Aktorja kubane 37-vjeçare Ana de Armas ka zbuluar se është ndjerë jashtëzakonisht e emocionuar që është bërë pjesë e filmave “John Wick”, përmes ripërpunimit më të ri në kuadër të këtyre filmave, me emër “Ballerina”.
Në film, ajo luan rolin e Eve Macarro, një balerinë që trajnohet për t’u bërë vrasëse.
“E dua këtë personazh dhe mendoj se me të mund të vazhdojmë kudo ku e lëmë”, ka thënë De Armas për The Hollywood Reporter.
Ajo e ka vlerësuar gjithashtu Chad Stahelski, regjisorin e serisë “John Wick”, dhe aktorin Keanu Reeves, që rikthehet në rolin e John Wick edhe në këtë film.
“Është diçka shumë e veçantë për mua. Më pëlqen personazhi, historia dhe gjithë universi që Chad dhe Keanu kanë krijuar me filmat ‘John Wick’. Tani që jam pjesë e tij, është diçka vërtet e veçantë”, ka thënë aktorja.
De Armas, e cila më parë ka luajtur përkrah Reevesit në filmat “Knock Knock” në vitin 2015 dhe “Exposed” në vitin 2016, ka zbuluar se përgatitjet për filmin “Ballerina” ishin jashtëzakonisht sfiduese në aspektin fizik.
“Çdo ditë sfidonte kufijtë e mi, që nga qëndrueshmëria, disiplina, përkushtimi e deri te fokusi. Një film i tillë kërkon një nivel që nuk e kisha përjetuar më parë, veçanërisht për një kohë kaq të gjatë”, ka thënë ajo.
Edhe Reeves është shprehur se është i mahnitur nga aftësitë fizike të koleges së tij.
“Kur kalonim nga trajnimi në xhirime, në momentin që thoshin ‘Action!’, shihje se si Ana e çonte gjithçka në një tjetër nivel. E shihje kënaqësinë e saj në skenat e aksionit dhe mënyrën se si e mbushte personazhin me jetë përmes tyre”, ka thënë aktori.
Në një intervistë për HeyUGuys, De Armas ka treguar se është vetë adhuruese e madhe e filmave “John Wick” dhe nuk ka hezituar fare për të pranuar rolin.
“Duke qenë adhuruese e filmave të ‘John Wick’, e gjithçkaje që Keanu dhe Chad kanë bërë, mendova… Kam një bazë të shkëlqyer këtu. Filmi ynë vjen natyrshëm si vazhdim i këtij universi, dhe e dua këtë personazh. Ishte thjesht: po, po, po. Ka kuptim”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ylli ka pranuar se puna për ta arritur nivelin e kërkuar nuk ishte aspak e lehtë.
“Gjithçka ishte sfiduese, veçanërisht trajnimi. Nuk është se e nënvlerësova, por mu desh pak kohë të kuptoja sa disiplinë kërkon një projekt i tillë”, ka thënë ajo.