Regjisori Joseph Kosinski, i njohur për suksesin e “Top Gun: Maverick”, ka treguar idenë e re gjatë një interviste për Collider.

“Një gazetar më pyeti: ‘Nëse do të bëje një film me Tom Cruise dhe Brad Pitt, çfarë filmi do të ishte?’ Dhe unë thashë me shaka që Sonny Hayes (personazhi i Brad Pitt në F1) kthehet në botën e Formula 1 dhe ndeshet me rivalin e vjetër Cole Trickle (roli i Tom Cruise në Days of Thunder), i cili garonte në NASCAR në vitet ’90”, ka thënë Kosinski.
Ai ka menduar që do të ishte histori fantastike, por ndoshta e pamundur për t’u realizuar.

“Flasim për një “Mission: Impossible” të vërtetë. Do të ishte shumë, shumë e vështirë për t’u bërë”, ka thënë ai.
Kanë kaluar më shumë se tre dekada që nga hera e fundit kur Cruise, 63 vjeç dhe Pitt 61 vjeç, kanë punuar bashkë, në filmin “Interview With the Vampire” të vitit 1994.

Kosinski ka zbuluar se kishte tentuar t’i bashkonte aktorët edhe më herët, në projektin “Go Like Hell”, një dramë rreth garave që më vonë u shndërrua në filmin “Ford v Ferrari” me Matt Damon dhe Christian Bale.
“Madje bëmë edhe një lexues të skenarit në shtëpinë e Tom, me Bradin dhe të tre aty bashkë. Ishte moment surreal”, ka thënë ai.
Regjisori tutje ka kujtuar se Cruise ka marrë pjesë në premierën e “F1” në Londër, ku dy aktorët patën rastin të takoheshin përsëri.
“Do të ishte e mrekullueshme sikur të gjenim një mënyrë për t’i parë të dy në të njëjtin film”, ka shtuar Kosinski.

Ai ka pranuar se suksesi i madh i “F1”, që është bërë filmi me fitimet më të mëdha të karrierës së Pitt, ishte lehtësim i madh.
“Sa herë që një film funksionon, për mua është thjesht një frymëmarrje lehtësimi. Sepse kurrë nuk e di çfarë do të ndodhë. Nuk ke asnjë ide se si do të pritet një film deri sa të shfaqet. Ka qenë fantastike ta shohësh mënyrën se si është pritur ky projekt”, ka thënë regjisori.