Vëllezërit Jonas u ribashkuan në New York të hënën në mbrëmje, për premierën e filmit të tyre për festat e fundvitit, “A Very Jonas Christmas Movie”.
Kevin, Joe dhe Nick Jonas parakaluan në tapetin e kuq të shtruar në qendër të New Yorkut, së bashku me aktorët Laverne Cox, Randall Park dhe Jesse Tyler Ferguson.
Në “A Very Jonas Christmas Movie”, vëllezërit përballen me një garë kundër kohës teksa përpiqen të udhëtojnë nga Londra në New York, për të arritur në kohë për Krishtlindje.
“Ka qenë gjithmonë një ëndërr e jona të krijonim një film që njerëzit mund ta shikonin gjithmonë. Kemi kaq shumë klasikë që i duam nga zhanri i filmave të fundvitit, dhe mendoj se tema kryesore e atyre filmave që na pëlqenin, dhe që u përpoqëm ta sillnim në tonin, është ai emocioni i brendshëm që të bën të kthehesh sërish te ai projekt”, tha Nick.
“Ishte vërtet e mrekullueshme të mund të punonim sërish në formatin e filmit. Nuk kam aktruar shumë kohët e fundit, ndaj të mund të marrë këshilla nga këta të dy që kanë bërë shumë më tepër filma, ka qenë përvojë e jashtëzakonshme. Dhe thjesht të jesh në gjendje ta bësh këtë së bashku e vëllezërit e tu, është vërtet shumë argëtuese”, deklaroi Kevin, para gazetarëve në premierë.
“A Very Jonas Christmas Movie” u shfaqet premierë të premten, më 14 nëntor, në platformat digjitale “Disney+” dhe “Hulu”.