi, ku studentët janë angazhuar në terren për të realizuar intervista të strukturuara rreth shtatë kapitujve tematikë: situata para largimit, dita e largimit, udhëtimi në kolonë, jeta si refugjat, kthimi në Kosovë, fillimi i jetës së re dhe reflektimet 10, 15, 20 e 25 vjet pas.
“Vendosa që atë gjeneratë të studentëve t’i angazhoj në mbledhjen e intervistave në terren, gjithnjë duke e konceptuar një pyetësor të gjysmëstrukturuar. E konceptova asi soji që u kërkohej të jepnin përgjigje rreth asaj situate para se të dilnin nga shtëpia, për momentin e daljes nga shtëpia, çfarë përjetime e kujtime kanë për atë momentin kur ia kanë kthyer shpinën shtëpisë, për kujtimet në kolonë, për atë momentin kur e kanë kaluar kufirin, për jetën si refugjat, për vendimin për kthim, për kthimin në Kosovën e lirë, momentet kur kanë ardhur në shtëpi dhe për vështirësitë, me të cilat janë ballafaquar në jetën e re”, ka thënë ai duke folur me Xharrën.
Hulumtimi është zhvilluar pa buxhet dhe pa pagesë, por me mbështetjen e studentëve dhe integrimin e tij në kurrikulë, çka ka mundësuar mbledhjen e dhjetëra dëshmive në secilin cikël. Intervistat janë realizuar në 25 komuna, kryesisht në zona rurale, duke zgjeruar perspektivën përtej qendrave urbane.
Një dimension i veçantë i këtij kërkimi është edhe dokumentimi i marrëdhënieve të krijuara mes refugjatëve dhe familjeve mikpritëse në Maqedoni e Shqipëri, lidhje që në shumë raste vazhdojnë edhe sot përmes kontakteve të rregullta dhe vizitave familjare.
“Ideja për t’i intervistuar mikpritësit, më ka lindur menjëherë, në atë valën e parë. Më kujtohet një grua, ish-refugjate, kur e tregon përvojën e vet thotë ‘Ishim në Shtoj, dyert e oborrit çelë dhe një grua prej mesit të oborrit na u drejtua të shkojmë brenda’. Thotë se kurrë nuk e harron atë mikpritje aq të ngrohtë që e kanë përjetuar aty dhe që nuk e harron momentin kur janë ndarë prej tyre për t’u kthyer në Kosovë, kur ai plaku 70-vjeçar i asaj shtëpie i hidhet djalit të saj 7-vjeçar dhe s’mund të ndahet prej tij, aq shumë që i kanë kaluar ata tre muaj së bashku. Kjo përgjigje më ka shtyrë të shkoj në Tetovë dhe ta intervistoj familjen mikpritëse, të cilët e kanë treguar ndjenjën e krenarisë që kanë pasur për ta pritur këtë familje”, ka treguar ai, duke lexuar rrëfime me fjali të shkurtra, të përzgjedhura nga secili cikël prej intervistave me ish-refugjatë kosovarë.
Krasniqi ka theksuar se pasioni për këtë temë mbetet i pandryshuar dhe se synimi është që ky arkiv i kujtesës të kurorëzohet me botim, duke e shënuar dëbimin jo si episod të heshtur, por si krim lufte dhe pjesë përbërëse të historisë shoqërore të Kosovës.
“Korridori i Hekurt” – nga dëshmia në përjetim
Pas diskutimit, publiku është ftuar në galerinë e “Reporting House” për hapjen e instalacionit “Korridori i Hekurt”, të kuruar nga artisti Gazmend Ejupi. Instalacioni e shndërron hapësirën ekspozuese në një korridor reflektimi, ku elemente reale të historisë së dëbimit rikompozohen përmes gjuhës artistike dhe përvojës fizike të vizitorit.
Hekurat e shkëputur nga trenat e braktisur që akoma janë dëshmi të eksodit të vitit ’99, janë varur në muret e galerisë, e sipas Xharrës, projekti është realizuar në bashkëpunim me “Trainkosin”, duke u bazuar në vagonët e trenave, të cilët janë përdorur për dëbimin masiv të popullsisë nga Prishtina drejt Fushë-Kosovës, Hanit të Elezit dhe Bllacës. Mbi 200 mijë njerëz kanë kaluar nëpër këta trena, ndërsa instalacioni rikthen vëmendjen te detajet tronditëse të kësaj përvoje.
“Këtë histori, Gazmend Ejupi e ka sjellë duke hyrë në ata vagonë dhe me “Trainkosin” i kanë çmontuar hekurat, të cilët në kushte të rëndomta mbajnë valixhe, por në këta hekura, nga hulumtimi ynë gazetaresk që e kemi kryer me refugjatë të asaj kohe, kemi kuptuar që refugjatët i kanë vendosur fëmijët këtu, bebet janë vendosur në vendet ku zakonisht lihen valixhet. Kjo për shkak se vagonët kanë qenë të stërmbushur me refugjatë”, ka thënë ajo.
Anën gazetareske të projektit e ka zhvilluar BIRN, përmes 30 intervistave me refugjatë, duke e ndërtuar instalacionin mbi një bazë dëshmish të dokumentuara. Ekspozita fton publikun jo vetëm në rikujtim, por edhe në pjesëmarrje aktive, duke i inkurajuar vizitorët të sjellin artefakte personale nga përvoja e dëbimit dhe t’i integrojnë ato në narrativën kolektive.
Në këtë mënyrë, “Korridori i Hekurt” funksionon si vazhdimësi vizuale dhe emocionale e hulumtimit sociologjik, duke e bërë të prekshme atë që për dekada ka mbetur e pathënë. Të dyja ngjarjet, të zhvilluara në të njëjtën ditë, kanë ndërtuar një dialog mes shkencës sociale dhe artit bashkëkohor, duke e vendosur dëbimin e vitit 1999 në qendër të kujtesës publike, jo si episod periferik, por si përvojë themelore të shoqërisë kosovare pas luftës.