Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Netflix paralajmëron vazhdimin e “KPop Demon Hunters”

KPop Demon Hunters

KPop Demon Hunters

Platforma e transmetimit Netflix ka konfirmuar se do të realizojë vazhdimin e filmit të animuar “KPop Demon Hunters”, i cili është bërë filmi më i shikuar ndonjëherë në këtë platformë.

Ende nuk është bërë e ditur data e publikimit të filmit të ri. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky projekt do të jetë edhe bashkëpunimi i parë në kuadër të marrëveshjes shumëvjeçare ekskluzive që bashkëregjisorët Maggie Kang dhe Chris Appelhans kanë nënshkruar me Netflixin, ka raportuar BBC.

Lajmi është publikuar në një kohë kur kritikët parashikojnë që filmi i parë mund të fitojë çmime në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” nga Akademia e Filmit që mbahet të dielën. Filmi është nominuar në dy kategori: për filmin më të mirë të animuar dhe për këngën më të mirë origjinale.

Kënga “Golden” ka fituar tashmë çmimin për këngën më të mirë të shkruar për media vizuale në ceremoninë e ndarjes së çmimeve  “Grammy”, hera e parë që një këngë K-pop fiton këtë çmim prestigjioz.

Filmi ndjek historinë e personazheve Rumi, Mira dhe Zoey, anëtare të grupit K-pop Huntr/x, të cilat përballen me famën, ndërsa luftojnë kundër demonëve.

Në njoftimin e bërë fillimisht në rrjetet sociale nga Netflix, regjisorja Kang ka thënë se është shumë krenare për suksesin e filmit.

“Ndjej krenari të jashtëzakonshme si regjisore koreane që publiku dëshiron të shohë më shumë nga kjo histori koreane dhe nga këta personazhe koreanë. Ka shumë më tepër për të treguar nga ky univers që kemi ndërtuar dhe mezi pres ta ndaj me publikun. Ky është vetëm fillimi”, ka thënë ajo.

Në një intervistë për BBC muajin e kaluar, këngëtarja Ejae, e cila interpreton zërin e këngës së personazhit Rumi dhe ka bashkëshkruar hitin “Golden”, ka thënë se shpreson që në vazhdim të përfshihen stile të reja muzikore.

“Kjo varet nga drejtimi që do të marrë historia, por shpresoj që të tregojmë edhe më shumë anë të kulturës koreane. Ka shumë lloje të ndryshme muzike në Kore dhe unë personalisht do të doja që disa prej tyre të përfshihen”, ka thënë ajo.

Ejae ka shtuar se reagimi i publikut ndaj filmit dhe muzikës ka qenë i pabesueshëm.

“Po ndodhin shumë gjëra njëherësh dhe po përpiqem t’i përpunoj të gjitha, por është e vështirë”, ka thënë ajo.

Edhe producenti koreanojugor i muzikës, Zhun, i cili ka punuar në këngën “Golden”, ka thënë për BBC se shpreson që vazhdimi të ruajë energjinë e filmit të parë.

“Dua ta vazhdojmë energjinë e lartë që sollëm në filmin e parë”, ka thënë ai.

Producenti ka shtuar se dëshiron të ndërtohet edhe më shumë kombinimi mes muzikës dhe elementeve vizuale të filmit, që sipas tij u “dhanë shumë energji”.

Netflix nuk ka dhënë detaje të tjera për projektin. Filmit të parë iu deshën shtatë vjet për t’u realizuar, nga ideja fillestare deri te publikimi.

Në një intervistë për BBC në muajin tetor, Kang kishte lënë të kuptohej se historia mund të vazhdojë.

“Patjetër që ka më shumë gjëra që mund të bëjmë me këta personazhe dhe me këtë botë. Çfarëdo që të jetë vazhdimi, do të jetë një histori që e meriton të jetë vazhdimësi dhe diçka që edhe ne vetë do të donim ta shihnim”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, në muajin shkurt, tekstshkruesi i filmit, Mark Sonnenblick, kishte konfirmuar se një vazhdim është në zhvillim.

“Do të ketë një proces të gjatë zhvillimi para se të hyjmë thellë në shkrimin e këngëve. Muzika do të vijë nga historia dhe vetëm nëse ka kuptim që të gjithë të rikthehemi për ta bërë sërish”, ka thënë ai.

Që nga publikimi verën e kaluar, filmi është kthyer në një fenomen kulturor dhe një nga prodhimet e rralla të lidhura me K-pop që ka depërtuar fuqishëm në tregjet perëndimore, përfshirë SHBA-në.

Ani pse kryesisht në gjuhën angleze, filmi amerikan përfshin elemente të kulturës aziatike, ikonografi, ushqime dhe pjesë në gjuhën koreane, për të theksuar rrënjët e tij koreane.

Filmi ka fituar gjithashtu çmime të rëndësishme, përfshirë filmin më të mirë të animuar dhe këngën më të mirë origjinale në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Golden Globes”.

Në garën për filmin më të mirë të animuar në “Oscars”, ai përballet me tituj të tjerë si “Zootopia 2” nga Disney dhe “Elio” nga Pixar.

Sipas Netflix, në muajin janar filmi kishte thyer rekordet e platformës me më shumë se 480 milionë shikime brenda gjashtë muajve.

Ndërkohë, kënga “Golden” u ngjit në vendin e parë në listën Billboard Hot 100.