Regjisori i filmave “Scarface”, “Platon”, “JFK”, “Alexander” dhe shumë filmave të tjerë, fitues i trefishtë i çmimit “Oscar”, Oliver Stone, ishte i pranishëm në “Paradën e Fitores” në Moskë, të organizuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Në pamjet e publikuara nga agjencia e lajmeve Associated Press, Stone shihet i pranishëm në ngjarjen në fjalë.

Rusia ka shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë Naziste me një paradë të madhe ushtarake në Sheshin e Kuq, në prani të presidentit Vladimir Putin dhe liderëve të huaj si presidenti kinez Xi Jinping dhe ai brazilian Luiz Inácio Lula da Silva.
9 Maji, Dita e Fitores, është festa më e rëndësishme jofetare në Rusi. Ceremonitë madhështore, përfshirë paradën në Moskë, janë një mënyrë për Kremlinin që të projektojë fuqinë e Rusisë dhe të forcojë aleancat që ka ndërtuar si kundërpeshë ndaj Perëndimit, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e katërt.
Gjatë një vizite në studiot filmike “Moskino”, Stnone pati thënë për mediat ruse se po planifikonte të jetë aty, ka raportuar EuroAsiaDaily.
“Po, planifikoj të jem aty. Kam qenë edhe më parë, shumë vite më parë. Ishte një paradë mbresëlënëse dhe e jashtëzakonshme”, u shpreh Stone për agjencinë TASS.

Regjisori ka shtuar se shpreson që gjithçka të kalojë pa incidente.
“Shpresoj që nesër ose pasnesër gjithçka të shkojë mirë, e dini?”, ka thënë ai.
I njohur për dokumentarët kritikë ndaj politikës perëndimore, Stone, më herët në aktivitetin “Knowledge. The first ones” ka theksuar se “Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë e madhe për SHBA-në, por rusët e fituan atë”.
Ai ka kritikuar mënyrën si mësohet historia në Perëndim.
“Edhe pse evropianët dhe amerikanët përpiqen të studiojnë historinë, perëndimi nuk mban mend asgjë”, ka thënë regjisori.
Në përfundim, ai u shpreh i shqetësuar për zhvillimet aktuale.
“Bota është në një gjendje të tmerrshme. Bashkimi Evropian ka fshirë Rusinë nga kujtesa. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë ylli.
Stone ishte në një vizitë në Shqipëri gjatë muajit korrik të vitit të kaluar.