Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Golden Globes” me rregulla të reja për përdorimin e AI-së

Nikki Glaser në tepihun e kuq të spektaklit të ndarjes së çmimeve "Golden Globes"

Nikki Glaser në tepihun e kuq të spektaklit të ndarjes së çmimeve "Golden Globes"

Foto: Associated Press

Përfaqësuesit e spektaklit të ndarjes së çmimeve në kinematografi “Golden Globes” kanë vendosur rregulla të reja për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në filma, seriale dhe podkaste, duke bërë të qartë se përdorimi i AI nuk e përjashton automatikisht një projekt nga gara për çmime, për aq kohë sa krijimtaria kryesore mbetet njerëzore, ka raportuar Variety.

Siç është njoftuar më herët, ceremonia e “Golden Globes” do të transmetohet live më 10 janar të vitit 2027 në CBS dhe në Paramount+, ndërsa prezantuese do të rikthehet komediania Nikki Glaser.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aplikimet për “Golden Globes” hapen më 1 qershor dhe përfundon më 30 tetor. Nominimet do të shpallen më 7 dhjetor, ndërsa votimet finale do të dërgohen më 18 dhjetor.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale (AI), përfshirë AI gjeneruese, nuk e përjashton automatikisht një vepër nga shqyrtimi, përderisa drejtimi kreativ njerëzor, gjykimi artistik dhe autorësia mbeten elementi kryesor gjatë gjithë procesit të prodhimit”, thuhet në rregulloren e re për AI.

Përfaqësuesit e “Golden Globes” kanë theksuar se çdo projekt do të vlerësohet bazuar në faktin se sa shumë vendimet kreative dhe artistike janë marrë nga njerëzit e kredituar në projekt.

“AI dhe teknologji të ngjashme mund të përdoren si pjesë e procesit të prodhimit, por nuk mund të zëvendësojnë kontributin kryesor krijues të talentit njerëzor”, thuhet tutje në deklaratë.

Komiteti i përfaqësuesve të spektaklit do të ketë të drejtë të kërkojë informacione shtesë për mënyrën se si është përdorur AI në një projekt. Nëse këto informacione nuk dorëzohen me kohë, projekti mund të shpallet i papërshtatshëm për garë.

Rregulla të veçanta janë vendosur edhe për kategoritë e aktrimit.

“Performancat e paraqitura për kategoritë e aktrimit duhet të bazohen kryesisht në punën e aktorit të kredituar. Performancat që janë krijuar ose gjeneruar në masë të madhe nga inteligjenca artificiale nuk do të jenë të pranueshme”, thuhet në udhëzuesin e ri.

Megjithatë, përdorimi i AI për të përmirësuar ose mbështetur një performancë nuk e skualifikon automatikisht projektin, për sa kohë performanca mbetet “thelbësisht njerëzore” dhe nën kontrollin kreativ të aktorit.

“Golden Globes” ndalon gjithashtu përdorimin pa leje të zërit, fytyrës apo të dhënave biometrike të aktorëve përmes AI.

Për kategoritë që s’kanë të bëjnë me aktorë, si regjia, skenari, muzika apo animacioni, organizatorët kanë deklaruar se përderisa kreativiteti kryesor buron nga njerëzit, AI-ja do të ju shërbejë vetëm si mbështetje në punë.

“Një vepër mbetet e pranueshme përderisa kontributet kryesore kreative në fushat përkatëse burojnë kryesisht nga individë njerëzorë të kredituar dhe përdorimi i AI shërben vetëm si mbështetje apo përmirësim”, thuhet në deklaratën e organizatorëve.

Ndryshime të reja janë bërë edhe për kategorinë e podkasteve.

“Podkastet e pranueshme do të përzgjidhen ekskluzivisht nga një listë e kuruar me ‘30 podkastet më të mira’ gjatë periudhës së kualifikimit”, thuhet në rregullore.

Kjo listë do të përpilohet nga kompania “Luminate”, bazuar në të dhëna dhe statistika të verifikuara të përcjelljes.

Po ashtu, “Golden Globes” ka lehtësuar rregullat edhe për filmat e pavarur dhe filmat në gjuhë jo-angleze.

Ata tani mund të konkurrojnë në kategoritë individuale të aktrimit edhe pa qenë të nominuar në kategorinë “Filmi më i mirë”, përderisa plotësojnë kriteret e tjera të pranueshmërisë.