Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Reese Witherspoon, ka luajtur rol të rëndësishëm në realizimin e serialit të ri “Elle”, një parathënie e filmit të famshëm “Legally Blonde”, ku ajo është edhe producente ekzekutive.
Seriali, i cili u publikua në Prime Video më 1 korrik, tregon jetën e Elle Woods gjatë viteve të shkollës së mesme, shumë përpara se ajo të niste studimet në Harvard.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas producentes, Caroline Dries, Witherspoon nuk ishte e përfshirë çdo ditë në shkrimin e skenarit, por ndau vazhdimisht ide të vlefshme.
“Ajo lexoi planin e sezonit të parë, bëri pyetje dhe na jepte vazhdimisht ide të shkëlqyera nga përvoja e saj. Na thoshte: ‘Po sikur të provonim këtë ose atë?’ dhe ne përgjigjeshim: ‘Po, patjetër!’”, ka thënë Dries për revistën PEOPLE.
Sipas saj, Witherspoon këmbënguli që seriali të pasqyronte sa më besnikërisht jetën e adoleshentëve në vitet '90.
“Ajo donte të sigurohej që po e paraqisnim si duhet përvojën e shkollës së mesme në atë periudhë”, ka shtuar Dries.
Edhe producentja Laura Kittrell ka treguar se Witherspoon i inkurajoi skenaristët të përfshinin detaje dhe ndjesi karakteristike të viteve ‘90, ndërsa u dha atyre liri të plotë krijuese.
Regjisori dhe producenti Jason Moore ka thënë se Witherspoon u mbështet edhe në përvojën e saj si nënë.
“Ajo na tregonte: ‘Ja çka po përjetonin fëmijët e mi dhe çka mbaj mend nga koha kur isha një vajzë e re’”, ka thënë ai.
Sipas Moore, Witherspoon ishte shumë e hapur ndaj ideve të reja.
“Ajo e di që është Elle Woods, por e kupton se ky personazh ka marrë një kuptim të veçantë për shumë njerëz. Në çdo takim donte të dëgjonte ide të reja”, u shpreh ai.
Ndërkohë, producentja Lauren Neustadter zbuloi se Witherspoon këmbënguli që përzgjedhja e aktores kryesore të bëhej përmes një audicioni të hapur.
“Ajo mendoi se gjëja më e drejtë, ashtu si do të bënte edhe vetë Elle Woods, ishte t'i jepte çdo vajze të re mundësinë të konkurronte për rolin”, ka thënë Neustadter.
Pas mijëra aplikimeve, roli i Elle Woods së re iu besua aktores së re Lexi Minetree.
“Lexi na tërhoqi menjëherë vëmendjen. Audicioni i saj ishte shumë argëtues dhe interpretimi ishte i jashtëzakonshëm”, ka shtuar producentja.
Witherspoon interpretoi për herë të parë Elle Woods në filmin “Legally Blonde” në vitin 2001, ndërsa u rikthye në vazhdimin e tij në vitin 2003. Personazhi i saj mbetet një nga figurat më ikonike të komedive moderne, ndërsa seriali i ri zbulon ngjarjet që formësuan Elle Woods shumë përpara se ajo të hynte në Harvard.
Traileri i serialit: