Regjisori i mirënjohur i Hollywoodit, James Cameron dhe kompania “Walt Disney” po përballen me një padi të re, pasi aktorja indigjene Q’orianka Kilcher pretendon se regjisori ka përdorur tiparet e saj të fytyrës pa leje për krijimin e personazhit Neytiri në filmin “Avatar”, ka raportuar The Guardian.
Sipas padisë, Cameron thuhet se “i ka marrë tiparet e fytyrës” së aktores dhe ka udhëzuar ekipin e dizajnit që personazhi kryesor Neytiri të bazohej në pamjen e saj, pasi e kishte parë në një reklamë të Los Angeles Times për filmin “The New World” të regjisorit Terrence Malick.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë atë film, Kilcher, e cila ka prejardhje indigjene peruane, luante rolin e Pocahontas, përkrah aktorëve Colin Farrell dhe Christian Bale.
“Njëri prej regjisorëve më të fuqishëm të Hollywoodit shfrytëzoi identitetin biometrik dhe trashëgiminë kulturore të një vajze të re indigjene për të krijuar një franchise filmash që theu rekorde fitimesh, pa i dhënë as meritë dhe as kompensim”, thuhet në dokumentin e padisë.
Padia e përshkruan serinë e filamve shumëfitimprurës të “Avatar” si një franchise që “paraqitej si mbështetëse e kauzave indigjene, ndërkohë që në heshtje shfrytëzonte një të re indigjene pas skenave”.
Personazhi Neytiri në filmat “Avatar” interpretohet nga aktorja Zoe Saldaña.

Sipas padisë, në vitin 2010, pas publikimit të filmit të parë “Avatar”, Kilcher ishte takuar me Cameron në një ngjarje, ku regjisori i kishte dhuruar një skicë të kornizuar të Neytirit, të vizatuar dhe nënshkruar prej tij.
Aktorja pretendon se bashkë me vizatimin, Cameron i kishte dhënë edhe një shënim.
“Bukuria jote ishte frymëzimi im i hershëm për Neytirin. Fatkeqësisht ti ishe duke xhiruar një film tjetër. Herën tjetër”, thuhej në shkrimin e Cameronit sipas aktores.
Padia pretendon gjithashtu se Cameron nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta angazhuar Kilcher në projekt, edhe pse agjenti i saj kishte tentuar t’i siguronte një audicion.
“Miliona njerëz e përqafuan ‘Avatar’ sepse besuan në mesazhin e tij dhe unë isha njëra prej tyre. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që dikush tek i cili kisha besim do ta përdorte sistematikisht fytyrën time si pjesë të një procesi të ndërlikuar dizajni dhe ta integronte në një prodhim filmik pa dijeninë apo pëlqim in tim. Kjo e kalon çdo kufi. Është thellësisht e gabuar”, ka thënë aktorja në deklaratën e saj.
Sipas padisë, Kilcher e kuptoi vetëm vitin e kaluar se tiparet e saj ishin përdorur drejtpërdrejt, pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një video e Cameronit.
Në video, regjisori shfaqet duke mbajtur skicën e Neytirit.
“Burimi i vërtetë për këtë ishte një fotografi në LA Times, e një aktoreje të re të quajtur Q’orianka Kilcher. Kjo është në fakt ajo… pjesa e poshtme e fytyrës së saj. Ajo kishte një fytyrë shumë interesante”, thotë ai në video.
Avokati kryesor i aktores ka deklaruar se kjo gjë nuk është frymëzim por shfrytzim.
“Kjo nuk ishte frymëzim, ishte nxjerrje dhe shfrytëzim. Ai mori tiparet unike biometrike të fytyrës së një vajze indigjene 14-vjeçare, i futi në një proces industrial produksioni dhe gjeneroi miliarda dollarë fitime pa kërkuar asnjëherë lejen e saj. Kjo nuk është kinematografi. Kjo është vjedhje”, ka thënë ai.
Deri tani, përfaqësuesit e Cameron nuk kanë reaguar publikisht ndaj akuzave.