Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Vdiq në moshën 68-vjeçare pionieri i hip-hopit Afrika Bambaataa

Afrika Bambaataa

Afrika Bambaataa

Foto: Associated Press

Afrika Bambaataa, një nga figurat themeluese të kulturës së muzikës hip-hop, ka vdekur në moshën 68-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga "Hip Hop Alliance", ka raportuar BBC.

Në një deklaratë, përfaqësuesit e organizatës kanë theksuar se ai ndihmoi në krijimin e një “lëvizjeje globale të bazuar në paqe, unitet, dashuri dhe argëtim”, duke vlerësuar rolin e tij në lindjen e hip-hopit si zhanër muzikor dhe si forcë kulturore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I lindur me emrin Lance Taylor në Bronx, ai u rrit gjatë periudhës së lëvizjes për çlirimin e afro-amerikanëve. Në vitin 1973, ai bashkëthemeloi “Universal Zulu Nation”, një organizatë ndërkombëtare që promovonte ndërgjegjësimin për hip-hopin.

Në vitet e mëvonshme, reputacioni i tij u errësua nga akuza për abuzim seksual ndaj fëmijëve dhe trafikim, të cilat ai i mohoi.

Sipas TMZ, media e parë që ka raportuar lajmin për vdekjen, artisti ka vdekur në Pensilvani si pasojë e komplikimeve nga kanceri.

Afrika Bambaataa ishte fëmijë i prindërve emigrantë nga Jamaica dhe Barbadosi. Në adoleshencë, ai u bë pjesë e grupit “Black Spades”, por më vonë përdori aftësitë e tij udhëheqëse për të krijuar “Universal Zulu Nation”, me synimin për ta larguar rininë nga dhuna dhe për ta orientuar drejt krijimtarisë.

Hiti i tij i vitit 1982, “Planet Rock”, i solli famë botërore dhe konsiderohet si një nga veprat që formësuan hip-hopin në vitet ’80.

VIDEO:

Sipas Kurtis Blow, drejtor ekzekutiv i "Hip Hop Alliance", vizioni i tij e shndërroi Bronxin në “vendlindjen e një kulture që sot arrin në çdo cep të botës”.

Gjatë viteve ’80 dhe më pas, ai ka bashkëpunuar me artistë të njohur si James Brown dhe John Lydon, si dhe mori pjesë në projekte me mesazh politik, si kënga kundër aparteidit Sun City në vitin 1985.

Ai ka drejtuar “Universal Zulu Nation” deri në vitin 2016, kur u tërhoq pas daljes në publik të akuzave për abuzim seksual që datonin nga vitet ’80 dhe ’90.

Në një deklaratë, ai i mohoi akuzat duke thënë se ato “janë të pabaza dhe përpjekje frikacake për të dëmtuar reputacionin dhe trashëgiminë time në hip-hop në këtë moment”.

Në vitin 2025, reperi humbi një çështje civile ku akuzohej për abuzim dhe trafikim të fëmijëve, pasi nuk u paraqit në gjykatë, sipas raportimeve të The Guardian.

"Hip Hop Alliance" ka pranuar se këto akuza e komplikojnë trashëgiminë e tij artistike, e cila
“ka qenë subjekt i diskutimeve serioze brenda komunitetit tonë”.