Aktorja e njohur, Nicole Kidman, dhe këngëtari Keith Urban, me të cilin ishte e martuar për 19 vjet, janë divorcuar zyrtarisht.
Një gjykatëse në Nashville, Tennessee, ka lëshuar zyrtarisht dokumentin për përfundimin e procedurës së divorcit të ish-çiftit të mirënjohur të Hollywoodit, ka raportuar ABC News.
Gjykatësja Sephanie J. Williams ka thënë në gjykatë se fituesja e çmimit “Oscar” e fituesi i çmimit “Grammy”, kanë arritur marrëveshje për shkurorëzim pasi kanë përmbushur të gjitha kërkesat për kujdestarinë e fëmijëve si dhe për pasurinë.
Ajo gjithashtu ka thënë se në mes të çiftit ka pasur shumë mospajtime sa që nuk do të ishte e mundur të shpëtohej martesa.
Të dy, edhe Kidman edhe Urban, shmangën të drejtën për t’u paraqitur në gjykatë.
Përfaqësuesit e tyre nuk u përgjigjen në pyetjet e mediave.
Kidman ka bërë kërkesën për divorc në muajin shtator të vitit 2025. Ndarja e yjeve ka befasuar shumëkënd, por sipas raportimeve, kanë pasur mosmarrëveshje për një kohë.
Të gjitha çështjet ligjore në lidhje me ndarjen, përfshirë pasurinë e kujdestarinë e fëmijëve, janë nënshkruar ditën kur ajo bëri kërkesën e divorcit.
Në Tennessee kërkohet që çiftet me fëmijë të mitur të presin 90 ditë para se divorci të finalizohet tërësisht.
Keith e Urban, të dy nga 58 vjeç, bashkë kanë dy vajza adoleshente. Në dokumentet e divorcit thuhet se ata kanë pasur vështirësi materiale si dhe mosmarrëveshje të papërmirësueshme.
Në planin që ata kanë nënshkruar, thuhet se vajzat do të qëndrojnë më Kidmanin e do të vazhdojnë të jetojnë ne Nashville.
Dy nga yjet më të mëdhenj që vijnë nga Australia, Kidman e Urban, janë takuar për herë të parë në Los Angeles në vitin 2005 dhe janë martuar në Sydney në vitin pasues.
Martesa ishte e para për Urbanin kurse për Kidmanin e dyta, pasi ajo ishte më parë e martuar me aktorin Tom Crusie, nga viti 1990 deri në vitin 2001. Kidman gjithashtu ka dy fëmijë më të mëdhenj me Cruisen.