Showbiz

Jada Pinkett-Smith akuzohet se e ka kërcënuar me vdekje një ish-bashkëpunëtor

Jada Pinkett Smith

Jada Pinkett Smith

Foto: Associated Press

Aktores Jada Pinkett Smith i është kërkuar dëmshpërblim prej 3 milionë dollarësh nga Bilaal Salaam, i njohur edhe si Brother Bilaal, i cili pretendon se ajo e ka kërcënuar fizikisht pasi ai ka “ndarë punët e saj personale”.

Salaam, që e përshkruan veten si “mik i ngushtë i Will Smith për gati 40 vjet”, ka paraqitur një padi të re, të raportuar nga revista PEOPLE.

Në të thuhet se Pinkett Smith është përballur me të më 25 shtator 2021, në lobin e Regency Calabasas Commons, gjatë festës private të ditëlindjes se 53-të të bashkëshortit të saj, aktorit, Will Smith.

Sipas padisë, Pinkett Smith kishte rreth “shtatë persona nga ekipi i saj” me vete dhe është bërë “verbalisht agresive”, duke e kërcënuar me fjalët: “Nëse nuk ndalon së treguari punët e mia personale, do të përfundosh i zhdukur ose do ta marrësh një plumb”.

Ai pretendon se aktorja i ka kërkuar me detyrim të nënshkruante një marrëveshje mos-zbulimi (NDA), duke i thënë se duhej ta firmoste “ose përndryshe”.

Në padi thuhet se pjesëtarë të ekipit të saj e kanë ndjekur Salaam deri te vetura e tij, duke vazhduar “kërcënimet verbale”.

Salaam gjithashtu pretendon se në fund të marsit 2022 ka refuzuar një kërkesë nga një mik i përbashkët që t’i ndihmonte me “menaxhimin e krizës”, pasi Will Smith goditi komedianin, Chris Rock, në skenën e Oscars pas shakasë për kokën e rruar të Jadas.

Sipas dokumenteve, ai ka refuzuar të kryejë detyra që i ka konsideruar “të paligjshme, joetike ose moralisht të gabuara”, duke shtuar se “ndërgjegjja nuk ia lejonte të ishte pjesë e ndonjë mbulimi apo fushate mashtruese të PR-it”.

Ai pretendon se më pas ka marrë kërcënime nga persona të lidhur me çiftin Smith–Pinkett, të cilët janë të ndarë që nga viti 2016.

Salaam thuhet se është duke shkruar një “memoar denoncues” për përvojat e tij me çiftin, dhe se për këtë arsye ka marrë kërcënime të tjera.

Ai po e padit aktoren për shkaktim të qëllimshëm të stresit emocional dhe dëmtime të tjera serioze.

Padia përmend edhe deklaratat që Salaam bëri në vitin 2023 në emisionin Unwine With Tasha K, ku ai pretendoi se kishte parë Will Smith dhe aktorin Duane Martin duke kryer një akt seksual.
Jada Pinkett Smith e quajti pretendimin “marrëzi”, ndërsa për TMZ deklaroi se ajo dhe Will kishin ndërmend të ndërmerrnin masa ligjore.

Salaam tani pretendon se “asnjë padi nuk është dorëzuar ndonjëherë. Deklarata ishte e rreme, e pakujdesshme dhe me qëllim të keq për të manipuluar opinionin publik dhe për të dëmtuar imazhin tim”.

Ai shton se ka pësuar humbje financiare, tronditje emocionale, probleme shëndetësore dhe dëmtim të reputacionit, duke përshkruar situatën si një “shkatërrim të plotë të jetës dhe karrierës së tij”.