Showbiz

Margot Robbie i bën Jacob Elordit një dhuratë të veçantë pas “Wuthering Heights”

Margot Robbie dhe Jacob Elordi

Margot Robbie dhe Jacob Elordi

Foto: Associated Press

Aktorja Margot Robbie i ka bërë një dhuratë të veçantë kolegut të saj, Jacob Elordi, pas përfundimit të xhirimeve të filmit të ri “Wuthering Heights”.

35-vjeçarja ka porositur unaza të punuara me dorë, identike për të dy, si kujtim të kohës që kaluan së bashku në rolet e Catherine dhe Heathcliff, ka shkruar Vogue.

Secila unazë tregon dy skelete të përqafuara dhe mban të gdhendur citatin e autores Emily Brontë: “Whatever our souls are made of, his and mine are the same” (Nga çfarëdo qofshin të përbërë shpirtrat tanë, i imi e i atij janë të njëjtë).

Unazat prej ari dhe të punuara me smalt janë krijuar nga disenjatorja britanike e stolive Cece Fein-Hughes, e cila ka folur për projektin në Instagram.

“Çfarë nderi ishte të krijoja këto unaza për Margot Robbien dhe Jacob Elordin, për ta festuar kohën e tyre gjatë xhirimeve si Catherine dhe Heathcliff”, ka shkruar ajo.

Disenjatorja ka shtuar se çdo detaj synonte të tregonte “një histori pasioni, përkushtimi dhe romance të egër”.

Unazat mbajnë gjithashtu inicialet e personazheve dhe shifrat “1847–2026”, që i referohen vitit të botimit të romanit klasik dhe publikimit të filmit të ri.

“Dhuruar Jacobit nga Margot, unaza paraqet dy skelete të ndërthurura në të njëjtën pozë si posteri ikonik i filmit, një kujtesë se dashuria nuk vdes kurrë. Me kalimin e kohës dhe kur gjithçka tjetër zbehet, ajo që mbetet është lidhja e përjetshme mes dy shpirtrave”, ka shpjeguar Fein-Hughes.

Nga ana tjetër, Elordi ka pranuar se ka qenë i magjepsur nga kolegia e tij australiane gjatë xhirimeve. Aktorja Margot Robbie është e martuar me producentin Tom Ackerley që nga viti 2016.

“Kemi një obsesion të ndërsjellë. Mendoj se pavarësisht skenarit, nëse ke mundësinë të ndash një set filmi me Margot Robbien, do të sigurohesh të jesh gjithmonë brenda pesë deri dhjetë metrash në afërsi të saj. E shikon se si pi çaj, si ha ushqimin, si i bën gjërat… dhe pret momentin kur diçka do të shkojë keq. Por ai moment nuk vjen kurrë”, ka thënë ai për Fandango.