Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Pesë filma që mund t'i shikoni gjatë fundjavës

Filmat

Filmat

Platforma transmetuese, Netflix, vazhdon të ofrojë një përzgjedhje të gjerë filmash për çdo shije, por shpesh është e vështirë të vendosësh çfarë të shikosh.

Shumë njerëz kalojnë kohë duke kërkuar në platformë në vend që të shohin një film. Për këtë arsye Vanity Fair ka përgatitur një listë me disa nga filmat më të mirë që mund të shihen në Netflix gjatë muajit marsit 2026, nga klasikët e komedisë deri te filmat e fundit të nominuar për çmime “Oscar”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lista përfshin filma të rëndësishëm të kinemasë, klasikë kult dhe disa prodhime origjinale të Netflixit që shpesh kalojnë pa shumë vëmendje dhe këta janë pesë prej tyre.

20th-Century Women (2016)

 

Regjia: Mike Mills
Zhanri: Dramë
Aktorët kryesorë: Annette Bening, Greta Gerwig, Elle Fanning, Billy Crudup, Lucas Jade Zumann
Vlerësimi: 88 për qind në Rotten Tomatoes

Vanity Fair ka shkruar se ky film konsiderohet një nga veprat më të mira të regjisorit Mills dhe është pjesërisht autobiografik. Historia ndjek marrëdhënien mes një nëne dhe djalit të saj në vitet pas presidencës së Gerald Fordit në SHBA.

Filmi u vlerësua për dialogun e tij të thellë dhe për interpretimin e aktores Annette Bening, e cila luan rolin e Dorotheas, një nënë që përpiqet të kuptojë botën që po ndryshon dhe të ndihmojë djalin e saj në procesin e rritjes.

Në film shfaqen edhe aktorja Gerwig në rolin e një fotografeje rebele dhe Crudup si një punëtor i shtëpisë me një personalitet të veçantë.

Atlantics (2019)

 

Regjia: Mati Diop
Zhanri: Dramë
Aktorët: Mame Bineta Sane, Amadou Mbow, Ibrahima Traoré
Vlerësimi: 96 për qind në Rotten Tomatoes

Atlantics është një histori dashurie e veçantë që ndërthur dramën me elemente misterioze dhe fantazie. Filmi ndjek jetën e një vajze të re në Senegal, e cila është e fejuar me një burrë që nuk e dashuron, ndërsa i dashuri i saj largohet me anije drejt Evropës për të kërkuar punë.

Pas largimit të tij, në qytet fillojnë të ndodhin ngjarje të çuditshme, ndërsa shpirtra misteriozë duket se pushtojnë trupat e banorëve për të kërkuar drejtësi ndaj një kompanie që i ka shfrytëzuar.

Filmi është vlerësuar për stilin e tij unik vizual dhe për mënyrën se si trajton temat e dashurisë, emigrimit dhe padrejtësisë sociale.

Blue Moon (2025)

Regjia: Richard Linklater
Zhanri: Komedi
Aktorët: Ethan Hawke, Andrew Scott, Margaret Qualley, Patrick Kennedy, Bobby Cannavale
Vlerësimi: 90 për qind në Rotten Tomatoes

Filmi zhvillohet gjatë natës së premierës së mjuzikëllit “Oklahoma!” në teatër. Historia ndjek kompozitorin Lorenz Hart, i cili përjeton një krizë personale ndërsa sheh suksesin e ish-bashkëpunëtorit të tij Richard Rodgers.

Ani pse tema lidhet me botën e teatrit, filmi është një histori universale për xhelozinë, talentin dhe pasiguritë e artistëve. Interpretimi i Hawke është vlerësuar shumë dhe i ka siguruar një nominim për “Oscar” për aktorin më të mirë.

Cast Away (2000)

Regjia: Robert Zemeckis
Zhanri: Dramë
Aktorët: Tom Hanks, Helen Hunt e Jenifer Lewis
Vlerësimi: 88 për qind në Rotten Tomatoes

Ky film tregon historinë e një punonjësi të përkushtuar që mbetet i bllokuar në një ishull të shkretë pas rrëzimit të avionit. Për vite të tëra ai përpiqet të mbijetojë i vetëm dhe të gjejë mënyra për t’u kthyer në civilizim.

Roli i Tom Hanks konsiderohet një nga interpretimet më të mira të karrierës së tij, pasi pjesa më e madhe e filmit mbështetet vetëm në praninë e tij në ekran.

Filmi është bërë i famshëm edhe për “Wilson”, topin e volejbollit që bëhet shoku i vetëm i personazhit kryesor gjatë izolimit të tij.

Dick Johnson Is Dead (2020)

Regjia: Kirsten Johnson
Zhanri: Dokumentar
Vlerësimi: 99 për qind në Rotten Tomatoes

Ky dokumentar prekës dhe njëkohësisht humoristik trajton marrëdhënien mes regjisores Kirsten Johnson dhe babait të saj, Dick, i cili vuante nga demenca.

Në film, regjisorja imagjinon dhe xhiron skena të ndryshme të “vdekjes” së babait të saj në mënyra të ndryshme dhe shpesh absurde, si për shembull një rënie nga shkallët apo goditja nga një kondicioner që bie nga një ndërtesë.

Johnson ka shpjeguar se filmi ishte një mënyrë për t’u përballur me realitetin e vështirë të sëmundjes së babait të saj.

“Si mundemi unë dhe babai im të përballemi bashkë me faktin që ai, i cili është i pazëvendësueshëm, një ditë do të zhduket?”, ka thënë ajo.

Rezultati është një film i pazakontë, emocional dhe shumë njerëzor për dashurinë, humbjen dhe marrëdhëniet familjare.