Showbiz

Jacob Elordi rrëfen aksidentin që i ka ndodhur gjatë xhirimeve të “Wuthering Heights”

Jcob Elordi

Foto: James Harvey-Kelly

Aktori Jacob Elordi ka përfunduar në spital pas një aksidenti të dhimbshëm në banjë gjatë xhirimeve të filmit “Wuthering Heights”.

Ylli 28-vjeçar ka treguar se incidenti ndodhi në një moment pushimi nga xhirimet, duke bërë shaka se “aktrimin” e çoi paksa shumë larg.

Në një intervistë për revistën “Esquire”, Elordi ka rrëfyer se gjithçka nisi gjatë punës për pamjen e personazhit Heathcliff.

“Sian Miller, grimierja, po krijonte shenjat e kamxhikut në shpinën e Heathcliffit. Ajo më tha: ‘Nëse Daniel Day-Lewis do ta luante Heathcliffin, do të vinte me plagë të vërteta’. Unë i thashë: ‘Mirë, do të iki fundjavën dhe do ta gjymtoj veten për ta provuar që jam Heathcliff!’”, ka treguar ai me humor.

Elordi ka shpjeguar se në shtëpinë ku po qëndronte gjatë xhirimeve kishte një dush me avull, me “një dorezë bronzi nga e cila dilte avulli nga muri”.

Ai ka treguar se ishte ulur në dyshemenë e dushit për të pastruar këmbët, kur ndodhi aksidenti.

“Historia e plotë është se kur po xhiroja filmin ‘Frankenstein’, kisha gjithmonë shumë grim në gishta dhe në këmbë, dhe e lija aty gjatë gjithë xhirimeve sepse s’më duhej ta laja. Në rolin e Heathcliffit isha i mbuluar me papastërti dhe baltë, dhe mendova: ‘Nuk do ta bëj më këtë, do t’i pastroj këmbët siç duhet çdo natë dhe do të shkoj në punë i freskët ditën tjetër’”, ka shpjeguar ai.

Por përpjekja për higjienë përfundoi keq.

“U përkula mbrapa dhe shpina ime u përplas direkt me atë dorezë të avullit. U çova duke bërtitur, më dogji keq shpinën. Kur shkova në punë të hënën, kisha djegie të shkallës së dytë”, ka treguar Elordi.

Regjisorja e filmit, Emerald Fennell, ka kujtuar momentin kur u informua për aksidentin dhe frikën fillestare që pati.

“Mendoj se ishte në javën e parë të xhirimeve. Mora një mesazh nga producenti Josey McNamara që thoshte: ‘Jacob është në spital’. Sigurisht që mendova: ‘O Zot, ka pasur aksident me makinë’, dhe pastaj ai më tha: ‘I është djegur shpina në dush’”, ka rrëfyer Fennell.