Showbiz

Zemërimi i republikanëve ndaj performancës së Bad Bunnyt po hyn në një fazë edhe më të ashpër

Bad Bunny dhe Lady Gaga gjatë performancës në "SuperBowl"

Bad Bunny dhe Lady Gaga gjatë performancës në "SuperBowl"

Foto: Associated Press

Performanca e reperit portorikan Bad Bunny në “SuperBowl” 2026 vazhdon të jetë në qendër të reagimeve të politikanëve republikanë dhe komentatorëve konservatorë në SHBA.

VIDEO:

Që nga momenti kur Federata e Futbollit Amerikan (NFL) e përzgjodhi artistin për spektaklin, shumë figura të djathta e kritikuan faktin që performanca ishte kryesisht në gjuhën spanjolle.

Tani, disa prej tyre kanë kërkuar edhe hetime zyrtare.

Rolling Stone ka shkruar se debati rreth performancave të “SuperBowlit” është kthyer tashmë në një ritual vjetor politik e kulturor në SHBA, ku përplasja mes artit, moralit dhe politikës vazhdon të jetë po aq e fortë sa vetë loja në fushë.

Gjithçka nisi të hënën, kur kongresmeni republikan nga Tenesi, Andy Ogles, i dërgoi një letër Komisionit të Dhomës për Energjinë dhe Tregtinë, duke kërkuar një hetim formal ndaj NFL-së dhe NBCUniversal-it për “njohuritë paraprake, shqyrtimin dhe miratimin e përmbajtjes së pahijshme” në spektaklin e sponsorizuar nga 'Apple Music'.

“’Apple Music Super Bowl LX Halftime Show’ ishte pornografi e pastër, e transmetuar me guxim në televizion kombëtar për çdo familje amerikane. Fëmijët u detyruan të përballen me paraqitje të qarta të akteve seksuale homoseksuale, gra që lëviznin në mënyrë provokuese dhe Bad Bunny që kapte pjesët intime ndërsa simulonte akte seksuale”, ka shkruar në letrën e tij Olges.

Ai ka shtuar se “tekstet e këngëve lavdëronin haptazi shumë degjenerime të papërshkrueshme”, ndërsa në një postim në X pretendoi se spektakli “shfaqi pornografi homoseksuale”, megjithëse pretendime të tilla nuk janë konfirmuar.

Ogles madje ka shkruar se performanca ishte “provë përfundimtare që Puerto-Rico nuk duhet të bëhet kurrë shtet”.

Nga ana tjetër, kongresmeni republikan nga Florida, Randy Fine, ka kërkuar që çështja të hetohet nga Federal Communications Commission (FCC).

Ai pretendoi në X se “spektakli i neveritshëm ishte i paligjshëm” dhe se nëse tekstet do të ishin kënduar në anglisht, “transmetimi do të ishte ndërprerë dhe gjobat do të ishin të mëdha”.

“Portorikanët janë amerikanë dhe të gjithë jetojmë sipas të njëjtave rregulla”, ka shkruar Fine, duke shtuar se do t’i dërgojë FCC-së një letër për të kërkuar “masa drastike, përfshirë gjoba dhe rishikim të licencave të transmetimit ndaj NFL, NBC dhe ‘Bad Bunny’”.

Edhe kongresmeni nga Misuri, Mark Alford, deklaroi në kanalin konservator Real America’s Voice se, megjithëse nuk flet rrjedhshëm spanjisht, “tekstet që kemi parë nga Bad Bunny janë shumë shqetësuese”.

“Kemi shumë pyetje për entitetet që e transmetuan këtë dhe do të flasim me Brendan Carr nga FCC. Kjo mund të jetë më e rëndë se incidenti i Janet Jackson”, ka thënë ai, duke iu referuar momentit të famshëm të vitit 2004 me këngëtaren e mirënjohur Janet Jackson.

Në vitin 2004, Jackson u përfshi në një polemikë të madhe kulturore të njohur si “Nipplegate” gjatë spektaklit të pjesës së parë të “SuperBowl”.

Më 1 shkurt, këngëtari Justin Timberlake, gjatë zhvillimit të koreografisë në skenë, ia shqeu një pjesë të kostumit në fund të performancës së tyre, duke i ekspozuar gjoksin e djathtë për një moment të shkurtër.

Ky “defekt në garderobë” shkaktoi reagime të ashpra në media, gjoba të mëdha nga Federal Communications Commission (FCC) ndaj transmetuesit CBS, si dhe pati një ndikim disproporcionalisht negativ në karrierën e Jacksonit krahasuar me atë të Timberlake.

Ankesat ndaj performancave të “SuperBowlit” nuk janë diçka e re. Vitin e kaluar, performanca e reperit Kendrick Lamar mori 125 ankesa në FCC, me pretendime për “vulgaritet” dhe kritika edhe ndaj paraqitjes së sportistes Serena Williams.

Në vitin 2023, pati ankesa të shumta për performancën e këngëtares Rihanna, ndërsa në vitin 2020 për performancën e këngëtareve latine Shakira dhe Jennifer Lopez (ku pati edhe një paraqitje të shkurtër edhe Bad Bunny) pati mbi 1,300 ankesa.

Kritikët konservatorë kanë theksuar gjithashtu se Bad Bunny këndon pothuajse tërësisht në spanjisht, duke pretenduar se kjo e bën përmbajtjen më të vështirë për t’u kuptuar në kohë reale.

Lidhur me këtë debat reagoi edhe kongresistja demokrate nga New Yorku, Alexandria Ocasio-Cortez, e cila ironizoi se nuk e kupton as kur flet Trumpi.

“Unë mezi e kuptoj çfarë thotë Trump gjysmën e kohës. Kështu që i kuptoj”, ka thënë ajo.

Pavarësisht polemikave, spektakli i këtij viti rezultoi ndër më të ndjekurit në historinë e “SuperBowlit”, duke u renditur i katërti për nga shikueshmëria.

Ai ka marrë në përgjithësi vlerësime pozitive si në SHBA, ashtu edhe jashtë saj.