Dy pjesë të ndryshme në origjinë, janë bashkuar në synimin për t’i shfaqur forcën e kolektivit dhe elasticitetin e trupës, që ka numëruar 27 balerinë në lëvizje të pandërprerë. Kontrasti mes dy pjesëve ka qenë i dukshëm që nga fillimi i shfaqjes “Bolero dhe Bach la Orientale” në koreografi të Mehmet Balkanit duke njësuar barokun me orientin e impresionizmin me tekno. Trupa është dukur si një organizëm i vetëm, që kërkon frymë për ta mbajtur unitetin deri në fund
Flaka e kuqërremtë në sfond që ka ndriçuar skenën është përthyer në ritme të Lindjes, teksa trupa e balerinëve ka rrëshqitur tokës, duke krijuar ndjesinë e një rituali. Ritmi është shndërruar në simbol të gjallë të një arti që vazhdon të marrë frymë edhe pa shtëpinë e vet teatrore. Dy vepra në një, që i kanë dhënë trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mundësinë të tregojë disiplinë, energji dhe një dimension të ri të lëvizjes janë dhënë premierë të premten në sallën “AMC”, në periferi të Prishtinës.
“Bach la Orientale” dhe “Bolero”, dy pjesë të ndryshme në origjinë, janë bashkuar në synimin për t’i shfaqur forcën e kolektivit dhe elasticitetin e trupës, që ka numëruar 27 balerinë në lëvizje të pandërprerë. Kontrasti mes dy pjesëve ka qenë i dukshëm që nga fillimi.
“Bach la Orientale” ka sjellë një estetikë që ka bashkuar simetrinë klasike me një shprehje të ngarkuar orientale. Trupat e balerinëve janë përkulur, janë rrotulluar në bashkërendim, duke e ndërtuar një tension të brendshëm që është reflektuar edhe te publiku. Ngjyra e kuqe mbi lëkurën e tyre ka krijuar ndjesinë e një flake që ndizet e shuhet, duke rikujtuar një ritual të lashtë lëvizjeje.
Në interpretimin e parë, “Bach la Orientale”, muzika baroke është ngjyrosur me tinguj orientalë që kanë gjetur përkthimin e vet koreografik në linja, përkulje ritmike dhe një lloj përulësie ndaj tokës. Elementi ritual është kapur në mënyrë të dukshme në finale me ngjyrë zjarri, ku trupa është shtrirë në një valë kolektive lëvizjesh. Kostumet bojë qielli të balerinëve kanë zënë të fluturojnë, teksa kërcimet e larta të tyre kanë shënuar vijimësinë e shfaqjes për në pjesën e dytë.

Ndërkaq, në “Bolero”, tensioni është ndërtuar hap pas hapi. Raveli, i njohur për atë rritjen e pandalshme, është sjellë me një shtresë të re stilistike, ritme tekno që kanë synuar ta afrojnë veprën te një publik edhe më i ri dhe t’i japin hapësirë energjisë së kërcimtarëve. Trupa ka kaluar prej qetësisë në shpërthim e prej unitetit në larmi figurash, duke sjellë finalen si pikën më të fortë emocionale të mbrëmjes. Për këtë janë ndërruar kostumet, balerinat me të kuqe, njëjtë si brezi i balerinëve që janë veshur me të zeza.
Në këtë shfaqje, muzika e Bachut ka marrë një dimension tjetër përmes elementeve orientale që janë shtresuar mbi të. Ritmi i brendshëm i muzikës nuk është trajtuar si strukturë e ngrirë, por si mjet që i ka dhënë hapësirë koreografisë për t’u transformuar. Trupa është dukur si një organizëm i vetëm, që kërkon frymë për ta mbajtur unitetin deri në fund. Emocioni i balerinëve është vërejtur qartë edhe pas përfundimit të shfaqjes.
“Publiku dhe të gjithë ne e kemi përjetuar komplet këtë shfaqje dhe gjithë këtë proces që ka shkuar një muaj e gjysmë dhe uroj që publiku ka mundur t’i marrë ato ndjeshmëri që i kemi dhënë në skenë dhe e kanë përjetuar bashkërisht me ne gjatë performancës dy pjesët, qysh është pjesa e parë ‘Bach la Oriental’ dhe pjesa e ‘Boleros’ që ishte kulmi i shfaqjes”, ka thënë balerini Sead Vuniqi, duke e vlerësuar veprën e parë si prijëse të një kulmi emocional.
Pika e tensionit ka ardhur me “Boleron”, ku Raveli është dëgjuar me një shtresim ritmik që i ka dhënë një frymë më bashkëkohore veprës. Koreografi Mehmet Balkan ka zgjedhur të mos e linte veprën në formatin e saj të shkurtër origjinal, por ta shtonte atë me impulse moderne.

“Shumë njerëz më kanë pyetur ‘pse nuk e bën Boleron?’, por Bolero në origjinal është 11 minuta, shumë e shkurtër, andaj kemi ndërfutur pak ritme tekno për të rinjtë, aq e thjeshtë sa të vendoset fuqia e kërcimtarëve. Bashkëpunimi ishte jashtëzakonisht i mirë. Prej 15 vjetësh punoj me Baletin Kombëtar dhe kam realizuar shumë prodhime, mund të themi se ata janë fëmijët tanë”, ka thënë ai.
Shfaqjen e ka rivënë në skenë Lale Balkan, gruaja e koreografit, e cila ka treguar për procesin që sipas saj, ka qenë mjaft sfidues.
“Ishte mjaft e vështirë t’ua mësoj çdo hap dhe t’ua shpjegoj të gjitha. Pastaj, duhej t’ia plotësoja koreografit të gjitha kërkesat. Ishte e vështirë, por mendoj se ka dalë një punë e mirë, jam e lumtur me rezultatet”, ka thënë ajo.
Trupa është rritur gradualisht në numër mbi skenë, duke e pasqyruar ndërtimin karakteristik të veprës, ku çdo skenë ofron një shtresë të re.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se balerinët e rinj, të cilët së fundi janë bërë pjesë e ekipit, kanë krijuar “skena masovike” që e kanë përforcuar dimensionin vizual të ritmit që vjen duke u rritur.
“Ka qenë brenda pritshmërive të mia, duke pasur parasysh se është bërë një punë intensive prej më tepër se pesë javësh, e cila ka rezultuar po besoj mirë para publikut. Përshtypjet e njerëzve kanë qenë jashtëzakonisht të mira që sigurisht na bëjnë të ndihemi shumë mirë. Numri i balerinëve po shkon duke u rritur, sonte i kemi pasur 27 balerinë në skenë dhe skenat masovike ta japin një ndjenjë të mirë, duke pasur parasysh që kemi edhe balerinë të rinj, të cilët janë inkorporuar jashtëzakonisht mirë me trupën”, ka theksuar ai.

Megjithatë, pas emocioneve dhe estetikës së mbrëmjes, realiteti institucional vazhdon të mbetet i ashpër. Baleti Kombëtar i Kosovës është i detyruar të krijojë pa pasur skenë të veten, në një gjendje që sipas drejtorit, po zgjat tash e tre vjet. Prej verës së vitit 2022, objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës ku strehohej edhe Baleti, është i mbyllur në emër të rinovimit.
“Për fatin tim të mirë ose të keq, me marrjen e mandatit si drejtor, na është mbyllur Teatri dhe jemi në një gjendje emergjente tash e tre vjet dhe jemi përpjekur që ta ruajmë kontinuitetin e punës, duke pasur parasysh që baleti është një prej arteve më të bukura, por edhe më të vështira dhe jemi munduar që përmes projekteve të reja, përmes paraqitjeve brenda dhe jashtë vendit ta ruajmë kontinuitetin, për shkak se në njëfarë forme është mbijetesë për ne”, ka shtuar drejtori Kajtazi.
Balerinët kanë marrë vazhdimisht duartrokitje të gjata, që kanë kulmuar pikërisht pas përfundimit të “Boleros”.

Balerina Jeta Musolli e ka vënë theksin te harmonia e brendshme e trupës.
“Përvoja zakonisht është e mahnitshme kur punojmë me Mehmet Balkan dhe gjithë ekipin. E kanë një energji tepër pozitive dhe gjithmonë mësojmë prej tyre dhe shfaqjet i kanë magjike me një fjalë dhe i pëlqejnë publikut tepër shumë, kanë shumë energji, harmoni mes vete dhe ne si Balet Kombëtar i Kosovës jemi të privilegjuar të punojmë me ta dhe besoj që publiku u pa që e pëlqeu shumë dhe puna jonë u vërtetua edhe një herë”, ka thënë ajo pas përfundimit të shfaqjes.
Edhe publiku ka reaguar ndaj kësaj përpjekjeje kolektive, duke e spikatur kërkesën për kushte më dinjitoze.
“E shijuam premierën e radhës të Baletit Kombëtar të Kosovës! Plot ritëm, sharmë me muzikë ikonike të Bachut dhe ‘Boleron’ e Ravelit, të stilizuar dhe të gërshetuar me stilin turk, oriental. Ishte shfaqje më ndryshe, që pruri freski të shprehjes artistike të trupës sonë të balerinëve që i dedikohen artit të baletit plot entuziazëm, përkushtim me gjithë shpirt, trup dhe dashuri, përkundër kushteve ekstrem të vështira të punës viteve të fundit”, ka vlerësuar profesoresha Lejla Pula, duke shprehur edhe shpresën që trupa të rikthehet sa më shpejt në shtëpinë e vet teatrore.
Ndonëse hapësira teatrore ende u mungon, artistët e Baletit kanë dëshmuar edhe një herë se skena është aty ku ka lëvizje, ritëm e jetë.