Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka bërë të ditur se synon të publikojë albumin e saj të katërt në fillim të vitit të ardhshëm, duke shënuar kështu një rikthim të fuqishëm pas një periudhe përqendrimi në projekte të tjera, përfshirë karrierën e saj në aktrim.
Në një intervistë për një radio në Melburn, Ora tha: “Albumi i ri po vjen patjetër. Jam shumë e përqendruar në këtë projekt dhe mezi pres të dal në turne – nuk kam bërë turne që nga viti 2018”.
Ajo shtoi se pas vitesh angazhimesh të ndryshme në film dhe televizion, tashmë synon të kthehet te muzika.
“Karriera ime ka qenë shumë interesante. Kam bërë film, TV… një lloj shpërndarjeje jashtë vetes. Në vitin e ri do të kthehem brenda vetes – për të ‘pastruar shtëpinë’ dhe për të udhëhequr me qëllim,” u shpreh ajo.
Këngëtarja e hitit “Heat” tha gjithashtu se planifikon që turneun ta mbajë në Australi dhe Zelandë të Re – dy vende që thotë se i ndjen si “shtëpinë e dytë”, sidomos pas martesës me regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi, në vitin 2022.
“Jam 100% e sigurt që do të performoj në Australi, pastaj në Zelandë të Re dhe përsëri prapa – tashmë është si shtëpia ime e dytë,” theksoi ajo.
Ndërkohë, 34-vjeçarja ka zbuluar muajin e kaluar se është duke punuar në një dokumentar të tipit “fly-on-the-wall”, duke theksuar se ka tetë vjet material të grumbulluar.
“Kam filmuar veten që nga viti 2015 dhe një ditë do ta përdor gjithë atë material,” tha ajo për rubrikën Bizarre të gazetës The Sun on Sunday.
“Kam pasur raste kur më janë përmbytur dhomat e zhveshjes, veshjet nuk më kanë ardhur me kohë. Ndonjëherë nuk kam pasur as grimier dhe jam fshehur nën syze dielli,” rrëfeu ajo me humor.
Ora ka zbuluar gjithashtu se bashkëshorti i saj, Taika Waititi, ka qenë regjisori i videoklipit të këngës së saj më të fundit “All Natural”, dhe se ai nuk është përmbajtur në inkurajimin e ekipit për të kapur disa pamje provokuese gjatë xhirimeve.
“Ishte shumë qesharake. Kameramani, që është shoku i ngushtë i Taikës dhe punon gjithmonë me të, po filmonte dhe Taika i thoshte: ‘Xhiroje të pasmen, xhiroje të pasmen’.
Kameramani i thoshte: ‘Nuk ndjehem rehat, nuk e di...’, kurse Taika vazhdonte: ‘Je mirë, xhiroje, futu aty!’,” tha Rita duke qeshur.