Showbiz

Mikey Madison ka dashur të mbyllej në vete pasi fitoi “Oscarin”

Mikey Madison

Mikey Madison

Mikey Madison, aktorja e re që fitoi çmimin Oscar këtë vit për rolin kryesor në filmin “Anora”, ka rrëfyer se pas suksesit të madh ka ndier një nevojë të fortë për t’u tërhequr brenda vetes.

“Më duket sikur gjithçka përreth meje ka ndryshuar, dhe kjo vetëm sa e shton nevojën time për t’u mbyllur në vete. Jam jashtëzakonisht introverte, por njëkohësisht kam edhe një dëshirë të madhe për aventura. Është një konflikt që e kam ndjerë gjithmonë, por kohët e fundit është përkeqësuar”, ka thënë 26 vjeçja në intervistë për "Vogue Italia".

Madison ka theksuar se nuk e pëlqen botën e rrjeteve sociale dhe nuk ndien mungesë kur nuk shkon në festa apo darka, megjithatë e pranon se, në brendi të saj, ekziston një presion i madh shoqëror për të bërë të kundërtën.

“Është sikur tani jam më e vetëdijshme për mënyrën se si perceptohem. Nuk jam në rrjete sociale, nuk më vjen keq që humbas një festë apo një darkë, por duket sikur shoqëria më detyron të pyes veten: ‘A duhet ta bëj edhe unë për të qenë e lumtur? Për të qenë e drejtë?’. Ne shpesh shtiremi si dikush që nuk jemi vetëm që të tjerët të ndihen rehat”, ka thënë ajo.

Aktoren, që u bë e njohur me serialin “Better Things” dhe ka luajtur edhe në filma si “Once Upon a Time in Hollywood” dhe “Scream”, regjisorin e “Anoras”, Sean Baker, e konsideron si një figurë vendimtare në karrierën e saj.

“Duket sikur Sean Baker më nxori nga errësira. Ende ndihem sikur jam në fillim të karrierës; më duket se ka ardhur koha të luaj role që më frikësojnë. Kam nevojë ta lexoj një skenar dhe të trembem”, ka shtuar ajo.

Madison ka shprehur gjithashtu admirimin e saj për aktorët e mëdhenj që, pavarësisht suksesit, nuk humbasin butësinë dhe thjeshtësinë.

“Është e mrekullueshme të takosh njerëz që ndodhen në kulmin e karrierës dhe zgjedhin të mbeten të sjellshëm. Pikërisht kjo është ajo që dua të jem edhe unë. I admiroj ata që ushqejnë ndjenjën e lojës. Edhe unë do të doja të isha më e butë me veten”, ka thënë ajo.

Në fund, ylli ka treguar për një këshillë të nënës së saj që e ka prekur shumë.

“Nëna më tha vetëm para disa ditësh: ‘Sikur të mund ta shihje veten siç i sheh të tjerët, do të ishe shumë më e lumtur’”, ka thënë ajo.