Showbiz

Lil Nas X deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave se ka sulmuar policinë

Lil Nas X

Lil Nas X në burg

Foto: Associated Press

Artisti, Lil Nas X, ka dalë para gjykatës në Los Angeles të hënën dhe është deklaruar i pafajshëm ndaj katër akuzave për krime të rënda, pasi dyshohet se ka sulmuar policët në Studio City javën e kaluar.

Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Montero Lamar Hill, u akuzua për tre vepra të “sulmit me lëndim ndaj një polici” dhe një vepër për “rezistencë ndaj një oficeri ekzekutiv”, konfirmoi Zyra e Prokurorit të Qarkut të Los Angeles për Rolling Stone.

Gjykatësi i ka caktuar garanci prej 75 mijë dollarësh dhe e urdhëroi Hillin që të marrë pjesë në katër takime javore të “Narcotics Anonymous”, ose të ndjekë trajtim ambulant për përdorimin e substancave, raportoi ABC 7 Los Angeles.

Sipas policisë, incidenti ndodhi të premten e kaluar rreth orës 6 të mëngjesit, kur ai u pa duke ecur në Ventura Boulevard vetëm me të brendshme dhe çizme të bardha kauboji. Videoja e publikuar nga TMZ tregonte Hillin duke folur në mënyrë të çrregullt me personin që e filmonte. Kur oficerët mbërritën në vendngjarje dhe tentuan ta ndalonin, “Hill u vërsul ndaj tyre”, thuhet në raportin policor.

Fillimisht ai u dërgua në spital për mbidozë të mundshme, ku kaloi disa orë, përpara se të transferohej në burg, ku qëndroi gjatë fundjavës.

Ngjarja pasoi disa postime të çuditshme në Instagramin e tij, pasi dy ditë më parë kishte fshirë të gjitha publikimet e vjetra. Të mërkurën ai ka ndarë këngë të papublikuara, selfie para pasqyrës, artin e tij dhe grumbuj sendesh në shtëpi, gjë që ngriti shqetësime te fansat.

Nuk është hera e parë këtë vit që Hill përballet me probleme shëndetësore. Në prill ai kishte ndarë një video nga shtrati i spitalit, duke treguar se vuante nga paralizë e pjesshme e fytyrës, megjithëse nuk e bëri publik shkakun.

 Lexo edhe:
Lil Nas X arrestohet dhe dërgohet në spital - KOHA.net