Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tetë gjëra që duhet të dini për mikrobiomën e zorrëve

Mikrobioma e zorrëve

Mikrobioma e zorrëve

Mikrobioma e zorrëve, miliarda baktere dhe mikroorganizma që jetojnë në sistemin tretës, luan rol shumë më të madh sesa thjesht tretja e ushqimit. Ajo ndikon në sistemin imunitar, metabolizëm, humor dhe madje edhe në funksionimin e trurit, ka shkruar NPR.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shumë produkte dhe këshilla që premtojnë “riparimin” ose “optimizimin” e mikrobiomës nuk mbështeten plotësisht nga shkenca.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nuk ka ende një përkufizim të saktë të mikrobiomës “së shëndetshme”

Përbërja e mikrobiomës ndryshon nga një person te tjetri dhe ndikohet nga dieta, gjenetika, mënyra e jetesës dhe vendi ku jeton një person. Prandaj nuk ekziston një test i vetëm që mund të tregojë me saktësi sa e shëndetshme është mikrobioma juaj.

Nuk ka vetëm baktere “të mira” dhe “të këqija”

Sipas shkencëtarëve rëndësi ka mënyra se si funksionon i gjithë komuniteti i mikroorganizmave. Disa baktere ndihmojnë në tretjen e fibrave dhe prodhimin e substancave që mbrojnë zorrët, por çdo person ka një kombinim unik.

Mikrobioma moderne ka sfida, por nuk është e dëmtuar

Përdorimi i antibiotikëve, mungesa e fibrave në ushqim dhe qëndrimi ulur për kohë të gjatë mund të ndikojnë negativisht te zorrët. Megjithatë, ekspertët thonë se mikrobioma jonë është përshtatur me mjedisin modern dhe nuk duhet parë si “e prishur”.

Testet komerciale të mikrobiomës kanë vlerë të kufizuar

Shumë kompani ofrojnë analiza të fecesit që pretendojnë të tregojnë gjendjen e mikrobiomës. Sipas ekspertëve, rezultatet shpesh janë të vështira për t’u interpretuar dhe nuk japin informacion të besueshëm për shëndetin e përgjithshëm.

Probiotikët mund të ndihmojnë, por jo gjithmonë

Disa probiotikë kanë treguar përfitime në raste të caktuara, si parandalimi i diarresë pas përdorimit të antibiotikëve. Megjithatë, jo çdo produkt probiotik funksionon njësoj për të gjithë.

Fibrat dhe ushqimet e fermentuara janë aleatët më të mirë

Ekspertët rekomandojnë konsumimin e më shumë frutave, perimeve, arrave dhe ushqimeve të pasura me fibra. Ushqimet e fermentuara si kosi, kefiri e lakra turshi mund të rrisin diversitetin e mikroorganizmave të dobishëm në zorrë.

Kufizoni ushqimet ultra të përpunuara dhe alkoolin

Dieta e pasur me sheqer të rafinuar, yndyra të ngopura dhe ushqime të shumëpërpunuara mund të ndikojë negativisht në mikrobiomë. Edhe konsumimi i tepërt i alkoolit lidhet me dëmtime të zorrëve dhe ndryshime të padëshiruara në bakteret e tyre.

Stili i jetesës ka ndikim të madh

Gjumi cilësor, aktiviteti fizik i rregullt dhe menaxhimi i stresit janë po aq të rëndësishëm sa dieta. Studiuesit thonë se kur trupi është në gjendje të mirë, zakonisht edhe mikrobioma funksionon më mirë.

“Shkenca e mikrobiomës nuk ka zbuluar ndonjë formulë magjike që ju bën të përsosur. Nuk ka nevojë të besoni se një produkt apo ‘ilaç mrekullibërës’ do ta përmirësojë menjëherë mikrobiomën tuaj”, ka thënë profesori Fergus Shanahan.

Sipas ekspertët receta më e mirë është ushqim i larmishëm dhe natyral, më shumë fibra, aktivitet fizik, gjumë i mirë dhe më pak stres.