Artisti i njohur, Bad Bunny ka pranuar se e sheh aktrimin si sfidë të veçantë dhe më intime sesa performancat muzikore.
Reperi 31-vjeçar ka marrë pjesë në disa filma të njohur vitet e fundit, përfshirë “F9”, “Bullet Train” dhe “Happy Gilmore 2”.
“Kur performon, je përballë shumë njerëzve, ata po të shohin aty për aty. Kur je duke aktruar dhe duke bërë filma, e di që njerëzit do ta shohin punën tënde më vonë, por jo në momentin e xhirimit … dhe ndjehet si punë më personale”, ka thënë ai për Extra, ka raportuar FemaleFirst.
Megjithatë, ai e shijon njësoj edhe muzikën, edhe aktrimin.
“Mund të shprehësh ndjenjat dhe të jesh kush të duash… Në muzikë përpiqem të jem më shumë vetvetja, ndërsa në filma mund të jetosh një jetë tjetër dhe të jesh një person tjetër”, ka thënë ai.
Në filmin e ri komedi-krim “Caught Stealing”, ai luan krah emrave si Austin Butler, Regina King, Zoe Kravitz, Matt Smith dhe Liev Schreiber.
“Shpresoj që njerëzve t’u pëlqejë ajo që kam bërë, puna ime, sepse e kam realizuar me shumë dashuri dhe pasion”, ka thënë ylli.
Ndërkohë, ai ka theksuar se suksesi i tij në SHBA është i lidhur me punën e komunitetit latin.
“Në fund të ditës, suksesin tim në Shtetet e Bashkuara ia dedikoj latinëve punëtorë që kanë ndihmuar ta bëjnë vendin ashtu siç është sot”, ka thënë ai për Harper’s Bazaar.
Artisti ka pranuar gjithashtu se në fillim të karrierës kishte tentuar të luante rol që nuk ishte vetvetja.
“Ndoshta në fillim të karrierës time u përpoqa të shtiresha se isha dikush tjetër, por mësova që kjo është mënyra se si artistët humbin veten. Kjo ndodh sepse harrojnë kush janë si persona dhe shpikin një personalitet fiktiv”, ka thënë ai.