Showbiz

“GOAT” bën bashkë yjet e Hollywoodit dhe basketbollit

“GOAT” bën bashkë yjet e Hollywoodit dhe basketbollit

Ylli amerikan i basketbollit, Stephen Curry dhe aktori Caleb McLaughlin iu bashkuan kastës së aktorëve të filmit të animuar, “GOAT”, në premierën botërore të tij në Los Angeles.

Gabrielle Union, Patton Oswalt, Jelly Roll, Jennifer Hudson, Nick Kroll, Jenifer Lewis, Sherry Cola, Ayesha Curry dhe Aaron Pierre, po ashtu morën pjesë në ngjarje.

McLaughlin huazon zërin për protagonistin e filmit, Will Harris, një dhi e vogël dhe e vendosur, që për shkak të madhësisë së vet nënvlerësohet nga të tjerët dhe ëndrrat për të luajtur sportin e ashtuquajtur ‘roarball’ kufizohen. Kur rekrutohet nga një prej pronarëve të ekipit, Will është i vendosur të tregojë se mund të konkurrojë me lojtarët më të mëdhenj dhe më të ashpër të këtij sportit.

“Sigurisht, mendoj se ne jemi kritiku më i keq i vetvetes. Mendoj se ajo që të pengon të bësh gjërat që dëshiron në jetë, zakonisht nuk janë njerëzit e tjerë. Je gjithmonë ti dhe mendja jote. Dhe duke qenë një aktor i ri në industri, kalon nëpër këto ndryshime të rritjes dhe pastaj fillon të dyshosh te vetja, gjë që është normale dhe ndodhë tek secili, por mendoj se shëndeti mendor është shumë i rëndësishëm dhe ky film e përfaqëson atë gjë. Thjesht duke luftuar ato beteja mendore dhe zhurmën që vjen nga jashtë. Filmi i frymëzon njerëzit të jenë më të mëdhenj se jeta. Thjesht ëndërro shumë”, deklaroi aktori.

Curry, i cili vjen në rolin e producentit si dhe debutoi si aktor në film, duke huazuar zërin për një personazh, tha se filmi është frymëzuar nga rrugëtimi i tij drejt famës si lojtar i basketbollit dhe reflekton misionin e kompanisë, “Unanimous Media”, të cilën e drejton së bashku me gruan e tij, Ayesha Curry.

“Mendoj se origjina e këtij tregimi ishte një lloj mentaliteti dhe fryme e të qenit i dobët, që kam provuar ta mbaj me vete gjatë gjithë rrugëtimit tim në basketboll, por mendoj se ky është mesazhi që duam ta shpërndajmë me këtë film. Mendoj se të gjithë ndihen të nënvlerësuar në një mënyrë apo formë të caktuar. Deri në pikën kur fillon të besosh në vetvete, të rrethohesh me njerëzit e duhur, të kesh shpresë, të ndjekësh ëndrrat tua. Mendojmë se ky është një mesazh i duhur për të gjithë”, tha ai.

Union tregoi se për huazimin e zërit të personazhit, Jet, ajo u frymëzua nga komuniteti, duke u mbështetur veçanërisht te sportistët që janë pjesë e familjes së saj.

“Do ta pranoj, stili im i udhëheqjes ishte pak më ndryshe. Ashtu sikur personazhi im Jet, që duhej të mësonte si ta përshtatë stilin e saj të ‘lidershipit’, për të fuqizuar shokët e ekipit dhe të mos ndihet sikur duhet të bëjë gjithçka vetë. Por pastaj u inspirova edhe nga burri im, nga Bron, nga Teresa Weatherspoon dhe nga Dawn Staley. Ndërsa plakesh dhe trupi yt nuk është në gjendje të bëjë të gjitha gjërat që ti dëshiron t’i bëjë, por ende e ke atë zjarr dhe atë vullnet për të fituar brenda vetes, a është e mundur ta nxjerrësh atë jashtë? Pra kjo është ajo që përpiqem ta shpreh përmes personazhit të Jetit”, tha aktorja.

“GOAT” ka nisur të shfaqet nëpër kinematë e Amerikës nga 13 shkurti.