Showbiz

Dwayne Johnson tregon pse ka humbur peshë

Dwayne “The Rock” Johnson, ”, ka thënë Johnson në premierën e filmit “The Smashing Machine”, në  Festivalin e Filmit në Toronto

Dwayne “The Rock” Johnson, ”, ka thënë Johnson në premierën e filmit “The Smashing Machine”, në Festivalin e Filmit në Toronto

Foto: Associated Press

Aktori, Dwayne “The Rock” Johnson, ka zbuluar se humbja e peshës së tij trupore lidhet me një rol të ri në film.

53-vjeçari do të bashkohet sërish me regjisorin Benny Safdie, me të cilin punoi në filmin “The Smashing Machine”, këtë herë për një adaptim kinematografik të romanit të Daniel Pinkwater, ku një djalosh miqësohet me një burrë të quajtur “Chicken Man” për të zbuluar një ishull të padukshëm të mbushur me hardhuca muzikantë.

“Ky jam unë i dobësuar. Jam ende në proces, kam ende rrugë të gjatë përpara. Jam shumë i emocionuar që po e marr këtë mundësi për t’u transformuar sërish, siç bëra me ‘Smashing Machine’. Kjo do të thotë të ha më pak pulë”, ka thënë Johnson në Festivalin e Filmit në Toronto, ka raportuar FemaleFirst.

Për këtë rol, ai ka humbur pjesën më të madhe të muskujve që shtoi për të interpretuar luftëtarin, Mark Kerr, në projektin filmik “The Smashing Machine”.

Johnson e ka përshkruar projektin e ri si histori “fantastike dhe plot imagjinatë”, ku një djalosh, pasi sheh një transmetim të çuditshëm me hardhuca që luajnë muzikë, kalon në një botë të fshehur dhe takon “Chicken Man”, duke nisur një aventurë të pazakontë.

Johnson ka kujtuar momentin kur Safdie ia propozoi idenë.

“Benny ma prezantoi këtë projekt pas ‘Smashing Machine’. Pas rreth 45 minutash, kur përfundoi prezantimin, i thashë: ‘Unë jam ‘Chicken Mani’ yt’”, ka thënë ai.

Ky rol shënon një tjetër kthesë në karrierën e tij, pas suksesit të madh në Festivalin e Filmit në Venecia, ku “The Smashing Machine” mori duartrokitje 15-minutëshe. Aktori ka pranuar se po i pëlqen mundësia për të treguar anën e tij dramatike, pasi shpesh është ndjerë i kufizuar në rolet e filmit aksion dhe komedi.

“Kisha njëfarë dëshire të brendshme, një zë që më thoshte: ‘Po sikur? Po sikur ka më shumë dhe po sikur unë mundem?’ Shpesh është e vështirë ta kuptosh çfarë je në gjendje të bësh, kur je futur në një kategori. Në Hollywood gjithçka është bërë për arkat filmike. Dhe arkat filmike janë të zhurmshme, të shtyjnë në një qoshe e të duket sikur të thonë: ‘Ky është shtegu yt, kjo është ajo që bën, kjo është ajo që njerëzit duan prej teje’”, pati thënë ai në konferencë për shtyp në Venecia.

Por tani, ylli i “Jungle Cruise” ka thënë se nuk ka më asgjë për t’i dëshmuar Hollywoodit dhe është i përqendruar vetëm në dëshirat e tij artistike.

“Nuk mendoj se kam diçka për t’i dëshmuar Hollywoodit, ka të bëjë më shumë me mua tani. E vërteta është se para disa vitesh u ndala dhe pyeta veten: ‘A po jetoj ëndrrën time apo ëndrrat e të tjerëve?’, ka thënë ai.