Aktori Sylvester Stallone dhe bashkëshortja e tij, Jennifer Flavin, kanë festuar 29-vjetorin e martesës.
Gati tri vjet pasi çifti u nda për një kohë të shkurtër, 79 vjeçi ka ndarë një fotografi me Flavinin 57 vjeçe, ku shihen ulur bashkë në një kolltuk duke festuar datën 17 maj, që shënon përvjetorin e dasmës së tyre që ka ndodhur në vitin 1997, ka shkruar FemaleFirst.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStallone dhe Flavin janë takuar në një restorant në vitin 1988 para se të “ndërtonin” njërën nga martesat më stabile e të gjata në Hollywood.
Bashkë ata kanë vajzat, Sophia Stallone, 29 vjeçe, Sistine Stallone, 27 vjeçe dhe Scarlet Stallone 24 vjeçe, të cilat paraqiten në reality shown familjarë të tyre, “The Family Stallone” në Paramount+.
“Urime përvjetorin, ti i jep kuptim jetës time”, ka shkruar aktori në postimin e tij në Instagram.
Ndërkohë Flavin i është përgjigjur përmes një komenti.
“Të dua, ti je gjithçka për mua”, ka shkruar ajo.
Vajza e tyre Sistine gjithashtu ka shënuar ngjarjen përmes disa postimeve në InstaStory duke shkruar “29 vjet sot”.
Ky përvjetor i çiftit vjen pas një periudhe të trazuar në marrëdhëninen e çiftit.
Në muajin gusht të vitit 2022, Flavin kishte paraqitur dokumentet e divorcit nga Stallone pas 25 vjetësh martesë, duke përmendur në dokumente se aktori ka “shfrytëzuar në mënyrë të shthurur pasurinë e përbashkët martesore”.
Por çifti u pajtua pas disa javësh, pasi treguan se i kishin rivlerësuar pronat e përbashkëta.
Stallone pati thënë për The Hollywood Reporter se kishte bërë gabim që kishte vendosur punën përpara familjes, dhe se nuk do ta përsëriste më gabimin.
Ai mbetet një nga yjet më të njohur të filmave aksion për gati pesë dekada përmes filmave “Rocky” “Rambo” dhe “The Expendables”.
Së fundmi Stallone ka rikthyer suksesin në karrierën e tij falë serialit “Tulsa King”, i cili u kthye në një nga projektet më të suksesshme të platformës Paramount+ dhe e prezantoi aktorin edhe te një audiencë më e re televizive.
Po ashtu, reality show “The Family Stallone” u dha fansave një pamje më personale të jetës familjare të aktorit, duke trajtuar tema si plakja, tensionet familjare dhe zhvendosja nga Los Angeles në Florida.
Sipas Robb Report, familja shiti rezidencën e tyre në Hidden Hills për 17 milionë dollarë në vitin 2023, përpara se të transferohej përfundimisht në Florida.
Gjatë një episodi të “The Family Stallone”, Stallone ka pranuar se fillimisht nuk kishte qenë i bindur të largohej nga Kalifornia.
“Nuk është e lehtë për mua të largohem nga Kalifornia. Por Jennifer e dëshironte shumë këtë dhe unë pranova”, ka thënë ai.
Stallone është gjithashtu baba i Seargeoh Stallone, 46 vjeç, dhe i të ndjerit Sage Stallone, i cili vdiq në vitin 2012 në moshën 36-vjeçare. Të dy janë nga martesa e tij e parë me Sasha Czack.
Aktori ka folur shpesh vitet e fundit për dëshirën që të kalojë më shumë kohë me familjen, pas dekadash të tëra duke balancuar jetën private me karrierën e tij të suksesshme në filmat e Hollywoodit.