Aktori Mickey Rourke ka reaguar publikisht pasi në emrin e tij, menaxherja Kimberly Hines pati hapur një faqe GoFundMe, e cila mblodhi mbi 100 mijë dollarë, pavarësisht se ai e kishte mohuar dhe ishte distancuar nga kjo nismë.
Menaxherja e tij pati thënë se e ka hapur faqen për t’i ndihmuar, në mënyrë që të mos dëbohej nga banesa ku po qëndronte, pasi i ishte grumbulluar borxhi i qirasë për shkak të problemeve financiare.
Në një postim në Instagram, Rourke e ka quajtur fushatën “një mashtrim” dhe ka thënë se avokati i tij po punon për t’ua kthyer paratë të gjithë donatorëve, ka raportuar TMZ.
“Avokati im po bën gjithçka që ka në dorë për t’u siguruar që secili person që ka dhuruar para, t'i marrë sërish ato”, ka shkruar ai, duke shtuar se rreth 90 mijë dollarë ende duhet të rimbursohen.
Fushata ishte krijuar me pretendimin se aktori rrezikonte të dëbohej nga banesa e tij në Los Angeles, por Rourke ka thënë se as nuk e dinte çfarë ishte GoFundMe dhe se e gjithë situata ishte “frustruese dhe e turpshme”.
Ai ka sqaruar gjithashtu se tashmë ka një apartament të ri në Los Angeles, po merr oferta për punë në Hollywood dhe se shumë miq të famshëm e kanë kontaktuar për ta mbështetur.
“Gjërat janë vënë nën kontroll”, ka deklaruar aktori, duke theksuar se kriza është kaluar.
LEXO EDHE:
Mickey Rourke mohon se ka formuar llinkun për mbledhjen e fondeve për ta shmangur dëbimin - KOHA.net
Mickey Rourke mbledh mbi 84 mijë dollarë për të shmangur dëbimin nga shtëpia - KOHA.net