Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lea Seydoux rrëfen për problemet me sulmet e panikut

Lea Seydoux

Lea Seydoux

Foto: Associated Press

Aktorja franceze Lea Seydoux ka zbuluar se prej më shumë se 22 vjetësh jeton me sulme paniku, një përvojë që e ka shoqëruar që nga mosha 18-vjeçare.

40-vjeçja, e njohur për rolin e Madeleine Swann në filmat e James Bondit “Spectre” dhe “No Time to Die”, ka treguar në një intervistë për Variety se edhe tash vazhdon të përjetojë episode të forta ankthi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kur isha 18 vjeçe, kisha sulme të forta paniku. Edhe tani vazhdoj të kem sulme të forta paniku”, ka thënë Seydoux.

Ajo e ka përshkruar një nga momentet më të vështira që ka përjetuar gjatë një sulmi paniku.

“Më kujtohet një sulm paniku kur po shikoja veten në pasqyrë dhe mendova: ‘Kjo jam unë. Jam vetvetja. Ajo që po shoh në pasqyrë jam vërtet unë’”, ka thënë aktorja.

Seydoux ka treguar se shpesh përjeton edhe ndjesi shkëputjeje nga vetja, sidomos kur sheh filmat ku luan.

“Kur shoh një film me veten time, ndonjëherë mendoj: ‘A jam vërtet unë? A dukem vërtet kështu?’”, ka thënë ajo.

Ylli i filmit “Dune: Part Two” ka folur gjithashtu për arsyen personale që e shtyu drejt aktrimit.

Aktorja, e cila ka dy fëmijë me partnerin e saj Andre Meyer, ka pranuar se shpesh ka vënë në dyshim ekzistencën dhe identitetin e saj.

“Ndonjëherë kam ndjesinë sikur askush nuk më sheh. Askush nuk po më kushton vëmendje. A jam vërtet një person real?”, ka rrëfyer ajo.

Seydoux ka dhënë edhe një rrëfim shumë personal për lidhjen që ka me profesionin e saj.

“Do t’ju tregoj diçka shumë intime. Arsyeja pse bëj këtë punë… nuk është se kam dashur vërtet të bëhem aktore, por kam dashur të ekzistoj. Sipas meje, mënyra e vetme për të ekzistuar ishte që imazhi im të incizohej në film dhe të kisha një provë që ekzistoj”, ka thënë ajo.

Ajo ka pranuar se shpesh ka ndier se njerëzit nuk interesoheshin për të, ndaj aktrimi u bë një mënyrë për t’u ndier e dukshme.

“Kisha ndjesinë sikur askush nuk interesohej për mua. Prandaj aktrimi është kaq i rëndësishëm dhe themelor për mua. Kam nevojë të më shohin”, ka thënë Seydoux.

Para xhirimeve të filmit të saj më të ri “The Unknown”, aktorja ka treguar se ishte pushtuar nga pasiguria, pasi nuk kishte ndjekur ndonjë shkollë aktrimi.

“Nuk kam studiuar kurrë në teatër. Kam mësuar të aktroj përpara kamerës”, ka thënë ajo.

Pavarësisht eksperiencës së gjatë në kinema, Seydoux ka pranuar se ende dyshon te vetja.

“Kam bërë shumë filma, por ndonjëherë ende mendoj se nuk do të jem kurrë në gjendje ta bëj këtë”, ka treguar aktorja.

Megjithatë, ajo ka thënë se gjatë punës në projektin e fundit ka ndier një transformim të plotë me personazhin.

“Diçka ndryshoi brenda meje. Kuptova personazhin dhe mendova: ‘Në rregull, tani jam David’. U transformova plotësisht nga ky personazh. Ishte një burrë në trupin e një gruaje. Kjo është ajo që dua te kinemaja”, ka thënë ajo.

Në fund, Seydoux ka theksuar se ani pse është kurioze të dijë si priten filmat e saj nga publiku, për të aktrimi mbetet një kënaqësi personale.

“Bëj filma për njerëzit, por sapo filmi përfundon, ai nuk më përket më mua. Kur aktroj, është një kënaqësi egoiste. Gjatë xhirimeve jam totalisht e përfshirë dhe jap gjithçka që personazhi të duket i besueshëm dhe njerëzor”, ka përfunduar ajo.