Regjisori legjendar Martin Scorsese pritet të prezantojë një projekt të ri filmik në nder të Papa Françeskut, me një shfaqje private në Vatikan, duke shënuar njëvjetorin e vdekjes së tij.
Projekti filmik, i titulluar “Aldeas, the Final Dream of Pope Francis”, do të prezantohet më 21 prill, pikërisht një vit pas ndarjes nga jeta të Papës, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProjekti i Scorseses, i mbështetur nga organizata globale katolike Scholas Occurrentes e themeluar nga Papa Françesku, përfshin pamje të xhiruara në vende të ndryshme të botës dhe përmban atë që konsiderohet si dëshmia e fundit e regjistruar e Papës.
Sipas materialeve zyrtare, projekti filmik bashkon komunitete të ndryshme që tregojnë historitë e tyre. Një pjesë e rëndësishme është edhe rikthimi i Scorseses në fshatin e tij të origjinës në Sicili, ku ai ka punuar me të rinj vendas për të realizuar një film.
Materialet promovuese e përshkruajnë projektin si “një ndërthurje e fuqishme e vizioneve të Papa Françeskut dhe Martin Scorseses për artin, spiritualitetin dhe njerëzimin”, duke shtuar se ky filmim “shkon përtej kinemasë tradicionale, duke e kthyer rrëfimin në një akt rezistence, identiteti dhe qëllimi, dhe duke e vendosur filmin si një forcë për një kulturë të re”.
Vetë Papa Françesku e kishte përshkruar projektin si të jashtëzakonshëm.
“Një projekt jashtëzakonisht poetik dhe thellësisht transformues, sepse prek rrënjën e jetës njerëzore: shoqërinë tonë, konfliktet tona dhe vetë thelbin e rrugëtimit të jetës”, pati thënë ai.
Në një deklaratë shoqëruese thuhet se Papa Françesku e dinte rëndësinë që ka kinemaja në kulturën e takimit të njerëzve mes vete.
“Papa Françesku e kuptoi se kinemaja do të luante një rol themelor në realizimin e kulturës së takimit. Duke nisur nga periferitë, projekti krijon hapësirë që njerëzit të tregojnë historitë e tyre, duke festuar diversitetin kulturor dhe duke nxitur dialog ndërkulturor dhe ndër breza. Është një lloj i ri kinemaje, i lindur nga një lloj i ri edukimi, që ndihmon në formësimin e një kulture të re”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, Scorsese u shpreh se ky projekt filmik është një homazh për Atin e Shenjtë.
“Ai nderon kujtimin e tij duke mishëruar frymën e shërbesës së tij dhe ëndrrën e tij për krijimin e një kulture gjithnjë e më njerëzore. Në këtë moment të historisë, besoj se kjo nuk është vetëm një ëndërr, por një domosdoshmëri”, ka thënë ai.
Në një intervistë për Variety gjatë “Taormina Film Festival”, regjisori ka folur edhe për lidhjen e tij me Sicilinë.
“Në njëfarë mënyre, kjo lidhje me Sicilinë, e kombinuar me përvojat fetare, më ka nxitur një kureshtje dhe një kërkim për identitetin tim, për të kuptuar kush jam”, ka thënë regjisori.
Projekti filmik është prodhuar nga “Aldeas Scholas Films”, në bashkëpunim me “Sikelia Productions dhe Massive Owl Productions”.
Në mesin e producentëve janë Teresa Leveratto, Ezequiel del Corral dhe Alfonso Gomez-Rejon, ndërsa producentët ekzekutivë përfshijnë Lisa Frechette, Romilda de Luca, Ariel Tcach dhe Ariel Broitman.
Projekti drejtohet nga Clare Tavernor dhe Johnny Shipley, së bashku me producenten Amy Foster, ndërsa në aspektin e xhirimit kontribuojnë edhe kineastët Ellen Kuras dhe Salvatore Totino.
VIDEO: