Showbiz

Hugh Jackman dhe Deborra-Lee Furness finalizojnë divorcin

Hugh Jackman dhe Deborra-Lee Furness

Hugh Jackman dhe Deborra-Lee Furness kanë finalizuar divorcin. Ata njoftua për ndarjen qysh në shtator të vitit 2023, pas 27 vjetësh martesë, por Deborra 69-vjeçare paraqiti kërkesën për t’i dhënë fund zyrtarisht martesës vetëm muajin e kaluar. Kërkesa tash është nënshkruar nga një gjyqtar, shkruan “People”. 

Sipas të dhënave nga Gjykata e Lartë në Qarkun Suffol të New Yorkut, thuhet se vendimi për divorc u paraqit më 12 qershor dhe është ngarkuar në faqen e internetit të hënën, më 23 qershor, transmeton "Female First".

Kur Deborra paraqiti kërkesën për divorcin nga aktori 56-vjeçar, ajo tha se kushtet ishin të pakontestueshme dhe se duhet vetëm një miratim nga gjyqtari. 

U zbulua disa ditë pas kërkesës se çifti ka nisur t’i ndajë pasuritë e tyre të përbashkëta. 
Sipas të dhënave të pronave, të cilat i ka rishikuar “People”, një kompani e lidhur me Deborran ka paguar 11.7 milionë te kompania që çifti kishte përdorur kur kishte blerë “penthousen” në Manhattan në New York në vitin 2022 për 21 milionë dollarë. 

Ajo pronë tash vlerësohet 23 milionë dollarë. 

Ajo pronë është një nga disa me vlerë që kishte blerë çifti gjatë gati tri dekadave. 

Ata zotërojnë edhe prona në West Village në New York, një apartament në Sydney, si dhe prona tjera në SHBA, Mbretëri të Bashkuar dhe Australi. 

Ata ishin takuar gjatë xhirimit të serialit televiziv australian Correlli në vitin 1995 dhe u martuan më 11 prill të vitit 1996. 

Çifti kishte adoptuar djalin Oscar, tash 24 vjeç, në vitin 2000 dhe vajzën Ava, tash 19 vjeçe, në vitin 2005. 

Në shtator të vitit 2023 konfirmuan ndarjen nëpërmjet një deklarate të përbashkët. 

“Familja jonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë prioriteti ynë më i lartë. Jemi të bekuar që kemi ndarë pothuajse tre dekada së bashku si burrë e grua në një martesë të mrekullueshme dhe të dashur. Udhëtimi ynë tani po ndryshon dhe kemi vendosur të ndahemi për ta ndjekur rritjen tonë individuale”, u tha në deklaratë. 

Në maj të këtij viti, Deborra lëshoi një deklaratë të veçantë duke diskutuar ndikimin emocional të ndarjes. 

Ajo tha se “zemra dhe dhembshuria e saj janë te të gjithë ata që kanë kaluar udhëtimin traumatik të tradhtisë”. 

“Është plagë e thellë”, tha ajo. 

Sipas “The Daily Mail”, një burim tha se Hugh ishte “i habitur” nga komentet e Deborras dhe “jashtëzakonisht i zhgënjyer”, duke pretenduar se kishte pasur një “mirëkuptim se ajo nuk do ta nxirrte në media këtë çështje”.