Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në Venezuelë, numri i viktimave ka arritur në afro 1.500

Venezuela

Ekipet e shpëtimit në Venezuelë po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin javën që shkoi.

Numri i viktimave nga tërmetet e së mërkurës ka arritur në afro 1.500. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë, ekipe shpëtimi nga vende të ndryshme kanë mbërritur në shtetin La Guaira, zona më e goditur nga fatkeqësia, raporton Reuters.

Dhjetëra ndërtesa u shembën në këtë zonë bregdetare, rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit Karakas.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, të dielën ka thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë dhe nuk do të ndërpriten për sa kohë ka shpresë për të gjetur të mbijetuar.

“Sot kemi nxjerrë njerëz të gjallë nga rrënojat, prandaj operacionet vazhdojnë. Ne nuk e humbasim shpresën”, deklaroi ajo.

Rodriguez ka njoftuar gjithashtu krijimin e një komisioni presidencial që do të vlerësojë nëse ndërtesat e dëmtuara janë ende të sigurta për banim. Ajo bëri të ditur se mësimi në shkolla do të mbetet i pezulluar edhe për një javë, ndërsa furnizimi me energji elektrike në La Guaira është rikthyer në rreth 75 për qind.

Qeveria ka falënderuar vullnetarët që po dërgojnë ndihma në zonat e prekura, por njëkohësisht ka kufizuar qarkullimin në rrugët kryesore, duke thënë se trafiku po pengonte lëvizjen e automjeteve të emergjencës.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, ka theksuar se numri i viktimave është rritur në 1.450. Sipas tij, 3.150 persona janë të lënduar, 12.721 kanë mbetur pa strehë dhe 774 ndërtesa janë shembur.

“Po kalojmë orë vendimtare për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe për të ngritur kampe për njerëzit që kanë humbur shtëpitë ose nuk mund të kthehen në banesat e tyre”, ka deklaruar ai.

Para mbërritjes së më shumë se 2.600 punonjësve të huaj të shpëtimit, familjarët dhe vullnetarët kaluan ditë të tëra duke kërkuar të mbijetuar dhe viktima mes rrënojave. Ata u ankuan për mungesën e makinerive të rënda dhe të ndihmës së mjaftueshme nga autoritetet.

Situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të qindra lëkundjeve pasuese që vazhdojnë të godasin zonën.