Për të 25-tën herë më radhë ka dështuar të bëhet konstituimi i Kuvendit, pasi nuk është arritur të gjendet pajtim mes partive. Partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, as të hënën nuk kanë pranuar ta votojnë komisionin për votim të fshehtë, lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit, e janë shprehur kundër propozimit për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryekuvendare. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar ta ndryshojë propozimin. Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën
Haxhiu: Sulmet seksiste, mizogjene ndaj meje, të papranueshme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila është edhe e propozuara për kryeparlamentare, ka akuzuar partitë deri tash në opozitë se po bëjnë sulme seksiste ndaj saj.
Të hënën kur dështoi edhe seanca e 25-të për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu ka thënë se këto sulme ndaj saj janë të papranueshme.
“Nuk i kuptoj arsyet publike që i kanë bërë opozita për kundërshtimin tim. Më quajnë përçarëse, konfliktuoze, por jam e hapur të diskutojmë për secilën çështje që kam bërë, asnjëherë nuk kam vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Sulmet seksiste, mizogjene, kanë qenë të papranueshme”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka shtuar se janë në pritje që Gjykata Kushtetuese të veprojë lidhur me ankesën e AAK-së për votimin e fshehtë.
“Sot ishte hera e 17-të prej kur është vendosur propozimi për votimin e fshehtë, kjo procedurë ka filluar që nga 1 maji. Përkundër kësaj, ne nuk kemi një situatë ndryshe, pra opozita me një inat irracional, ka vendosur të mos marrë pjesë në votim. Sot bëhen tri javë prej kur AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, pra AAK-ja me mbështetjen e disa deputetëve e ka kontestuar votimin e fshehtë. Përkundër faktit që kanë kaluar 3 javë nuk kemi përgjigje. Urojmë që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me rrethanat, dhe të marrë vendimin. Ne kemi dërguar komentet në raport me të njëjtën”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, deputetja e kësaj partie, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se problemi i partive opozitare nuk është emri i kandidatit për kryeparlamentar, por bllokimi i formimit të institucioneve.
“Si Lëvizje Vetëvendosje e kemi kryer obligimin tonë duke propozuar emrin e kandidatit qysh në seancën e parë, ndërkohë që jemi prezent për kaq shumë seanca radhazi për të votuar pro, ndërkohë që për 17 herë radhazi i kemi të njëjtit deputetë të opozitës që nuk marrin pjesë fare as në votimin e komisionit që e mundëson votimin e fshehtë. Sikur të ishte problemi emri i kandidatit siç ata deklarojnë për kaq shumë seanca radhazi, do ta kishin mundësuar votimin e fshehtë dhe të drejtën e tyre për të votuar kundër këtij kandidati”, ka thënë ajo.
Çitaku fton LVV-në të reflektojë: Kosova është më e madhe se secili prej nesh veç e veç
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën e krijuar në Kuvend.
“Kemi hyrë në një fazë jashtëzakonisht të rrezikshme për vendin, ekonomia kosovare po dëmtohet dhe po rrezikohet, 140 mijë punëtorë po rrezikohen, familjet tona po rrezikohen, e në ndërkohë Kuvendi dhe institucionet vazhdojnë të mbesin të bllokuara për shkak të kryeneçësisë së grupit të parë parlamentar”, ka deklaruar Çitaku pas dështimit të 25-të me radhë të konstituimit të Kuvendit.
Ajo e ka ftuar Vetëvendosjen për reflektim.
“Edhe njëherë bëjmë ftesë për reflektim, Kosova është më e madhe se secili prej nesh veç e veç”, është shprehur Çitaku.
Edhe një dështim për konstituim të Kuvendit
Për të 25-tën herë më radhë ka dështuar të bëhet konstituimi i Kuvendit, pasi nuk është arritur të gjendet pajtim mes partive.
Partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, as të hënën nuk kanë pranuar ta votojnë komisionin për votim të fshehtë, lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit, e janë shprehur kundër propozimit për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryekuvendare.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar ta ndryshojë propozimin.
Seanca e radhës është caktuar për të mërkurën.
Haziri: S’jemi patericë, të votojmë sipas dëshirave të partisë së parë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK-ja nuk është mekanizëm votues sipas dëshirave të partisë së parë e as patericë që ndihmon zhbllokimin e atyre që u mungon vullneti të punojnë.
Para nisjes së seancës të së hënës për konstituimin e Kuvendit, Haziri para mediave ka thënë se nuk është arritur ende marrëveshje për qeverinë, andaj po bllokohet Kuvendi.
“Mungesa e një vullneti politik për të gjetur një zgjidhje të shpejtë politike tashmë është bërë e pavlefshme për ta përmendur. Jemi vonë, është bërë neveri për qytetarët dhe ne si përfaqësues, por gjithmonë ka rrugë, mundësi që duhet të shteren deri në fund dhe të gjendet një rrugë. Nuk ka të bëjë për mua dhe për LDK-në emri i përvetshëm, ka të bëjë parimi në mënyrë që konstituimi të finalizohet sa më shpejt dhe një marrëveshje politike është përtej urgjencës sepse Kosova është në një krizë politike. Mirëmbajtja, kujdestaria në qeveri, edhe ashtu me probleme, sepse edhe deputetë edhe ministra nuk funksionon, nuk është e drejtë, nuk është legjitime. Reagimi ynë është politik, ne kemi marrë pjesë vazhdimisht në votim. Nuk jemi mekanizëm votues sipas dëshirave të partisë së parë e as patericë që krijon çdo situatë për ta debllokuar dikë që nuk ka vullnet të punojë”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk e ndryshon qëndrimin e saj.
“Roli ynë do të jetë konstruktiv, e kemi bërë të qartë në të dyja letrat që ne e kemi këtë pozitë që nuk do ta ndryshojmë. Vetë fakti se nuk ka marrëveshje për qeveri e mban arsyetimin te bllokimi i Kuvendit. Kurti ka lënduar njerëz, ka bërë ofendime kolektive në këtë Republikë, më pas është munduar ta arsyetojë”, është shprehur ai.
Bahtiri e Peci e fajësojnë opozitën për bllokadën në Kuvend
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, para nisjes së seancës e ka fajësuar partitë që në legjislaturën e kalaur kanë qenë në opozitë, për bllokimin e Kuvendit.
Ai i ka ftuar partitë opozitare të reflektojnë pozitivisht.
“Jemi duke pritur opozitën që të reflektojnë pozitivisht sepse kjo është e tepërt, është e tmerrshme dhe e papranueshme edhe para familjeve të tyre, e lëre më para popullit”, ka thënë ai, para fillimit të vazhdimit të 25-të të seancës konstituive.
Edhe deputeti i Vetëvendosjes Faton Peci ka thënë se nuk presin që në vazhdimin e sotëm të ketë lëvizje për zhbllokim të situatës. Edhe ai për bllokimin i ka fajësuar partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.
“Nuk presim që diçka ka lëvizur nga pjesa e kampit opozitar, e vërteta është që qytetarët presin që ne të ofrojmë zgjidhje, nuk është që ne nuk kemi bërë lëvizje në këtë drejtim, ndërsa do të kemi lëvizje kur të kemi reflektim nga partitë politike që deri sot kanë refuzuar ta formojnë komisionin përmes të cilit ne mundemi të kalojmë në pikën tjetër që është procedimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit”, është shprehur Peci.