Shtojca për Kulturë

Arti kërkon punë, disiplinë e respekt

Nahire Surroi (1 shkurt 1935 – 7 dhjetor 2023)

Nahire Surroi (1 shkurt 1935 – 7 dhjetor 2023)

“Aty ku jeta kalon në këngë e valle, ku ndihet ajo bukuri joshëse e folklorit që flet për një të kaluar të largët të popujve tanë dhe kultivohet e ruhet për brezat e rinj – aty punon Nahire Surroi, drejtoreshë e ansamblit ‘Shota’”, shkruante revista “Kosovarja” korrikun e vitit 1976. Intervista ribotohet në shenjë kujtimi në dyvjetorin e vdekjes së Nahire Surroit

Nafije Latifi

Është çdo gjë (si) këngë te ju, shoqe Nahire?

Surroi: Po, thuajse po! Ky kolektiv yni i vogël (ansambli “Shota”) ka edhe mision të lartë. Ne këtë u bindëm para ca kohësh gjatës vizitës nëpër Austri. Në koncertin që mbajtëm në Vjenë, para më se dy mijë vetash – punëtorëve tanë, vërejtja se përveç argëtimit, së paku për një moment arritëm t’ua ofronim vendlindjen e tyre, t’ua përtërinim kujtimet dhe mallin për këto anë.

Përndryshe, ditët dhe netët tona, kur përgatisim dhe shfaqim programe, janë të mbushura me këngë e valle – se ky është profesioni i ansamblit tonë. Por, kemi edhe ne problemet tona të pazgjidhura – mungesën e kuadrit, sigurimin e banesave për punëtorët, sigurimin e të nesërmes së tyre – atëherë kur ata nuk do të kenë gjallëri rinore për këngë e valle.

Filluam nga profesioni juaj – a është kënaqësi të punosh në këtë vend të punës?

Surroi: Ky është vendi momental i punës, përndryshe, unë kam profesion tjetër — jam etnologe. Si e tillë kam punuar 12 vjet në Muzeun Krahinor. Pastaj bëra një pauzë tre-katërvjeçare e kur desha ta filloja punën, më ofruan këtë vend. T’ ju them të drejtën, pranova duke menduar se nuk do të jem shumë e lidhur për të, në mënyrë që të kem më shumë kohë për obligimet familjare, por gati menjëherë vërejta se kam gabuar sa i përket kësaj. Këtu jo vetëm që jam e zënë gjatë gjithë kohës, por edhe përgjegjësia është mjaft e madhe. Mirëpo, ambienti në të cilin punojmë, bashkëpunimi i mirëkuptimit, pastaj edhe njëfarë afiniteti që kam për muzikën, më bëjnë të lumtur. Gëzohem për çdo duartrokitje, për çdo sukses të ansamblit tonë dhe, jo vetëm si udhëheqëse, por edhe si bashkëqytetare e tyre.

Thatë se problem i pazgjidhur është ai i kuadrove: nuk ka mjaft të interesuar apo kjo gjë, sigurisht, ka të bëjë me kriterin e pranimit?

Surroi: Dyzet anëtarë sa ka ansambli profesional “Shota” është numër shumë i vogël për një ansambël profesionist. Për këtë arsye çdo anëtar yni duhet të jetë aktiv gjatë tërë programit dy-tri orësh dhe të marrë pjesë në çdo pikë të programit. Kjo gjë na detyron që pauzat e programit t’i plotësojmë me këngë, gjë që nuk është aspak e preferuar. Jemi munduar që të përmirësojmë edhe strukturën kualifikuese dhe nacionale, por rezultatet nuk janë të kënaqshme.

Problem që pengon këtë ansambël është edhe botëkuptimi i disa njerëzve se këtu niveli moral është më i ulët, se nuk ka disiplinë, rregull e respekt. Por, gabojnë të gjithë. Me punën dhe angazhimin e këtyre punëtorëve u arrit që bota ta njohë popullin e kësaj treve, folklorin dhe të kaluarën e saj të pasur. Kudo që kemi udhëtuar dhe kudo që kemi shfaqur programe – kemi zgjuar respekt dhe kënaqësi të posaçme. Por, mendoj se për këtë problem është e panevojshme të flitet – për të gjitha flet puna jonë.

Ekziston mendimi (edhe sot e kësaj dite) se femra nuk është e aftë të kryejë punë me përgjegjësi. Ju jeni udhëheqëse (të tillat ende mungojnë) e një kolektivi. Ç’ mendoni ju për këtë?

Surroi: Më vjen shumë keq që ky mendim i pavërtetë është ende prezent tek njerëzit tanë. Më duket koha dhe veprat, në tërë botën e edhe tek ne, e kanë demantuar këtë, por si duket dikush ngadalë pajtohet me faktin.

Ka raste kur femra bie vetë në provim – kërkon ndihmë dhe tolerancë, por nuk ndodh kjo edhe me meshkujt? Nëse kërkojmë të jemi të barabarta me meshkujt, nuk duhet as të kërkojmë e as të tolerojmë benefite të posaçme – sepse jemi të afta të kryejmë çdo punë, bile ato me përgjegjësi.

Në vitin 1960 u diplomova dhe u inkuadrova në profesionin tim. Punova me kënaqësi dhe asnjëherë nuk më ka shkuar mendja të bëhem udhëheqëse – se të udhëheqësh do të thotë të kesh përgjegjësi të madhe, të mendosh për punën edhe kur je në pushim, të mendosh për problemet e cikërrimat që kanë të bëjnë me punën që e kryen. Dhe derisa të jem këtu do të punoj me kënaqësi, por më vonë përsëri do t’i kthehem profesionit tim, për të cilën jam orientuar qëmoti.

Udhëtoni shpesh në turne me ansamblin tuaj. Çka ju intereson të shihni nëpër vendet e ndryshme?

Surroi: Më pëlqejnë udhëtimet, por nuk mund të shkoj çdoherë me ansamblin. Kam edhe obligime të tjera këtu. Kam udhëtuar edhe më parë dhe kam vizituar muzetë e galeritë, pastaj programet kulturore, etj. Më interesojnë të gjitha ato që e karakterizojnë një vend prej vendbanimeve e deri te vetë njerëzit, kultura e tyre, mentaliteti, mënyra e jetës...

Keni mjaft obligime profesionale. A ju pengojnë këto që t’i kryeni edhe ato që familja kërkon nga ju?

Surroi: Vërtet, shikuar në përgjithësi, obligime kam mjaft. Sikur edhe çdo njeri punonjës e çdo femër. Por mundohem të gjej kohë për të gjitha. Kam dy fëmijë – djalin 15-vjeçar, kurse vajzën 13-vjeçare. Është kjo moshë kur duhet t’u jem pranë, t’u ndihmoj e t’i këshilloj për shumë gjëra, prandaj mundohem të jem me ta, të përcjell dëshirat e tyre, edhe nëse lë pa kryer disa obligime shtëpiake (që mund të presin). Shëndeti dhe suksesi i tyre në shkollë më gëzojnë pa masë dhe më bëjnë të jem grua dhe nënë e lumtur.

Në krahasim me numrin e gjithmbarshëm të femrave të Kosovës, habit numri shumë i vogël i të inkuadruarave.  Ç’ mendoni ju për këtë?

Surroi: Është për të ardhur keq që nga tërë ky numër i të inkuadruarve, femra merr pjesë me numër kaq të vogël e, për më keq, ky është i vogël nga radhët e femrave të kombësisë shqiptare. Krahasuar me vitet e kaluara, mund të shohim një rritje të konsiderueshme, por krahasuar me atë që është dashur të arrihej, nuk mund të jemi assesi të kënaqur. Shoqëria jonë po bën përpjekje të vazhdueshme që të përmirësohet pozita e femrës, por duhet që edhe vetë ne të jemi entuziaste, më të interesuara e më të qëndrueshme për ta arritur këtë qëllim. Kusht për inkuadrim, dihet, është shkollimi. Me sa di unë, në këtë drejtim është arritur shumë më tepër, prandaj femra e tillë, që i ka kualifikimet dhe kualitetet gjegjëse, nuk duhet të mos e zërë vendin e merituar në shoqëri e në ekonomi.

Por, me rëndësi janë arsimi dhe ngritja e femrës. Nëse arrihet kjo, edhe femra që rri në shtëpi i kontribuon shoqërisë shumë më tepër, duke edukuar brezin e ri, sesa ajo që është e inkuadruar, por që nuk e arrin nivelin e duhur as në punë e as në shtëpi.

Çka ju preokupon kohëve të fundit?

Surroi: Profesionalisht kam dëshirë të madhe që ansambli ynë, i përkrahur dhe i mirëkuptuar nga të gjitha organet politiko-shoqërore, t’i zgjidhë problemet që e mundojnë (që i cekëm në fillim), të marrë fizionominë e një ansambli sipas kërkesave e rregullave, të ketë mundësi për prezantim sa më komplet dhe të freskojë programin.

Marrë nga revista “Kosovarja”, korrik 1976