Reklama

FEMART 13 do të nisë me “Zjerm” nga Shkodra Elektronike, programi dhe biletat online

Femart

Çlirimi nuk është arratisje. Është guxim! Guximi për të thënë të vërtetën. Për të ndalur zhurmat dhe për të dëgjuar veten. Për të shembur muret që ndajnë shpirtin nga shpresa. Në edicionin e 13-të të Festivalit FEMART, që vjen nën moton “Çliroje Mendjen”, ne nuk qendërzojmë vetëm artin dhe aktivizmin, por edhe shëndetin mendor si akti më i thellë i çlirimit. Kur mendja çlirohet, shpirti gjen paqen e jeta rilind.

Ndaj, për gjashtë ditë me radhë, 16-21 qershor, 2025 FEMART bëhet një hapësirë e çlirimit për të krijuar, përkujdesur, dashuruar, e për t’u shëruar me guxim të palëkundur.

FEMART 13 do të nisë në AMC Hall me magjinë dhe shndrritjen e Shkodrës Elektronike. Nga Eurovisioni në Prishtinë, Shkodra Elektronike, e përbërë nga dyshja unike – Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca – do të sjellin magjinë, sharmin, dhe energjinë e “Zjerm” në Festivalin FEMART, duke festuar njëherësh Ditët e Çlirimit të Prishtinës.

Rezervo biletën tënde për koncertin magjik të Shkodrës Elektronike: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=3903 

Përtej skenës së muzikës, FEMART 13 ofron gjashtë ditë ngjarjesh që guxojnë të prekin plagët dhe të hapin dritare drejt shërimit. Në teatër ngritin zërin “Zëra të Heshtur” të Kolektivit Feminist Italian BILOURA, “Gratë e Trojës” – një bashkëpunim i rrallë artistësh nga Kosova dhe Serbia, kurse shfaqjet “Jam Unë Ajo” dhe “AdH(A)rA” sjellin rrëfime të thella për identitetin, dhimbjen dhe forcën e grave.

Në diskutimet “Pas Mureve” dhe “Amësia dhe Shëndeti Mendor”, hapim tema të rëndësishme që prekin përditshmërinë e grave dhe të margjinalizuarve, duke krijuar hapësira reflektimi dhe fuqizimi. Në “Një Dhomë për Veten”, Hamami i Prishtinës shndërrohet në një vend të shenjtë për mendjen dhe trupin, për një autonomi që tejkalon kufijtë personalë.

Programi filmik sjell rrëfime të fuqishme nga Kosova, Italia dhe Zvicra, me dokumentarë si “Në Kërkim të Burbuqe Rushitit” dhe “Kaskaderet”, si dhe filmi italian “Udhërrëfyes Romantik për Vendet e Humbura” që eksploron humbjen dhe kujtesën me delikatesë të jashtëzakonshme.

FEMART nuk është vetëm hapësirë e shfaqjes, por edhe e mësimit dhe bashkëkrijimit. Punëtoritë ndërkombëtare me artistë nga Kosova, Italia, Anglia dhe Luksemburgu do të ofrojnë platforma për shkëmbim kreativ, rritje profesionale dhe rrjete të reja bashkëpunimi.

Një nga momentet kyçe do të jetë konferenca ndërkombëtare “Arti + Mendja”, ku eksplorojmë lidhjen mes shëndetit mendor dhe praktikës artistike.

Dhe për ata që duan të vallëzojnë përtej fjalëve, Bubble Bar do të jetë vendtakimi i mbrëmjeve pas performancave. FEMART do të përmbyllet më 21 qershor, 2025 me koncertin “Tentative” nga Franca – një përqafim i fundit artistik që mban gjallë energjinë e festivalit deri në takimin e ardhshëm.

Programin e plotë të FEMART 13 e gjeni këtu: https://FEMART-ks.com/sq/programi-2025/

FEMART është ende i hapur për ata që duan të kontribuojnë – si donatorë apo sponsorë – në një hapësirë ku arti, guximi dhe barazia bashkëndodhin. Na kontaktoni për t’u bërë pjesë e çlirimit!