Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Michale B. Jordan e Jessie Bucley ndër fituesit e mëdhenj në “Actor Awards”

Ceremonia e sivjetme të çmimeve “Actor Awards” 2026

Ceremonia e sivjetme të çmimeve “Actor Awards” 2026

Foto: Associated Press

Aktorët e mirënjohur, Michael B. Jordan, Jessie Buckley dhe e ndjera Catherine O’Hara ishin ndër fituesit kryesorë në ceremoninë e sivjetme të çmimeve “Actor Awards” 2026, që më herët njiheshin si “Screen Actors Guild Awards”.

Këto çmime, të votuara nga më shumë se 160 mijë aktorë anëtarë të sindikatës së aktorëve, u riemëruan për t’i dhënë “njohje më të qartë asaj që përfaqëson ceremonia”, ka raportuar The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aktori Michael B. Jordan ka triumfuar në kategorinë e aktorit më të mirë në rol kryesor për interpretimin e dyfishtë në filmin “Sinners”, duke lënë pas favoritët si aktori Timothée Chalamet.

Michael B.Jordan

Në fjalimin e tij, ai ka falënderuar regjisorin dhe bashkëpunëtorin e hershëm Ryan Coogler, si dhe aktorët e pranishëm në sallë.

“Dashuria dhe mbështetja juaj, ndërsa më keni parë të rritem në këtë industri, do të thotë shumë për mua”, ka thënë ai.

Çmimi për kastën më të mirë në film shkoi po ashtu për aktorët e “Sinners”, mes tyre Delroy Lindo dhe Wunmi Mosaku.

“Ky projekt është i bekuar dhe, nga kjo pikëpamje, të gjithë jemi të bekuar që jemi pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm”, është shprehur Lindo në emër të ekipit.

Aktorja Jessie Buckley ka vazhduar suksesin pas fitoreve në ceremoni si “BAFTA” dhe “Golden Globes”, duke fituar çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor për filmin dramë historik “Hamnet”, me regji të Chloé Zhao. Ajo ka konkurruar me emra si Emma Stone dhe Rose Byrne.

“Jam ndryshuar thellësisht nga kaq shumë njerëz në këtë sallë dhe përtej saj”, ka thënë Buckley në skenë.

Jessie Buckley

Aktori Sean Penn u shpall aktori më i mirë në rol dytësor për filmin “One Battle After Another”, ndërsa Amy Madigan ka fituar çmimin për aktoren më të mirë dytësore për rolin në “Weapons”, duke i befasuar favoritët.

“Është një nder i madh të jem këtu. Kam shumë vite që merrem me këtë profesion. Siç po e shihni, jam e emocionuar, e mbingarkuar me emocione dhe shumë e lumtur”, ka thënë ajo.

Në kategoritë televizive, seriali i Apple “The Studio” ka dominuar në komedi, duke fituar tre çmime, përfshirë atë për kastën më të mirë. 

Bashkëkrijuesi dhe aktori kryesor Seth Rogen u shpall aktori më i mirë në komedi.

Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte çmimi pas vdekjes për Catherine O’Hara për rolin e saj në “The Studio”.

Ajo ka vdekur në muajin janar të këtij viti.

Rogen e pranoi çmimin në emër të saj mes duartrokitjeve në këmbë, duke e quajtur një “nder shumë i trishtë”.

“E di që do të ishte e nderuar ta merrte këtë çmim nga kolegët e saj aktorë. Ajo kishte aftësinë të ishte bujare, e dashur dhe e sjellshme, pa e zvogëluar asnjëherë talentin dhe kontributin e saj në punën që bënte”, ka thënë ai.

Çmimi për kastën më të mirë në dramë shkoi për serialin mjekësor “The Pitt”, që la pas prodhime si “The White Lotus” dhe “Severance”.

“Nuk kam qenë kurrë më krenar për një grup njerëzish në jetën time. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës”, ka thënë aktori Noah Wyle.

Ai ka fituar edhe çmimin për aktorin më të mirë në një serial dramë. 

Seriali i Netflixit “Adolescence” ka vazhduar suksesin, me Owen Cooper që fitoi si aktori më i mirë në një mini-serial.

Në moshën 16-vjeçare, ai është fituesi më i ri ndonjëherë në këtë kategori.

Michelle Williams u shpall aktorja më e mirë në mini-serial për rolin në “Dying for Sex”, duke lënë pas Erin Doherty.

Michelle Williams

Në kategorinë e aktores më të mirë në dramë, ka fituar Keri Russell për serialin “The Diplomat”.

Çmimi për arritje jetësore iu dha legjendës së kinemasë Harrison Ford, i prezantuar nga Woody Harrelson, i cili e quajti atë “një njeri i vërtetë i Rilindjes”.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë vëmendje, por mbi të gjitha jam i përulur”, ka thënë Ford. Me humor, ai ka shtuar se çmimi ishte “për faktin që është gjallë”.

Harrison Ford

“E konsideroj veten një njeri me fat, me fat që kam gjetur njerëzit e mi, me fat që kam një punë që më sfidon, me fat që vazhdoj ta bëj dhe nuk e marr kurrë si të mirëqenë”, ka thënë ai gjatë fjalimit.

Çmimet për performancat më të mira të akrobatëve shkuan për “Mission: Impossible – The Final Reckoning” dhe “The Last of Us”.

Ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në platformën Netflix dhe u prezantua nga aktorja Kristen Bell, e njohur nga seriali “Nobody Wants This”.

Ajo e hapi mbrëmjen me fjalët: “Mendoj se bota ka nevojë për pak lehtësi tani, prandaj sonte do ta mbajmë atmosferën argëtuese”.

Edhe pse mbrëmja pati pak fjalime politike, në tepihun e kuq, aktorja Wunmi Mosaku, duke mbajtur një stemë me mbishkrimin “ICE out”, e quajti ICE “të tmerrshme”, që është si lloj fushate kundër autoriteve amerikane të imigracionit.

“Nuk besoj në atë që kjo administratë po ua bën njerëzve në këtë vend”, ka thënë ajo.

Mbrëmjen e mbylli presidenti i SAG-AFTRA, Sean Astin, i njohur për rolin në “The Lord of the Rings”, duke ofruar “një lutje të sinqertë për paqe” në emër të komunitetit të aktorëve.

Ndërkohë, ceremonia e sivjetme e “Oscars”, ku filmi “Sinners” kryeson me nominime, do të mbahet më 15 mars.