Showbiz

Hally Berry “refuzon” të ndihet në siklet për moshën

Halle Berry

Halle Berry

Foto: Associated Press

Aktorja Halle Berry ka deklaruar se “refuzon” të ndihet në siklet për moshën e saj, duke theksuar se tani ndihet “më e vlefshme se kurrë”, tek i afrohet ditëlindjes së 60-të.

Fituesja e çmimit “Oscar” që në gusht i mbush 60 vjeç, ka folur për gazetën The Times për paragjykimet me të cilat përballen gratë në Hollywood teksa plaken, duke insistuar se nuk pranon idenë se gratë humbasin vlerën me kalimin e viteve.

“Pse duhet të kemi turp për gjënë më natyrale që na ndodh të gjithëve? Unë nuk kam problem, shoqëria ka problem”, ka thënë ajo.

Berry ka shtuar se industria përpiqet t’i vendosë gratë në “kuti” sapo arrijnë një moshë të caktuar.

“Ata duan të thonë: tani je në një moshë e caktuar dhe nuk je më aq e vlefshme sa më parë. Unë refuzoj, refuzoj, ta pranoj këtë, sepse e di që jam më e vlefshme tani se kurrë. Më e mençur, më e fortë, më e zgjuar”, ka thënë ajo.

Aktorja ka theksuar se plakja është një privilegj, por se për gratë ajo vazhdon të stigmatizohet.

“Nëse do të flisnin edhe për moshën e burrave njësoj, do të ishte e drejtë. Por nuk e bëjnë. Me ne ndodh gjithmonë. Së shpejti do të jem ‘Halle Berry 60-vjeçare’”, ka thënë ajo.

Berry ka pranuar gjithashtu se e ka të vështirë të pranojë komplimente që bazohen vetëm te pamja e saj fizike.

“Kam punuar shumë si aktore dhe të reduktohem ende vetëm në një fytyrë të bukur është e vështirë”, ka thënë ylli, duke shtuar se zakonisht përgjigjet thjesht me “faleminderit”.

Në jetën personale, Berry ka gjetur dashurinë sërish në të 50-at. Ajo është në një lidhje me këngëtarin Van Hunt prej më shumë se pesë vjetësh.

Hunt ka zbuluar se i ka propozuar martesë, por se propozimi është ende “pezull”.

Vetë Berry ka thënë se nuk ndien nevojën që ta “vërtetojë” dashurinë përmes martesës.

“Jam martuar tri herë dhe Van një herë. Nuk mendojmë se duhet të martohemi për të vërtetuar dashurinë tonë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, aktorja ka pranuar se mendon se ata mund të martohen një ditë.

“Nga të gjithë njerëzit me të cilët jam martuar, ky është personi me të cilin duhet të isha martuar”, ka thënë ajo.