Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përmbysur një vendim kyç shkencor të epokës së Barrack Obamës që mbështet të gjitha veprimet federale për kufizimin e gazrave që ngrohin planetin, raporton “BBC”.
“Gjetje e rrezikshmërisë” të vitit 2009 dolën në përfundim se një sërë gazrash serrë ishin kërcënim për shëndetin publik. Ajo është bërë baza ligjore e përpjekjeve federale për t’i frenuar emetimet, veçanërisht në automjete.
Shtëpia e Bardhë tha se shfuqizimi do t’i bëjë makinat më të lira, duke ulur kostot për prodhuesit e automjeteve me 2,400 dollarë për çdo automjet.
Grupet mjedisore thonë se ky veprim është deri tani tërheqja më e rëndësishme nga masat kundër ndryshimeve klimatike e tentuar ndonjëherë dhe pritet ta sfidojnë atë në gjykata.
Duke folur në Zyrën Ovale të enjten, Trump tha se vendimi i vitit 2009 ishte “një politikë katastrofale e epokës së Obamës që dëmtoi rëndë industrinë amerikane të automobilave dhe rriti masivisht çmimet për konsumatorët amerikanë”.
“Ky rregull radikal u bë themeli ligjor për Mashtrimin e Ri të Gjelbër (Green New Scam), një nga mashtrimet më të mëdha në histori”, shtoi presidenti republikan, duke iu referuar agjendës klimatike të demokratëve.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) mori për herë të parë një qëndrim mbi ndikimet e gazrave serrë në vitin 2009, në vitin e parë të mandatit të parë të Barack Obamas.
Agjencia vendosi se gjashtë gazra kryesore që ngrohin planetin, përfshirë dioksidin e karbonit dhe metanin, ishin një rrezik për shëndetin e njeriut.
Me një Kongres të përçarë, që nuk ishte në gjendje të binte dakord për legjislacion për të trajtuar rritjen e temperaturave globale, gjetja e EPA-së u bë qendrore për përpjekjet federale për të frenuar emetimet në vitet që pasuan.
Shfuqizimi i gjetjes do të ulë shpenzimet e prodhuesve të automobilave me 2,400 dollarë për çdo automjet, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Shumë ambientalistë janë skeptikë për kursimet e mundshme të kostove që po promovon ekipi i Trumpit.
“Do t’i detyrojë amerikanët të shpenzojnë më shumë para, rreth 1.4 trilion dollarë në kosto shtesë karburanti për të furnizuar këto automjete më pak efikase dhe më ndotëse,” tha Peter Zalzal nga Environmental Defense Fund.
“Ne kemi analizuar gjithashtu ndikimet shëndetësore dhe kemi gjetur se veprimi do të rezultonte në deri në 58,000 vdekje të parakohshme shtesë, 37 milionë sulme të tjera astme”, tha ai.
Gjatë punës për përmbysjen e gjetjes, administrata Trump gjithashtu përdori vendimin e vitit 2009 për të parandaluar shtetet që të miratonin ligje më të rrepta për emetimet e karbonit.
Fakti që gjetja i dha përgjegjësinë një autoriteti federal për rregullimin e gazrave që shkaktojnë ngrohjen, u përdor gjithashtu për të shtypur të ashtuquajturat padi “bezdi”, të ngritura nga individë ose organizata lidhur me çështjen e klimës.
Një sfidë në gjykatë ndaj përmbysjes së gjetjes së rrezikshmërisë mund të jetë pikërisht ajo që administrata Trump po kërkon tani.
Shumë ekspertë ligjorë besojnë se ata duan që propozimi të testohet në Gjykatën Supreme përpara përfundimit të mandatit të Trump, duke besuar se nëse fitojnë, gjetja e rrezikshmërisë do të mbetet në histori.
“Kjo është vërtet ndryshe, pasi EPA po largohet plotësisht nga kjo fushë dhe dëshiron ta bëjë këtë në mënyrë të përhershme,” tha Meghan Greenfield që ishte dikur në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit.
“Nëse ata do ta fitonin atë çështje siç e kanë paraqitur përpara Gjykatës Supreme, një administratë e re presidenciale nuk do të mund ta ndryshonte atë qëndrim, në mungesë të legjislacionit të ri”.