Aktorja e njohur, Amanda Seyfried, ka thënë se është e bindur se filmi “The Housemaid” do të ketë një vazhdim dhe shprehet se do të donte shumë të shfaqej sërish, qoftë edhe me një rol të vogël.
40-vjeçja, e cila luan rolin e Nina Winchester në filmin thriller-mister të vitit 2025, beson se një pjesë e dytë e filmit të drejtuar nga Paul Feig është vetëm çështje kohe.
“Askujt nuk i ka shpëtuar ende fjala për pjesën e dytë, por unë e garantoj që do të ketë një të dytë. Dhe pothuajse e garantoj që do të jem në të, qoftë edhe si një paraqitje e vogël, sepse historia ka të bëjë me Syd dhe punën e saj për një familje të re. Ndodhin shumë gjëra, sidomos me personazhin e Michele Morrones, Enzo. Unë dua shumë të shoh se si ajo e mban ende Nina Winchester ‘në xhep’, sepse do të hidhesha menjëherë sërish në atë rol”, ka thënë ylli në një intervistë për Variety.
Amanda Seyfried says she “guarantees” a "Housemaid 2" will happen. #PSIFF pic.twitter.com/gW6JQEzqTI
— Variety (@Variety) January 4, 2026
“The Housemaid” ndjek historinë e Millie Calloway, e luajtur nga aktorja Sydney Sweeney, një grua që gënjen në CV-në e saj për t’u punësuar si dado që jeton në shtëpinë e një familjeje të pasur. Pronarët e shtëpisë janë Nina dhe Andrew Winchester, të interpretuar nga Amanda Seyfried dhe Brandon Sklenar.
Përveç Seyfried dhe Sweeney, në film luajnë edhe Michele Morrone, Brandon Sklenar dhe Elizabeth Perkins, 65 vjeçe, në rolin e Evelyn Winchester. Filmi bazohet në romanin e vitit 2022 të autores Freida McFadden.
Seria e librave ka edhe dy vazhdime të tjera: “The Housemaid’s Secret” dhe “The Housemaid Is Watching”, gjë që e bën edhe më të mundshëm vazhdimin e filmit.
Në dhjetor të vitit 2025, edhe Sweeney shprehu dëshirën për t’u rikthyer në rolin e Millie nëse realizohet një film i dytë.
“Do të doja shumë. Jam një adhuruese e madhe e librave, kështu që do të isha po aq e lumtur sa të gjithë të tjerët për të parë më shumë ‘Housemaids’ të vijnë në jetë dhe për të eksploruar më shumë historinë e Millie. Ajo është e fortë, luftarake dhe e di çfarë beson. I dua personazhe të tilla”, pati thënë ajo në një deklaratë për revistën People.
Ylli pati shtuar se dëshiron të shoh filma që e përqafojnë plotësisht zemërimin dhe forcën femërore.
Nga ana e tij, regjisori Feig, i njohur për faktin se zakonisht nuk është i prirë për të bërë vazhdime filmash, ka thënë se një pjesë e dytë e “The Housemaid” mund të realizohet, por gjithçka varet nga publiku.
“Nëse njerëzit shkojnë në kinema dhe e bëjnë këtë të ndodhë”, pati thënë ai.
Duke folur për miratimin e filmit nga autorja e librit, Freida McFadden, Feig ka shtuar se është lehtësim i madh dhe gëzim i vërtetë që asaj i pëlqeu, sepse disa autorë janë shumë mbrojtës ndaj veprave të tyre.
“Por Freida është një argëtuese e shkëlqyer. Librat e saj janë krijuar për të argëtuar dhe ajo e përqafoi plotësisht idenë që filmi të ishte shumë argëtues. E bëri këtë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ndër të tjera ai.